Reagim

Opinione

Reagim

Më: 5 korrik 2014 Në ora: 20:05

Ndër ne, kohëve të fundit, po paraqiten raste të pahijshme e të dëmshme, e aq më keq që po paraqiten nën petkun e fesë e të besimit. Jam i bindur se ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Kaçanik kanë shqetësuar shumicën e qytetarëve tanë, ashtu siç më kanë shqetësuar shumë edhe mua. Por, të thuash se vetëm jemi shqetësuar, është pak. Ne me këtë rast edhe jemi turpëruar keq. Prandaj, edhe për këtë dua që në emër timin dhe të të gjithë shokëve të mi veprimtarë të çështjes kombëtare nga komuna e Kaçanikut, të kërkoj FALJE!
I kërkoj falje gjithë kombit shqiptar dhe Kosovës sonë, që kemi lejuar që disa delikuentë me veprimet e tyre, madje në emër të fesë, të sulmojnë Kryeheroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin, me të cilat veprime, dhe jo vetëm me to, po na e qesin faqen e zezë.
Gjatë historisë, Kaçaniku, shpesh, ka qëndruar edhe heshtur, nuk është përmendur ndonjë kohë të caktuar, por kurdo që emri i tij është zënë në gojë është përmendur për të mirë e për heroizma. Edhe këngë i janë kënduar, si rrallë ndonjë qyteti tjetër në Kosovë. Kaçaniku ka qëndruar krenar përballë çdo stuhie. Me gjenerata e gjenerata jemi munduar që flamurin ta mbajmë lart dhe ia kemi dalë. Por, këto ditë flamuri ynë ka rënë përtokë. Na e cenuan krenarinë tonë, askush tjetër, por bijtë tanë, dhe e bënë këtë kinse në emër të fesë.
Ne në Kaçanik shumica jemi myslimanë dhe e kemi praktikuar e nderuar fenë islame, por kurrë askënd s’e kemi fyer ose sulmuar në emër të saj. Feja për ne gjithmonë ka qenë personale. Çështja kombëtare dhe liria ishin shqetësimi ynë i përbashkët. Gjatë jetës sime kam përjetuar shumë gjëra të rënda, por turpin e këtyre ditëve asnjëherë. Tjetërkush i sulmonte heronjtë tanë dhe historinë tonë. Prandaj, në emër timin dhe në emër të shokëve të mi bashkëveprimtarë, kërkoj falje publikisht që nuk kemi qenë sa duhet vigjilentë dhe që lejuam që Kryeheroi ynë, frymëzimi ynë për liri e shtetndërtim të përdhoset me fjalë e me gjeste!
Veprimet e injorantëve na bënë të skuqemi para Kosovës sonë e më gjerë e para heronjve tanë. Veprimet e tilla jo vetëm që duhet t’i dënojmë, por edhe duhet t’i ndalojmë menjëherë!
Kaçanik, 3 korrik 2014
Hebib Shehu, veprimtar

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat