Prodhuesit e grurit kërkojnë lehtësime nga Qeveria për prodhimet e tyre

Ekonomi

Prodhuesit e grurit kërkojnë lehtësime nga Qeveria për prodhimet e tyre

Më: 24 qershor 2016 Në ora: 19:06
Ilustrim

Shoqata e Bujqve Prodhues të Grurit është takuar sot me ministrin e Financave Avdullah Hoti dhe atë të Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami.

Siç thuhet në një komunikatë të Shoqatës së Bujqve gjatë takimit është diskutuar rreth përgatitjeve për korrjet e këtij viti. Me theks të veçantë Shoqata e Bujqëve Prodhues të Grurit të Kosovës ka prezantuar para zyrtarëve qeveritar problemet me të cilat ballafaqohen prodhuesit e grurit në Kosovë dhe njëkohësisht kanë kërkuar përkrahje më të madhe nga qeveria për këtë kategori të bujqve duke vënë theks të veçantë në rëndësinë e prodhimit të kësaj kulture pasi që kjo, gruri konsiderohet si produkt strategjik”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, gjatë takimit është potencuar fakti se politikat bujqësore qeveritare duhet të fokusohen në drejtim të përkrahjes së prodhuesve të grurit për t’u rritur prodhimtaria e grurit në përgjithësi dhe të arrihet momenti ku Kosova do mund të siguronte 100 përqind të nevojave për grurë dhe kështu të ulte apo eliminonte varshmërinë nga importi.

Është diskutuar për problemet e ndryshme me të cilat ballafaqohen bujqit e Kosovës siç janë problemet me konkurencën jolojale që vjen nga importi i grurit në rajon, informaliteti i lartë në këtë industri në tregun e Kosovës si dhe për mundësinë e ndryshimit të mënyrës së subvencionimit të grurit në Kosovë. Është kërkuar që të përkrahen të gjithë bujqit e Kosovës duke iu krijuar kushte të barabarta sikurse edhe bujqit në rajon.

Ministrat Bajrami dhe Hoti kanë premtuar se do të përkushtohen më shumë për t’i përkrahur bujqit e Kosovës si dhe se do e shqyrtojnë çdo propozim i arsyeshëm që vjen nga Shoqata. “Është vendosur që takimet e tilla të vazhdojnë të mbahen shpesh në mënyrë që Ministrat të jenë më pranë bujkut dhe ti orientojnë politikat qeveritare bujqësore drejt përkrahjes sa më të madhe të zhvillimit të Bujqësisë së Kosovës”, thuhet në njoftim

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat