Lule Ravioli

Ushqime

Lule Ravioli

Më: 16 qershor 2016 Në ora: 17:23
Lule Ravioli

Përbërësit:

Për brumin në ngjyrë të gjelbër: 125 g miell i ashpër 150 g miell normal 2 kokrra vezë pak vaj ulliri 125 g hithra të freskëta 200 ml qumësht

Për brumin ngjyrë portokalli: 4 karota mesatare 125 g miell i ashpër 150 g miell normal 2 kokrra vezë pak vaj ulliri

Për mbushjen: 250 g gjizë ose djathë Philadelphia 100 g hithra të freskëta 1 kokërr vezë kripë piper i zi pak vaj ulliri nenexhik i freskët ose i tharë

Gjithashtu duhet: 1 e bardhë veze për lyerje pak miell për hapjen e raviolëve 50-60 g gjalpë 1 lugë çaji nenexhik i tharë

Përgatitja: Për të përgatitur brumin në ngjyrë të gjelbër, në fillim përvëlojmë hithrat në ujë me kripë. Pastaj i hedhim në një tenxhere me qumësht dhe i lëmë të ziejnë derisa të zbuten plotësisht e qumështi pothuajse të avullojë. I kalojmë në mikser dhe i grijmë derisa të përftojmë një pure. Në një tas shtojmë dy llojet e miellit, i përziejmë dhe hapim një gropë ku do të hedhim purenë e hithrës pasi të jetë ftohur, apo edhe nëse është e vakët, por në asnjë mënyrë të nxehtë. Hedhim edhe vezët, kripën, pak vaj ulliri dhe me to zëmë brumin, i cili nuk duhet të jetë shumë i fortë, por as shumë i butë.

Brumin e mbështjellim me qese kuzhine dhe e lëmë të pushojë. Pas kësaj, për brumin ngjyrë portokalli vendosim karotat të ziejnë në avull ose me pak ujë. Pasi të kenë zier, i kalojmë në mikser bashkë me ujin e tyre ose, nëse i kemi gatuar në avull, u hedhim vaj ulliri dhe pak qumësht që të përftojmë një masë homogjene. Edhe në këtë rast do ta zëmë brumin njësoj si vepruam edhe më lart me brumin e gjelbër. Ndërkohë që të dyja masat e brumit i lëmë të pushojnë, përgatisim mbushjen. Hithrat i përvëlojmë që më parë (ndoshta që kur përgatisim ato të brumit të gjelbër), i grijmë imët me thikë ose i kalojmë në mikser. Më pas i përziejmë me të gjithë përbërësit e tjerë me një lugë druri, duke e rrahur mirë masën.

Fillojmë të hapim brumin e gjelbër në tavolinën e punës të lyer me miell. Trashësia e tij nuk duhet t’i kalojë 2-3 mm, ndërsa me një gotë të madhe presim disa forma rrathësh. Çdonjërin prej rrathëve e palosim në formën e një pesëkëndëshi. E kthejmë pesëkëndëshin nga ana tjetër dhe në mes hedhim pak mbushje. Me anë të një furçe kuzhine lyejmë anët e saj me të bardhë veze dhe e palosim si në foto për t’i dhënë formën e një petaleje (Duhet shumë kujdes për këtë proces dhe ndoshta dy-tre të parat do të shkojnë dëm derisa t’ia merrni dorën). Në mes mund të vendosni një pjesëz nga brumi ngjyrë portokalli për t’i dhënë pak ngjyra.

Për këtë mund të hapni pak brumë ngjyrë portokalli, ta prisni në formë rrathësh të vegjël, ta lyeni mesin me të bardhë veze dhe ta vendosni aty. Kjo do të shërbejë edhe si mbyllje hermetike që mbushja të mos dalë jashtë. Secilën prej luleve e vendosim me kujdes mbi një mbulesë të pastër e të spërkatur me miell. Në të njëjtën mënyrë veproni edhe me masën tjetër të brumit. Pjesët e mbetura të brumit punojini edhe njëherë dhe mund t’i ruani në ngrirje dhe t’i përdorni për një supë me taljatele ose mund të bëni një brumë dekorativ me dy ngjyra.

Këto lloj ravioli mund të gatuhen në një tenxhere me avull, si për shembull, ato me disa kate. Zierja me avull zgjat rreth 35-40 minuta. Më pas, vendosni në zjarr një tigan dhe hidhni gjalpin. Pasi ai të jetë nxehur, shtoni nenexhikun e tharë. Në fund ndajini raviolët nëpër pjata dhe shërbejini me gjalpin e aromatizuar. Sipas dëshirës, mund të grini edhe pak djathë të bardhë ose kaçkavall.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat