Qeveria e hapur për përgjime!

Opinione

Qeveria e hapur për përgjime!

Nga: Kimete Berisha Më: 3 korrik 2014 Në ora: 08:08

Se sa e vetmuar, e izoluar, e varfër, e papërfillshme, e pafuqishme, pa institucione, e mjerë dhe depresive ka mbetur Kosova, e vëren më mirë kur ndodhesh larg saj.

I sheh një grup meshkujsh të dobët që qe 15 vite e shfrytëzojnë dhe e mbajnë peng Kosovën. Pa përjashtim, me pasuri të dyshimta, me fonde të dyshimta, me shkolla të dyshimta. Çdo gjë që e kanë arritur, e kanë arritur me kërcënime, kombinatorika, me lojna të pamoralshme.

E shikon përbërjen e Parlamentit, i gjen ata bosat e vjetër, që kanë kaluar vite në burg për krime, e mbasi e kryejnë burgun për krime, bëhen deputet.
E qysh të dënuarit për krime i lejohet të bëhet deputet?

E sheh haxhi Lutfi Hazirin me vath në sisë, shokun e SHIK-ut, që gjithë ditën e lume flet si Kryetar i botës. Tash së fundi u lëshu'edhe në profilizimin neuro-psikiatrik dhe psikologjik të kundërshtarëve.
Kur flet haxhiu i dehur nga pushteti dhe nga birrat, heshtin të gjithë, e hesht edhe Isa Mustafa, se e ka parë pretendent kryesor për t'ia zënë vendin e Kryetarit të LDK-së në shtator.

E sheh Edita Tahirin, e obsesionuar deri në maje të kresë, që shkon në Bruksel, as s'dihet me kë do të takohet, as pse po shkon, veç vishet, mbathet, lyhet e ngjyhet kallamaz, me buzë e me dhëmbë e kuq- kuq deri te veshtë për me shku me fol për barrikadën e reformuar të Serbisë në veri të Mitrovicës!

Enver Hoxhaj, ministër i ngushllimeve të jashtme, s'flet bash kur duhet.
Nuk e tha asnjë fjalë për informatën e sotit që flet se edhe Kosova bashkë me Shqipërinë janë përgjuar nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA).
Lidhur me këtë përgjim diçka duhet me thënë. Enver Hoxhaj e ka shansin t'i fus hundët në histori, nëse del e thotë 'është i mirëseardhur përgjimi', se qeveria s'kanë çka fshehin në telefon dhe prandaj është transparente dhe e hapur për përgjime.
Edhe ashtu francezët nuk i zë as Amerika, se telefonia mobile Vala, përjashta reklamës së PTK-së, në realitet është e Monakos.

E sheh Hajredin Kuçin kah shpurdh e shet mend edhe në këtë situatë kur e ka punën me ulë kokën deri te gjunjtë.

Hashim Thaçi mund të përfitojë nga komplimenti më i madh që e ka marrë në jetë, kur Joe Baden e krahasoi me George Washingtonin.
Kur i erdhi koha që të pensionohej nga politika, George Washingtoni iu kthye punës në plantacionet e tij të kuajve, iu kthye shtëpisë së tij të fëmijërisë dhe jetës prozaike.

Ditë për ditë e sheh Ramush Haradinajn në shorce duke vrapuar (pa humbur kohë), e ekzaltimi për shansin që mund të bëhet Kryeministër e ka bërë të duket si jashtëtokësor.

Si jashtëtokësore po duket edhe Kosova, sot, në ditën ndërkombëtare të UFO-ve.

Presidentja e Kosovës, deri më tani është sjellur si pjesëtare e SHIK-ut, kurrë pa ja prishur qejfin Hashim Thaçit, dhe kurrë pa e marrë përgjegjësinë mbi vete për asgjë.

Hajredin Kuçi tha sot se Gjykata Kushtetuese me vendimin për mandatarin, e ka fuqizuar Presidenten.
Do me thënë rasti i Presidentes qenka rast i hapur, dhe Gjykata Kushtetuese paska të drejtë, sipas nevojës ta 'fuqizojë' apo 'të çfuqizojë' rolin e Presidentes!
Ajo se paska të shkruar se si duhet të veprojë, por paska hapësirë për redaktim dhe fuqizim të punës së saj nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Këta janë pjesëtarët e të së njejtës bandë, dhe e fuqizojnë njëri-tjetrin bash si ua do qejfi, sepse s'ka kush t'ua prish qejfin.

Nuk ka Kosova luks që t'i lejojë hazarderët e të gjitha partive politike pa përjashtim të luajnë 'ngilas' dhe 'fshehtas' me të.
Se, momentalisht, të gjithë, madje edhe VV po luan me Kosovën!

Asgjë nuk po ju ka hije.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat