Vrasja e Tan Santos i intereson mafies shtetrore

Opinione

Vrasja e Tan Santos i intereson mafies shtetrore

Nga: Nga Edison Ypi Më: 30 qershor 2014 Në ora: 16:50

San Tanto është ai që ngriti bankën. Bankën ku ke qef të hysh. Edhe kot, edhe pa asnjë lek në xhep. Thjesht për të parë, për të bërë dallimin. Mes asaj karraktinës gjith’ zhul e pisllëk që quhej “Arka e Kursimit” e cila brenda nuk kishte as arkë, as kursime, as kursimtarë, dhe as pare, dhe bankave moderne llamburitëse të kohës së sotme ku hyjnë e dalin me mijëra.
S’ka vend më të përshtatshëm se banka e San Tantos për të konstatuar se shqiptarët kalitalizmin dinë jo vetëm ta admirojnë duke e kqyrur, por edhe i futen në thellësi, e kuptojnë dhe e zbatojnë, duke e shndrruar pakngapak, nga kapitalizëm me shpirt ndërdhëmbë dhe brek’ nëpër këmbë, në kapitalizëm që punon, funksionon, jep-e-merr, bashkpunon. Me të eturit për biznes së pari. Ata që duan, dinë, janë të talentuar, janë të shkolluar, të vullnetshëm, dhe marrin prej bankës para me kredi, dhe kanë sukses, ngjiten, pasurojnë veten dhe vendin, mbajnë gjallë shpresën. Por edhe me ata që nuk duan, nuk dinë, nuk munden, nuk kanë energji, nuk kanë aftësi, talent, dhe për pasojë me bankë-pa bankë janë të destinuar të marrin tatëpjetën.
Për t’ja arritur kësaj, pra për ta ngritur dhe mbajtur bankën, San Tanto s’pyeti për vështirësi. San Tanto nuk u ankua kurrë si bëjnë ca llapaqena që kujtojnë se mund të pasurohen me llafe dhe intriga, duke uluritur për shtetin, për politikën, rendin, drejtësinë, moszbatimin e ligjit. San Tanto ndoqi thënien popullore “po i bie gjatë që të më dali më shkurt”, pra ndoqi rrugën më të gjatë dhe më të vështirë. Vuri në lëvizje mendjen, uli kurrizin, punoi, gëk s’bëri, dhe bankën e ngriti.
Vetëm kaq s’do ishte kushedi se çfarë, dhe ky shkrim as do ja vlente.
Në Shqipëri ka parti, partiza, të majta, të djathta, të qëndrës, koalicione, shoqata, organizata, institucione, që flasin e bërtasin, zhurmojnë e nakatosin, thonë kështu e ashtu, bëjnë këtë e atë, e jo rrallë s’bëjnë asgjë.
Asnjë prej këtyre partive, partizave, shoqatave, organizatave, institucioneve, që veç tjerash, shpenzojnë edhe goxha para’, nuk ka arritur deri më sot të bëjë diçka që t’i ngjajë bankës së San Tantos.
San Tanto është ai që bashkë me bankën, bëri diçka shumë-shumë më të madhe se banka dhe të mirat e bankës, diçka të vetme dhe të pangjajshme në historinë e Shqipërisë.
Bashkë me bankën, San Tanto arriti të mpiksi diçka gjithpërfshirëse, diçka që të ketë kuptim integral, të ngjalli interesim tërësor, të jetë vlerë kombëtare, të pakushtëzuara nga frymëzimi politik, besimi, dhe të tjera kushte.
Përmes bankës, San Tanto ja arriti ta ndërtojë dhe ta bëjë funksionues, një oaz jete mes shkretërirës së vlerave, një ishull bashkimi mes oqeanit të sherrit.
Sipas të gjitha gjasave, banka e San Tantos, ishte, është dhe do mbetet edhe për shumë kohë, i vetmi tempull ku do hyjnë e do dalin pa teklif të gjithë shqiptarët, të majtë e të djathtë, të qëndrës dhe të skajeve, shoqata e organizata, muslimanë e kaurrë, pasanikë e fukarenj, borgjezë e proletarë.
Janë përpjekur t’i bashkojnë shqiptarët me mjetë të forta, me anë të shpatës, dajakut, kërrbaçit, kamxhikut, si dhe me vegla të buta, furçe me qime të bardha lepuri frikacak, përmes Artit, letërsisë, diturisë, politikës etj. Të gjitha këto përpjekje kanë rezultuar të dështuara, me rezultate qesharake, jo rrallë edhe dramatike.
Fetë e dynjasë janë Kisha, Xhamia, Pagoda, Sinagoga dhe të tjera.
Shqiptarit i kanë thënë, dhe sa duket shqiptari e ka besuar, se Feja e tij nuk është as Kisha as Xhamia, por një gjë tjetër, tepër e rëndësishme, por pa lidhje me fenë, shqiptaria.
Këtë fill kapi San Tanto.
Për San Tanton, Feja është Feja, shqiptaria është shqiptaria, arti është arti, letërsia është letërsia, politikë është politika, secila bën punën e vet.
Për ta bërë funksionuese dhe të qëndrueshme mardhënien e shqiptarit me shqiptarinë, fenë, artin, letërsinë, politikën, San Tanto përdori një çimento që i lidh dhe i mban të bashkuara të gjitha. Kjo çimento ështa parja.
Ky është gjenialiteti i San Tantos, zgjedhja e pares për çimento.
Tingëllon e çuditëshme, madje e pamundur, që askush para San Tantos nuk e kishte vënë re një gjë të thjshtë; faktin se gjatë shekujve, shqiptari është vrarë e prerë shumë më tepër për pare se për çdo gjë tjetër, atdhe, dashuri, besë, nder, kisha e xhamia, art e letërsi.
Me anë të pareve, pra me anë të bankës, San Tanto ja arriti ta krijonte një ishull shqiptarie, modest për nga përmasat, të lartë nga cilësia.
A mund të vritej San Tanto ?
San Tanto nuk mund të vritet, kurrën e kurrës.
San Tanto është i pavdekshëm.
Më kollaj rrafshohet Korabi, Gramozi, Tomorri, më lehtë thahet Adriatiku se cënohet San Tanto.
San Tanton s’ka plumb që e prek. San Tanton s’ka suzuk që e kap. San Tanton s’ka mafie që e vret.
Sepse, si e thotë dhe vet’ emri, San Tanto nuk është biznesmen, San Tanto është Shenjtor.
Tan Santo është, në fakt ishte, shumë më i ndryshëm nga San Tanto.
Tan Santo ishte një shqiptar jashtëzakonisht puntor, shumë inteligjent, tepër dinamik, si dhe diskret dhe diplomatik. Ca thonë që Tan Santo ishte çun tirone. S’është e vërtetë. Tan Santo ishte çun elbasoni. Ka që thonë se Tan Santo s’ishte fare shqiptar por, nisur nga mbiemri, spanjoll, ndoshta dhe pak hebre’.
A mund të vritej Tan Santo ?
Po, Tan Santo mund të vritej, si u vra.
Tan Santos halabaku i afrohet. Se në bllok s’merret vesh kush është halabak.
Tan Santon suzuku e kap. Se polici që ndodhet aty pranë e ka mendjen të blloku i gjobave dhe nuk është fort’ i interesuar çfarë bëhet aty rrotull.
Tan Santon plumbi e prek, se policia e shtetit e sheh suzukun pa targa rrotull makinës së Tan Santos, por mendjen e ka në Lazarat ku shteti i policisë në pamundësi për të pushtuar ndonjë shtet tjetër, eksperimenton si mund të pushtohet një fshat shqiptar.
Tan Santon mafia e vret, se vrasja e Tan Santos mafies i leverdis.
A mund të shpëtohej Tan Santo ?
Po, Tan Santo mund të shpëtohej.
Por ta shpëtoje Tan Santon nga halabaku, suzuku, mafia, plumbi, policia, duheshin bërë paraprakisht disa gjëra të tjera që nisën ters që në fund të -90-ës dhe po përtoj t’i rendis, po ja lë lexuesit t’i marri me ment vet’.
Sa të ndreqet ç’u bë nga gabim nga ’90-a e tëhu, mafia do vrasi, suzukat do ndjekin, plumbat do godasin.
Nuk e mbrojtëm dot dhe nuk e ngjallim dot Tan Santon.
Të paktën të respektojmë San Tanton

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat