Fillojnë punimet në asfaltimin e rrugës Botushë - Koshare (Foto)

Gjakova

Fillojnë punimet në asfaltimin e rrugës Botushë - Koshare (Foto)

Më: 6 korrik 2016 Në ora: 19:48
Pamje nga ceremonia

Kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, ka marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve për asfaltimin e rrugës Botushë – Koshare.

Kryetarja Kusari – Lila ka thënë se kjo rrugë ka rëndësi të madhe jo vetëm historike, por edhe për zhvillimin e turizmit në këtë zonën kufitare të Koshares.

“Kjo është rrugë shumë e rëndësishme për komunën e Gjakovës, për shumë arsye. E para sepse kjo zonë paraqet një prej betejave më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një kompleks memorial që ngërthen në vete histori të madhe. Gjithashtu paraqet një potencial shumë të madh të aktivizimit të zonës, për rritjen e aktivitetit turistik e natyrisht edhe zhvillimin ekonomik të zonës”, ka thënë Kusari – Lila.

Po ashtu, ajo ka shprehur vullnetin e komunës së Gjakovës për përkrahjen e projekteve të tilla të karakterit zhvillimor.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës Lufti Zharku, ka thënë se pret që e tërë rruga të asfaltohet deri me 31 tetor të këtij viti.

Po ashtu, Zharku ka pranuar se qeverisja qendrore është vonuar në rregullimin e kësaj rruge si dhe të shtegut memorial, por megjithatë ka premtuar se kësaj radhe puna e nisur do të shkojë deri në fund me seriozitetin më të madh.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe deputeti Anton Quni, njëri prej komandantëve kryesor të Betejës së Koshares. Në cilësinë e veteranit të kësaj beteje, deputeti Quni ka shfaqur kërkesën e tij që ky projekt të përfundojë sa më shpejtë, në mënyrë që familjarët e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e betejës së Koshares ta kenë një qasje më të lehtë në Kompleksin Memorial.

Kjo rrugë në gjatësi 8.4 kilometra, është një investim i ministrisë së Infrastrukturës, e cila fillimisht ka zotuar një shumë prej 700 mijë eurosh. /A.M.

Image
Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat