Prilli, muaji i kujtimeve për sakrificën, flijimet dhe heronjtë e Kosovës..!

Opinione

Prilli, muaji i kujtimeve për sakrificën, flijimet dhe heronjtë e Kosovës..!

Nga: Hafiz Gagica Më: 18 prill 2014 Në ora: 22:37

Me 19 prill bëhen 15 vjet qëkur Sali Çekaj ra heroikisht në fushën e betejës, në Kosharen legjendare, aty ku u shkrua historia e re e Kosovës dhe e Shqipërisë, aty ku u zhbë pika kufitare që i ndante shqiptarët pamëshirshëm, ndonëse Saliu me disa patriot e kishte mësue rrugën e thyerjes së kufirit që nga viti 1991, në kohen kur ishin vu bazat e përgatitjes dhe të konsolidimit të vetëmbrojtjes territoriale të Kosovës si dhe grupeve të para guerile për rezistencë dhe luftë të armatosur.

Saliu me punën dhe veprën e tij u bë pjesë e historisë së re shqiptare, jo duke fol për historinë, por duke punuar pa reshtur për atdhe. Ai me angazhimet e tij do jetë shembull i sakrificës, besimit, mobilizimit, vetëmohimit, solidaritetit dhe ideatorit të luftës së armatosur, ai ishte njeri fjalë pak e punë shumë, ishte mik dhe njeri besnik, ishte i veçantë në punë dhe në veprime.

Unë, për 8 vite të bashkëpunimit të ngushtë me të, kam pasur kënaqësinë dhe nderin të punojmë bashkërisht dhe të koordinohemi gjithnjë rreth punëve kyçe pa ndonjë hezitim apo kundërshti, qoftë edhe simbolike, sepse Saliu ishte njeri i urtë, i qetë, i vëmendshëm, i guximshëm, i vendosur në qëndrimet e tij politike, sidomos kur bëhej fjalë për shporrjen e armikut nga Kosova.
Andaj, kujtimi ynë për të do të jetë i përjetshëm derisa të ketë shqiptarë në këto troje dhe kudo që ata jetojnë, ngase ai me punën e tij heroike dhe sakrificën e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ka hy në historinë shqiptare si çlirimtar dhe si hero, duke dhënë gjën më të shtrenjtë, jetën e tij, për Kosovën që ne sot ta gëzojmë lirinë dhe pavarësinë e saj..!

Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe respekti ynë për veprën e heroit tonë kombëtar, Sali Çekajt!

Prishtinë më 19.04.2014

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat