Kim Mehmeti dhe Zgjedhjet në Maqedoni

Opinione

Kim Mehmeti dhe Zgjedhjet në Maqedoni

Nga: Musa Lamallari (Tim Shkupi) Më: 18 prill 2014 Në ora: 22:32

“Kohëve të fundit publicisti Kim Mehmeti po deklarohet haptazi se është kundër sistemit unitarist, kundër partive unitariste shqiptare, gjë që nuk është në kudërshtim me vizionin shqiptar dhe konceptin politik të veprimtarëve të Diasporës. DSHM-ja e ka parasysh se Kim Mehmeti qendrimet e veta politike i thotë nga këndi i publicistit, ndaj nëse beson në refuzimin e sistemit unitarist, refuzimin e partive dhe rigrupimeve që legjitimojnë këtë sistem, kërkon ndihmë të merr vesh se cili krah i PPD-së, i akterëve të vjetruar në moshë do i shërbejë BDI-së, e cili PDSH-së? DSHM-ja mund ta ndihmojë në këtë aspekt dhe t’i ofrojë bashkëpunim Kim Mehmetit sikurse secilit shkrimtar që refuzon partitë unitariste shqiptare në Maqedoni.”

Kështu patëm shkruar disa javë më parë kur Kim Mehmeti thoshte se "PPD u erdhi shqiptarëve si lugat me dy koka, ende pa u ringjallur u copëtua"

Tani shqiptarët e Maqedonisë janë në kampanjën parazgjedhore, kurse përfolja se Kim Mehmeti do të jetë bartës i listës në Njësinë numër 1 nga radhët e RDK-së, është njëjtë sikurse përfoljet tjera në çdo ciklus zgjedhor, prandaj nuk u realizua edhe nga shkaku se Kim Mehmeti e ka të ndaluar nga “Top Channel” të merret aktivisht me politikë, edhe pse jashtë politikës ai nuk mund të ekzistojë as si shkrimtar as si publicist, sepse çdo shkrim dhe status i tij në facebook është rreth politikës dhe partive shqiptare në Maqedoni.

Kur shkruan për ndonjë ngjarje, kur ndonjë shqiptarit i shkelet e drejta elementare njerëzore ose ekzekutohet pa gjyq, duket se Kim Mehmeti është i vetmi zë i arsyes tek shqiptarët e Maqedonisë, i cili bëhet aktual pothuajse në shumë televizione dhe media tjera elektronike. Mirëpo, realiteti është krejtësisht ndryshe, sepse zëri i arsyes dhe i shqiptarëve të lirë është i ngulfatur pikërisht nga sehirbazët e disa mediave të lidhura me Kim Mehmetin si në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Në një hulumtim më të thellë do të shohim se janë lidhje të klasës politike ku Kim Mehmeti angazhohet prej tyre si publicist dhe me pagesë për të ndërtuar opinione në favor të tyre.

Prishja e tij me Ali Ahmetin ka ardhur si rezultat i koalicionit VMRO-BDI në vitin 2008, kurse ndarja përfundimtare ka qenë në vitin 2010, ku Kim Mehmeti, pas ekzekutimit barbar të 4 shqiptarëve në Radushë nga policia e Maqedonisë, i ftuar si analist në RTK për këtë vrasje makabre, që tronditi shqiptarët e Maqedonisë dhe më gjerë, duke pikuar “lot dhimbje” u kërkoi falje shqiptarëve publikisht për përkrahjen që i ka dhënë Ali Ahmetit si komandant dhe si lider partie ku në koalicionin e parë BDI-LSDM, vetë Kim Mehmeti ushtronte postin e zëvendësdrejtorit në Televizionin e Maqedonisë, të cilin post e braktisi brenda 6 muajve si shenjë revolte për mos ecjen e punëve sipas planit.

Prej ndarjes me Ali Ahmetin e deri më sot Kim Mehmeti mundohet të kërkon vendin e vet në politikën shqiptare në Maqedoni, edhe pse kur pyetet nga gazetarët konvencional çdoherë përgjigjia e tij është se “unë jam shkrimtar dhe analist, jam prind dhe nuk kam interes të involvohem direkt në ndonjë parti”. Pengesa kryesore e tij për t’u involvuar në politikë janë lidhjet e tij të vjetra me komunistët e konvertuar në demokratë, siç është LSDM-ja, e cila për momentin është në opozitë dhe po paguan çmimin e politikës anti-shqiptare të instaluar me ndarjen e Maqedonisë nga Jugosllavia në fillim të viteve 90-ta. Tjetër pengesë për Kim Mehmetin janë lidhjet e tij me komunistët e vjetër dhe të ri shqiptar në Maqedoni (i vjetër, Ali Aliu, me lidhje në Prishtinë dhe Tiranë, kurse komunistët e ri përfaqësohen nga Teuta Araifi, një kryekomunare e Tetovës, që është e afërt me komunistin envero-stalinist të Ali Ahmetit.)

Si shkruan Kim Mehmeti në Facebook?

“Me mijëra miq të kësaj faqeje më pyesin si të veprojnë të dielën?! Tani kur na përçanë, kur partitë tona nuk patën forcë e guxim t’i kundërvihen këtij sistemi që lejon majorizimin etnik, kur hapur na dëshmuan se jemi në duart e maskarenjve dhe të shërbëtorëve të VMRO-së, duhet të dëshmojmë se ne dhe vota jonë nuk janë pronë e partive. Këtë mund ta dëshmojmë vetëm nëse e përdorim fletëvotimin, madje edhe duke e vënë nënshkrimin tonë në to, si shenjë se jemi gjallë, se nuk na është shterur guximi, se jemi koka që dinë të mendojnë e të kuptojnë!”

Ky ishte statuti i Kim Mehmetit në FB për rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ku prej 3 kandidatëve ishte një kandidat shqiptar me emrin Iljaz Halimi. Opozita Shqiptare e kupton qëndrimin e Kim Mehmetit, por nuk mund ta kupton, kur një parti opozitare sikurse është PDSH, ta fusë me një thes me BDI-në, e cila pothuajse është në qeveri më shumë se 10 vite, pastaj mosrealizimi i premtimeve janë përgjegjësi e BDI-së dhe jo PDSH-së. Sa herë që kritikon BDI-në, Kim Mehmeti e sulmon pa të drejtë PDSH-në dhe anëtarësinë e saj, kuptohet ai e shef si pengesë kryetarin e saj, z. Menduh Thaçi dhe vepron me stilin “Për inat të rejës, më vdektë djali” Një shkrimtar që mendon së është mendimtar, me frazën e njohur të tij “Se të bashkohen tokat, duhet bashkohen kokat”, nuk është aspak i sinqertë, sidomos nuk është i sinqertë ndaj opozitarëve shqiptarë, që nuk janë anëtarë të asnjë partie, por thjeshtë janë opozitarë për shumë shkaqe dhe arsye, por më shumë janë opozitarë se gjendja është e patolerueshme dhe duan ta sfidojnë diktaturën e faraonit Ali Ahmeti, që ka monipolizuar sehirbazët mediatik duke indoktrinuar trurin e masave në stilin e Faraonit, si simbol i fuqisë politike në emër të UÇK-së dhe Marrëveshjes së Ohrit. Karuni, rrjeti dhe oktopodi i tij krimial, si simbol i pasurisë dhe ekonomisë, që kërcënon të drejtën elementare për punësim dhe afarizëm. Dhe Balam Ba Ura, selefistët ose hoxhallarët, të cilët janë mburoja morale e Faraonit të BDI-së, që e kanë monopolizuar fenë për interesa të dunjasë! Për shembull, njëri grabit kokën e masave, i dyti u vjedh xhepat, e i treti u pëshpërit në vesh: Mos u mërzit, vëlla! Qetësohu, nesër Zoti do ta zgjedh problemin tënd". Këto tre simbole, deri në rrëzimin dhe fundosjen e Faraonit me “car Dushanin” në lumin e Bardharit, gjithmonë do të luftojnë me racën e Musas, Isas dhe Muhamedit, që janë një njësi e vetme: racë njerëzore kundër tiranisë së regjimit dhe pushtetit të korruptuar në Maqedoni.

Është koha e fundit Kim Mehmeti të largohet nga lidhjet e tij me LSDM-në, të pozicionohet kundër komunistëve integrist sikurse është kryekomunraja Teuta Arifi, të bëhet opozitar i mirëfilltë shqiptar, të bëhet realist dhe pragmatik, përkrahës i ndryshimeve, të ndihmojë rotacionin ose revolucionin shqiptar në Maqedoni, të mos luaj ping pong, pra, të dal hapur në përkrahje të mikut të tij Xhezair Shaqiri – Hoxha, pasi është opozitar dhe bartës i listës në Njësinë 2 nga radhët e RDK-së, të ftojë të hamendurit, miqtë e tij të BDI-së të votojnë për opozitarin Xhezair Shaqiri – Hoxha, të mbrohet vota dhe verdikti i qytetarëve, sesa të ofrohet ndonjë nënshkrim mbi fletëvotim, sepse kështu nuk sfidohet politika vasale e Ali Ahmetit, por ndihmohet vasaliteti i tij në qeverinë e ardhshme 4 të Gruevskit.

Duhet të tejkalojmë vetveten, të kthehemi në realitet, të gjithë liderë nuk mund të bëhemi, duhet të tjetërsohemi pak, të kthejmë verdiktin e qytetarëve shqiptarë, pasi një veprim i këtillë i disiplinon liderët të binden se vullneti opozitar i qytetarëve shqiptarë është çdoherë më i madh se vullneti i partive në pushtet, prandaj duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë një gjë: Prej se kur Menduh Thaçi është kryetar i PDSH-së asnjëherë nuk ka qenë në pushtet, por ka qenë Arbër Xhaferi dhe veprimet e Menduh Thaçit kanë qenë nën hijen e tij.

Si opozitë shqiptare në Maqedoni nuk i themi askujt të japë votën për Menduh Thaçin si individ, por si opozitë, e ju që e keni inati, nuk u detyrojmë, as nuk u themi, por do të ishte shumë më e ndershme të rreshtoheni dhe t’ia jepni votën Rufi Osmanit, edhe atij jo si individë, por si opozitë, pavarësisht se jeni pak dhe silleni rreth e rrotull Almakosit, edhe kjo votë e juaj opozitare mund ta sfidojë vasalitetin e Ali Ahmetit. Çdo gjë tjetër është defitizim, një fetishizim i kultit të faraonit në Maqedoni, që ju me veprimet e juaja, jo që demtoni miqtë e juaj opozitarë si Xhezair Shaqiri – Hoxha dhe Rufi Osmani, por tregoni besnikërinë më të madhe ndaj komunistëve të Ali Ahmetit dhe LSDM-së.

Prandaj, urdhëroni e mos u bëni shpirtngushtë, inatçor dhe tregonie veten se vërtetë jeni opozitarë dhe jo klan interesi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat