Ngulfatja e rinisë

Opinione

Ngulfatja e rinisë

Nga: Shkruan: Arbresha Asllani Më: 10 prill 2014 Në ora: 13:18

Niveli i ulët i zhvillimit dhe shkalla e lartë e papunësisë si shkaktare kryesore të varfërisë në Kosove e ngulfasin dita-ditës rininë tonë. Rinia është begatia më e çmueshme e një kombi. Një komb pa një rini të shëndoshë nuk ka perspektivë të ndritur. Rinia e popullit shqiptar ka kohë që gjendet në udhëkryqet e saja.
Kjo rini është kapërthyer brenda një konfuzioni, apatie dhe të horizonteve të paqarta. Janë të shumtë faktorët që po ndikojne në gjendjen e rinisë sonë.
Rinia jonë po kalon momente shumë të vështira dhe ndodhet në një udhëkryq të madh. Kërkon të ndërtojë të ardhmen e saj, por ndeshet me shumë probleme të cilat shpesh janë shumë të vështira për t’u zgjidhur.
Të rinjtë në Kosovë janë forca dinamike e zhvillimit të proceseve ekonomike dhe social. Megjithatë, papunësia e madhe në mesin e të rinjve është një çështje sfiduese që kërkon angazhimin më të madh në adresimin e saj.
Kosova është një nga vendet me popullsinë më te re jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Evropën: gjysma e kosovarëve është më e re se 25 vjeçare dhe 60 për qind janë nën moshën 35 vjeçare.
Për këtë, shumë kosovarë të rinj mundohen t'i “shpëtojnë” gjendjes pasive dhe pa shpresa përmes emigracionit në shtetet perëndimore, disa e kalojnë shumicën e kohës me tepricë në kafene ose me aktivitete të tjera, ndërsa një pjesë shikon në angazhimin me aktivitete ilegale, bredhin rrugëve, konsumoin drogë, mundësinë e vetme për të krijuar standarde të mira jetese dhe kështu po prijmë në listën e shteteve më të korruptuar të rajonit!
Ndërsa, një përqindje e të rinjve futen në partitë politike,jo nga besimi, por vetëm për të siguruar një vend pune.
Ky problem përfshin dhe absolventët e universitetit, që megjithëse afër titullit akademik vazhdojnë të jenë të varur nga prindërit nga ana financiare. Por, edhe ata persona fatbardhë që pas shumë vështirësive ose ndërmjet lidhjeve që njohin, arrijnë të gjejnë një vend pune, duhen të kënaqen me rroga tepër të ulta.
Kështu që është shumë normale, që kjo gjeneratë, e cila duhet të fillojë ndërtimin e jetës, karrierës, nëse nuk gjen zgjidhje këtu , jo vetëm që të kërkojë ikje nga këtu, por ndoshta të kërkojë forma të zgjidhjes përmes rebelimit apo përmes shqetësimeve dhe protestave të ndryshme.
Vështirë të jetohet në një vend ku nuk mund të sigurosh as kafshatën e gojës e as të sigurosh strehë mbi kokë. Paradoksi tjetër është se mund të jesh jurist i diplomuar, por punën e bën të kamarierit, shankistit, pastruesit etj.
Sidoqoftë, shteti duhet të shtrijë dorën mbi këtë rini dhe t'ua lehtesojë rrugën e punësimit dhe përparimit ekonomik dhe ta profilizojë secilin prej tyre në bazë të mirëqenies socio-ekonomike, që përbën bazën e çdo shoqërie e që është familja.
Duket qartë se politika në vend është para interesave të subjekteve politike sesa ndaj interesave të popullit të Kosovës. Çdo herë më shqetëson fakti se askush nga institucionet e vendit tonë nuk merren me çështjet që na preokupojnë ne si rini e Kosovës, që fjala jonë të dëgjohej në instancat më të larta të shtetit.
Si shembull kryesor mund ta marrim ditën e Evropës, kjo ditë që anëkënd Evropës festohet, ndërkaq tek ne kjo ditë nuk ka mbetur edhe shumë për t’u festuar. Të rinjtë tanë këtë ditë bredhin rrugëve duke protestuar në shenjë pakënaqësie ndaj institucioneve tona, të cilat aspak nuk merren me problemet dhe hallet që e preokupojnë rininë tonë!
Derisa politikanët në Kosovë shpesh përdorin thënie si “rinia është ardhmëria jonë”, zëri i rinisë është harruar. Ata nuk janë të angazhuar në procesin vendimmarrës, madje as në vendimet lidhur me rininë.
Fryma rinore është gjaku më i pastër i çdo vendi dhe shteti. Kjo rini ka nevojë për përkujdesje shtetërore, ka nevojë për arsim dhe të mos mbetet pa perspektivë, e kufizuar, e ndarë me urrejtje. Ne, si rini, jemi e tashmja dhe e ardhmja e vendit, andaj institucionet e Kosovës duhet të bëjnë diçka më shumë për rininë dhe fjala e tyre të dëgjohet çdokund. Pres që sa më shpejt rinia ta kalojë ketë krizë që e ka kapluar dhe ne të jemi si bashkëmoshatarët tanë të shteteve të zhvilluara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat