Sjellja politike e Vetëvendosjes në procesin e pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014

Opinione

Sjellja politike e Vetëvendosjes në procesin e pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014

Nga: Flamur Shala Më: 5 korrik 2014 Në ora: 23:27

Vetëvendosja u përqendrua shumë në përpjekjen e saj që rezultatin zgjedhor të disfavorshëm të 8 qershorit ta përplotësojë dhe ta shndërrojë në një formë aktive të sjelljes politike me reflektime eventuale të favorshme për të. Sjellja politike e VV në këtë proces është e sofistikuar dhe me qëllime politike të favorit të saj. Ajo është më së paku e interesuar që të lidhet ndonjë koalicion i mirëfilltë politik dhe të formohet ndonjë qeveri stabile, sepse çdo stabilitet politik në Kosovë tani shkon në disfavor të VV. Pra, ajo, më shumë se të tjerat parti, me kujdes, me skenar dhe me aktivitet politik të vazhdueshëm po përpiqet që i tërë “uji të shkojë në mullirin e vet”.
Vetëvendosja, për aq sa është kundër PDK-së, po aq është kundër partive të koalicionit pasgjedhor. Ndërsa me të parën kanë pasur dhe kanë shumë dallime dhe kundërshtohen me ashpërsi politike, me partitë e koalicionit kanë pasur kundërshti dhe po kundurshtohen, tani jodrejtpërdrejt dhe gati pahetueshëm. Kushtet që i ka vënë koalicionit janë të njëjta në përmbajtje me të gjitha kundërshtimet që i kishte shprehur në forma të ndryshme, politike e të tjera, të vëna ndaj PDK-së, vetëm se ndaj të dytit, koalicionit, janë të një mënyre tjetër, me gjuhë tjetër dhe në kontekst tjetër.
Dihet, Vetëvendosja, sikurse edhe partitë e koalicionit, nuk dëshiron ta shohë PDK-në në pushtet. Këtë qëllim politik po përpiqet ta realizojë hapur përmes koalicionit me kushte të vëna ndaj tij. Duke ditur pozicionin e Kushtetueses, loja politike e saj të çon në zgjedhje të parakohshme, qoftë menjëherë, qoftë pas pak muajsh. Menjëherë, sepse nëse mandatohet dy herë kandidati i PDK-së dhe s’mund të formohet qeveria, shkohet në zgjedhje sipas afateve ligjore dhe shkuarja në zgjedhje pas disa muajsh, sepse është vetë VV ajo që po përpiqet t’i mbajë frejtë në dorë, me kushtet për koalicionin. Nga kjo del se VV po e luan vetëm lojën e saj me sjelljen kogja të kamufluar politike. VV është partia që më së shumti po i bën hyzmet procesit dhe që më së paku ka dëshirë të përfundojë mirë ky proces. Është partia që i do më së shumti zgjedhjet e parakohshme, por i do ato në një momentum të favorshëm për të. Kjo është politika e këtyre ditëve e VV, kjo është sjellja politike e saj ndaj kësaj gjendjeje politike në Kosovë. Gjithsesi, po përpiqet të jetë përfituesja më e madhe paszgjedhore për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.
Me veprimet e saj politike, me komoditetin më të madh të të papretenduarit për të qenë në qeverisje, në këtë proces i ka sjellë të gjitha partitë në pozita të pafavorshme për to, mbase që nga nga formimi i tyre. E ka zbehur pak fuqinë e tyre politike duke i futur në vorbullin e varësisë nga njëra tjetra dhe të gjitha të varura nga VV. Kjo është shkolla e këtyre ditëve në VV, e atyre që po qëndrojnë e po fshihen prapa saj, pretenduesve më të mëdhenj për pushtet në një të ardhme të afërt për ta. Të njëjtit e kanë kapur VV dhe ngadalë po ecin drejt zaptimit të plotë të saj. Ambiciet, veç tjerash, për president shteti janë brenda VV, në prapavinë e saj.
Në varësi të sjelljes politike të VV, e cila realisht po udhëhiqet nga prapaskena, nga ata që po i diktojnë veprimet e saj politike, kanë rënë tri partitë e koalicionit paszgjedhor. Kjo dihet botërisht, sepse janë ata njerëz, në prapavijë, që e filluan këtë process dhe arritën të krijojnë këtë gjendje varësie të veprimit politik të koalicionit në këtë proces të paprovuar ndonjëherë në Kosovë. Varësia ndaj veprimeve politike të VV të partive të tjera do të zgjasë deri atëherë kur LDK do të mund të tërhiqej nga të ashtuquajturat kritere politike të VV. Këtë mund ta bëjnë edhe AAK dhe NISMA. LDK ka mundur të veprojë ndryshe dhe të diktojë vetë procesin me dinjitet politik dhe me rezultate të favorshme për të dhe për procesin si dhe për stabilitetin politik të Kosovës.
Vetëm me një kandidat për të parin e qeverisë së ardhshme, vetëm me një qeveri e cila do të udhëhiqej nga LDK-ja do të mund të stabilizohej, në radhë të parë, procesi paszgjedhor i konsolidimit të skenës politike në Kosovë, duke ndjekur të gjitha procedurat deri në formimin e qeverisë stabile dhe të qëndrueshme. Vetëm me një qeveri me LDK në krye të saj do të mund të neutralizoheshin të gjitha përpjekjet e tjera për pozicione të skajshme dhe kundër proceseve demokratike. LDK ka legjitimitetin elektoral të jetë bartëse e fuqishme për t’i prirë qeverisë së ardhshme të Kosovës. Në çfarëdo blloku apo koalicioni, do t’i takonte LDK-së ta ketë kryeministrin dhe të udhëheqë me qeverinë e Kosovës. Në cilin do rast, katalizatori më i madh i zhvillimit të proceseve demokratike është LDK. Duke qenë forca politike, më e madhja, me besimin më të madh në vend, është bartësja, e dëshmuar historikisht, më e ndërgjegjshme e proceseve politike. Qeveria e re e udhëhequr nga LDK nuk do t’i vinte kushte asnjë partneri për koalicion, të ngjajshme me kushtet që po i vë VV për mundësinë se kinse po bën që edhe ajo do të jetë pjesë e koalicionit aktual e bllokut opozitar. LDK-së nuk i bëhet as herët as vonë, në asnjë mënyrë, dhe duhet të bëjë përpjekje që të mbajë qëndrime të saj parimore lidhur me formimin e qeverisë. LDK nuk e pranon dhe është kundër një qeverie, të ashtuquajtur “Thaçi 3”. Kjo i është bërë e qartë tanimë secilit qytetar të Kosovës. Në këtë nuk duhet të dyshojë asnjëri.
Kështu, sa më parë të duket një mobilitet lidhur me kushtet e VV, aq më shpejt mund të saktësohet një anë e koalicionit dhe të vihet në pyetje ky process dhe jeta e tij kësisoji. Sa më parë që t’i thuhet jo asaj që kushtëzohet, nga kushti i çfarëdo natyre qoftë, aq më shpejt do të qartësohej pozicioni i secilës parti të koalicionit ndaj kushteve të VV. Dhe, LDK-së, si partia më e madhe, do t’i takonte që ta lë VV me paraqitjet e saj politike dhe të mos shkojë tutje e të merret me kushtet e saj, antievropiane dhe antidemokratike. Zgjatja dhe vazhdimi i takimeve me të komprometon procesin paszgjedhor. LDK, sa më parë që do të artikulojë kërkesën e saj për të qenë udhëheqëse e qeverisë së re të Republikës së Kosovës me dy partnerët e saj, pra me AAK-në dhe Nism-ën, aq më shpejt do të fillohej të bëhet procesi i formimit të qeverisë më i lehtë dhe më real. Vetëm sjellja konstruktive e saj do të bënte që të stabilizohej krejt ky proces paszgjedhor. LDK është çelësi i formimit të një qeverie stabile në Kosovë, ndryshe bie që të përgaditen të gjitha partitë për zgjedhjet e reja të parakohshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat