Koha për të thënë "lamtumirë"!

Opinione

Koha për të thënë "lamtumirë"!

Nga: Kimete Berisha Më: 4 prill 2014 Në ora: 17:34

Nëse edhe "pavarësia e Kosovës" u gjykua nga Tribunali i Hagës e s'u bë nami, atëherë kush është Xhavit Haliti që të mos verifikohet nga një Gjykatë, si i dyshuar për krime kundër njerëzimit!
Dick Marty i (KE-ja), i akuzon për krime lufte ata shqiptarë që nuk kanë luftuar për lirinë e Kosovës, por që në emrin dhe uniformën e UÇK-së kanë qenë tregtarët e luftës dhe thesi i pareve të fondit "Vendlindja thërret".
Ata nuk janë heronjë.
Janë pasanikët milionerë të Kosovës, para dhe pasluftës, të pasuruar shpejt, të "diplomuar" shpejt, të bërë "politikanë" e deputetë, urgjentisht, shpejt.
Luftëtarët dhe komandantët e vërtetë të UÇK-së, ose janë vrarë duke luftuar për lirinë e Kosovës, ose kanë shpëtuar të plagosur, janë braktisur nga shteti (pushteti i korruptuar i Kosovës), i kanë lënë rrugëve të papunë e të mjerë, në depresion të thellë nga dëshpërimi, demoralizimi, demotivimi dhe varfëria.
Kur thotë Departmenti Amerikan i Shtetit, "bëje Tribunalin" se ta bën Rusia e Serbia me Rezolutën fantazmë 1244, (OKB), ti s'ke pse mendon dy herë.
Bëje!
Kush është ai shqiptar që i dhimbset sot Xhavit Haliti, nëse e çojnë nesër lidhur në atë Gjykatë!
Shërbimi sekret gjerman më 2004 ka treguar kush është çifti i atij tipi. Ka treguar edhe raporti sekret i NATO-s.
Pse Xhavit Haliti me shokët e tij fshihen pas UÇK-së është misterie tjetër!
Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është Xhavit Haliti, as Shaip Muja. Edhe nëse janë fajtorë, edhe nëse s'janë fajtorë, ata nuk mund ta dëmtojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nuk do të gjykohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por individë të caktuar që supozohet se në emër të luftës e kanë keqpërdorur, dëmtuar dhe tradhtuar luftën e pastër të UÇK-së.
UÇK është e paprekshme!
Kryeministri Hashim Thaçi, për opinionin ndërkombëtar të Euronews ka treguar se "nuk ka qenë në frontin e luftës", kurse për "opinionin" e Blendit ka thënë që "ka qenë në frontin e luftës dhe ka luftuar me pushkë në dorë".
Këto deklarata janë anormale! Ka shkuar megalomania e tij aq larg sa që kujton se francezët nuk ia përkthejnë versionin shqip për "luftën" në front të Kryeministrit.
Nëse Kryeministri Thaçi nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë publikisht më 2010 (kur u bë e ditur akuza e Dick Martyt), se do ta padisë Dick Martyn për shpifje, atëherë pse ta mbajnë fjalën ata që e kanë këshilluar ta injorojë akuzën e KE-së!
Injorimi i kundërshtarit është armë, por është armë primitive, për muze!

(Marrë nga blogu i saj në Facebook)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat