Në kujtim të një gjenocidi që vazhdon

Opinione

Në kujtim të një gjenocidi që vazhdon

Më: 3 korrik 2014 Në ora: 14:44

Çamëria kjo pasqyrë e dhembjes së kombit dhe atdheut shqiptar,me rreth 10 mijë km.-katrorë sipërfaqe dhe popullsi në ditët e saja-gati tërësisht shqiptare, u dënua që moti me zhbërje në formë e përmbajtje dhe mënyrën më tragjike të mundshme nga shovinistët grek.

Mbi këtë pjesë fatkeqe të etnisë tonë u zhvillua një nga gjenocidet më të tmerrshme që njeh historia e popujve ballkanik dhe evropian.

Në fakt, veprimet e dhunshme greke dhe dëbimet me forcë të shqiptarëve nga Çamëria, kanë nisur edhe më herët dhe nuk kanë pushuar asnjëherë, qysh me copëtimin e trojeve tona dhe mbetjen e saj jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë londineze.

Kurse, të gjithë arsenalin masiv të urrejtjes antishqiptare mbi çamët e pambrojtur, shovinistët grek do ta zbraznin pa asnjë kursim në fillim-qershorin e vitit 1944. Kjo ishte goditja më shkatërrimtare, fatale dhe më e rënda që mbahet mend kundër shqiptarëve autokton të Çamërisë.

Atëbotë, nga forcat kriminale-militare të Zervas, brenda pak ditësh u masakruan në mënyrat më barbare me bajoneta, çekanë, hanxhar e sopata, mbi 5000 njerëz, djem, vajza, nuse shtatzëna, burra, gra, fëmijë dhe pleq çam, kurse pjesa tjetër u dëbua me forcë e disa të llahtarisur nga përgjakja e çdo gjëje shqiptare u detyruan të iknin siç mundën natën dhe ditën drejt kufijve jugor të Shqipërisë administrative, për të gjetur shpëtim.

Ndaj edhe në rezolutën e miratuar më 30 qershor të vitit 1994, Tragjedia Çame me të drejtë konsiderohet gjenocid dhe që atëherë, data e 27-qershorit kujtohet si dita e tragjedisë më të madhe kombëtare, nga forcat shoviniste greke të Zervasë dhe militarëve tjerë shovinist e kriminel-grek, në fund të Luftës së Dytë Botërore mbi shqiptarët e pambrojtur dhe banorët më të vjetër autokton të Çamërisë.

Vuajtjet e shkaktuara ndaj gjithë të syrgjynosurve çam edhe sot ekzistojnë të ngulitura thellë në kujtesën e bashkëkombësve kudo, kurse emrat e një pjesë të të vrarëve dhe të masakruarve nga mijëra sosh sa pësuan në këtë tragjedi, u gdhendën me dhembje në epitafet e varrezave monumentale në Qaf Botë.

Në këtë vendë,vitin e kaluar u ngrit edhe një Memorial përkujtimor në shenjë nderimi për ta, pa mundur të bëhet ndonjë gjë më e madhe për të vdekurit as të mbijetuarit si dhe pasardhësit e tyre shqiptar.

Organizimi i tubimeve kushtuar datave si kjo, assesi nuk duhet të kuptohet vetëm si rit dhembjeje nga pasardhësit për etërit e masakruar, por si grishje rikujtuese drejtuar Greqisë dhe politikanëve shqiptar për gjenocidin e ushtruar ndaj bashkëkombësve tanë,si përgjakja më e madhe shoviniste greke mbi kombin dhe historinë tonë,e cila nuk mund të mplaket as vjetrohet kurrë.

Çështja Çame, pa marrë parasysh kohën dhe vitet e kaluara, ajo do të ruhet dhe mbijetoj përgjithmonë në zemrat dhe mendjet e çdo shqiptari, jo vetëm si kujtim por si problem i pazgjidhur historik, kombëtar e ndërshtetëror me Greqinë, i cili nuk do të pushoj kurrë së ekzistuari, deri në zgjidhjen adekuate të tij.

Me rastin e 70 vjetorit të kësaj ngjarje nga më tragjiket të popullit tonë, ftoj bashkatdhetarët e të gjitha trojeve etnike, që tu bashkohen përpjekjeve gjithëkombëtare për çuarjen përpara të Çështjes Çame, e cila me unifikimin e të gjitha forcave në vend të paktën për sa i takon kësaj çështje, ajo patjetër do të gjejë zgjidhjen e duhur, të mbetur pezull për kaq vite.

Njëkohësisht, kauza për mbrojtjen e identitetit kombëtar, ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës amtare, duhet të vazhdoj të jetë më e fortë se çdo përpjekje tjetër, për asimilimin e shqiptarëve të Çamërisë, të cilët sot jetojnë në Shqipëri, Turqi dhe në Greqi, ani pse ata, përveç në vendin amë, si në Turqi, aq më pak në Greqi, asnjëherë në qindra vitet e kaluara, nuk guxuan të flasin dhe deklarohen shqip.

Mbështetja kryesore, në radhë të parë duhet të vije nga vet shqiptarët dhe dy shtetet e tyre; Shqipëria dhe Kosova të cilat kanë obligim kushtetues dhe kombëtar e institucional që tu dalin në ndihmë çamëve të dëbuar përdhunshëm, me të gjitha forcat dhe mundësitë shtetërore, institucionale dhe diplomatike që kanë.

Duke pasur parasysh, këto dhe shumë detaje tjera, të thëna e të pathëna mbi gjenocidin ndaj çamëve të pambrojtur, 27 qershori i vitit 1944, assesi nuk guxon të mbetet thjesht vetëm një ditë kujtimi në kalendarin e dhembjeve të mëdha kombëtare, por pikë së pari duhet të shërbej si argument i pamohueshëm për ndërkombëtarizimin e fakteve të krimit helen ndaj bashkëkombësve tanë, dëbimin e pa drejt të çamëve dhe zgjidhjen sa më të shpejtë të Çështjes së Çamërisë.

Fatkeqësisht, gjenocidi grek mbi shqiptarët, me apo pa vetëdije, ende vazhdon të mbetet "tabu-temë” dhe problemi më i pa-trajtuar kombëtar, ndaj është koha e fundit që Çështja Çame, gjithsesi të nxirret nga sirtarët e pluhurosur të diplomacive të fjetura kombëtare e ndërkombëtare dhe të fillojnë përpjekjet serioze për zgjidhjen përfundimtare të saj, ngase ajo është reale, ekziston dhe nuk mund të mohohet, minimizohet as nëpërkëmbët më nga askush.

Si Greqia, ashtu Evropa dhe Bashkësia Ndërkombëtare, më në fund duhet ta kuptojnë se me gjithë tendencën gjenocidiale-shumëvjeçare greke, për zhbërjen e tërësishme dhe asimilimin e përgjithshëm dhe me çdo kusht të qindra mijëra shqiptarëve të të dy besimeve fetare që kanë jetuar dhe ende jetojnë në Çamëri, shqiptarët çamë ende ekzistojnë.

Përkundër ndalimit të gjuhës, kulturës dhe identitetit etnik, Atdheu, Gjaku dhe Kombësia e Çamëve Shqiptar, kurrë dhe asnjëherë nuk do të mund të mohohen nga kushdo qoftë.

Madje jam i bindur se në këtë tragjedi e cila falë heshtjes sonë kombëtare dhe asaj të bashkësisë së gjerë ndërkombëtare ende vazhdon, nuk do të funksionoj çdo gjë krejt ashtu siç planifikuan ata, përkundër arrogancës së pashembullt gjenocidiale të shovinistëve grek, që për më tepër se një shekull me këmbëngulje të shfrenuara, para syve të botës demokratike, ushtrojnë shtypjet më të egra të mundshme dhe të paprecedent mbi shqiptarët.

Ndaj,merrni guximin dhe thoni përfundimisht stop kësaj katrahure, ballafaqohuni më në fund me realitetin që ende kërkon shqyrtim, gjykoni të paktën një herë gjenocidin grek dhe përmirësoni padrejtësitë e gjata ndaj çamëve-kësaj pjese më të vuajtur të popullit tonë, ktheni ata në vendet, pronat dhe shtëpitë e veta-të mohuara si dhe pranoni të drejtat e tyre, ashtu siç parashihen në aktet evropiane dhe ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut, të cilat nuk do duhej që edhe në këtë shekull, të bëjnë përjashtim vetëm për shqiptarët në Çamëri dhe kudo qoftë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat