Letër e hapur drejtuar kryeministrit të Kosovës

Opinione

Letër e hapur drejtuar kryeministrit të Kosovës

Nga: Nurishah Knushaj, New York Më: 7 qershor 2014 Në ora: 10:16

Këto ditë janë ndërtuar teatrot më të mëdha botërore, fushata juaj elektorale. E spektatorët janë verbuar nga madhështitë e premtimeve të dhëna nga ju dhe sera juaj. Te gjithë ne kemi jetuar mjerimin dhe jemi mjeruar duke i plakur ditët në një pamundësi. Një jetë të tërë të përndjekur, një jetë të tërë që s’kemi folur.


Ne, nuk jemi zgjedhur të durojmë fatin tonë. Jemi të zgjedhur të rebeluar, për drejtësi, për prosperitet, për ardhmëri, për liri, për shtetin e ligjit, për lirinë e fjalës. Ju jeni në rrugën tonë, Despot i mallkuar, na lërë të qajmë malin e të bëhemi një, në një të vetme Kosovë të lirë, siç e ëndërruam dikur.


Hipokrizia e juaj mori dhenë, madje ka kaluar edhe kufijtë e botës, ti i paraprinë të gjitha stereotipave të poshtërsive botërore që enden të lirë e nuk e njohin botën e lirisë, ti je një paragjellë e shekullit të madh ku te gjithë humben jetën dhe ti u lumturove që mbete i gjallë, se do të të mbeste kafshata e të gjithëve në duar e s’do ta ndaje me kënd, zaptues monopolist!


Ndoshta do të jesh ngopur deri më tani, djersa e të gjithëve të rëndon, sikur e di se ç’është rëndimi, ndërgjegje të kesh pasur ndonjëherë. 


Nën pushtetin tënd të gjithë ne kemi marrë rrugët e botës, se ti na e more lirinë e fjalës, veprimit,vetëvendosjes, na i more të gjitha, fundërrinë!


Kosova, gjithë këto vite peng në duart e tua. Baballarët tanë janë vetëvrarë nga mjerimi që ke krijuar, të rinjtë janë arratisur, jetët janë plakur e lodhur deri në një rimëkëmbje. 


Është koha që ju të zhdukeni! Tashmë e kuptuam perse e luftuat armikun? Sepse e donit Kosovën për vete, për perandorinë tënde që e ndërtove në kurriz të popullit të cilët i mjerove në themel, e se kanë as bukën e gojës. E jo për popullin, jo për lirinë, jo për idealin e shokëve të tu që u vranë, të vraftë udhëheqja jote, mallkuar qofsh!

Fjala është frikë, e frika është fjalë. Ndoshta ju dini më mirë se unë. Ndoshta jeni i shkalluar në kufomën tënde historike. Dhe unë më nuk trembem!


Gjashtë vite në gjumë. Të zgjuar dhe të fjetur, ndoshta të fjetur më shumë. Gjashtë vite të lënë në mëshirën tënde, të harruar në egoizmin tënd, të vetëvrarë nën lëmoshën tënde, të urryer me njeri- tjerrin nën thundrën tënde. Ik, se boll na more jetën. Ik, se na i more të gjitha, e mbi të gjitha na e more lirinë që baballarët tanë dhanë jetën për të. Është koha që të ikni!


Ne të gjithë do të ja nisim nga e para. Na lere të fillojmë një jetë të re, pa ju. Na lërë të ndjekim rrugën tonë drejt transparencës tranzicionale e të bëhemi të zotët e vetvetes. Edhe në këtë lëkurë të rrjepur tërësisht, do të rigjenerohemi prapë, se shekujt na rigjeneruan, por pa ju. Ne jemi më të fuqishëm se ju, më shumë se ju. Ju tashme jeni i vdekur, në memorien tonë, tradhtarë. Ata që të shoqëruan në këtë spektakël dyfytyrësie merri me vete, kthehuni ne origjine! Ne jemi më shumë se ju dhe kësaj radhe do të të mundim.


A thua e shoh një dritë shprese me në fund, a thua mund të kthehem në atdhe?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat