Nënë e bijë me 35 kg hashash në makinë

Kronikë e zezë

Nënë e bijë me 35 kg hashash në makinë

Më: 13 qershor 2016 Në ora: 16:23
Ilustrim

Tri tentativa dërgimi droge nga Shqipëria drejt Greqisë u zbuluan dje, ku një prej rasteve u zbulua në doganën tonë dhe 2 të tjera përtej kufirit.

Nga një kontroll në pikën doganore të Kakavijës, u arrestua me 3 kg heroinë një 39-vjeçar nga Fieri. Ai po e dërgonte drogën me makinë drejt Greqisë.

Në një rast tjetër, policia greke ndaloi në Kostur dy gra, nënë e bijë, të cilat pas mbërritjes bosh në Shqipëri po ktheheshin drejt shtetit të tyre me jo pak por 35 kg hashash, të cilin e fshehën në bagazhin e makinës. Në rastin e tretë u zbuluan 22 kg kanabis në një kamion që sapo kishte kaluar doganën shqiptare.

Heroinë në kroskot

Nga Policia e Shtetit u njoftua dje se ra në pranga një person që udhëtonte me tre kilogramë heroinë drejt Greqisë me destinacion Europën.

Është arrestuar në flagrancë një i ri nga Libofsha e Fierit. ndërsa droga ishte e fshehur në kroskotin e automjetit tip “Benz Mercedec Vito” me targa AA 538 MM, mjet i cili drejtohej nga Lulzim Bosnja, 39 vjeç. Ai është vënë nën akuzë për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe pritet që të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas hetimeve, droga është zbuluar pas kontrollit të automjetit me skaner në doganën e Kakavijës nga ku janë pikasur 6 pako të mbështjella me naterban të veçuar me nga 500 gr heroinë.

I pyetur për drogën dhe destinacionin e saj, shoferi Lulzim Bosnja s’ka dhënë asnjë përgjigje për policinë, por aktualisht po ekzaminohet telefoni i tij për të parë kontaktet dhe zbulimin e ndonjë grupi të mundshëm trafiku narkotikësh. Mësohet se edhe pala greke është vënë në dijeni në lidhje me këtë rast, me qëllim hetimin e përbashkët të linjës së plotë të këtij rrjeti të dyshuar narkotikësh. Theksi mendohet se është vënë pikërisht mbi pritësit e drogës.

Nënë e bijë me hashash

Një grua e moshës 52 vjeçe dhe një tjetër 34 vjeçe, nënë e bijë, janë arrestuar nga zyrtarët e Departamentit të Narkotikëve në rajonin e Mesopotamisë të Kastorias, për trafik dhe posedim të drogës. Siç mësohet nga mediat greke, policia i ndaloi ato për t’ua kontrolluar makinën private dy grave. Gjatë kontrollit, policia ka gjetur në bagazhin e makinës, disa pako me kanabis.

Droga ishte ndarë në 39 pako, me një peshë totale prej 35 kg. Policia greke shprehet se kjo sasi droge ishte marrë në Shqipëri, ku u ble nga dy gratë. Më tej droga ka arritur në terrenet malore të Kastorias (Kosturit), në kufirin greko-shqiptar. Një hetim paraprak për rastin është kryer nga Departamenti i Narkotikëve të Kosturit, ndërsa dy gratë do të sillen pranë Prokurorisë.

Drogë në kamion

Një kamion i mbushur me lëndë narkotike të llojit marijuanë me targa shqiptare është kapur nga policia kufitare greke në vendin e quajtur Kallpaq pak kilometra larg doganës së Kakavijës. Në mjetin e drejtuar nga një 29 -vjeçar shqiptar, i cili u vu në pranga, u gjetën të fshehura 40 pako me 22 kg marijuanë, 300 euro dhe 2 celularë.

Trafikanti i drogës është marrë në pyetje nga policia greke, por deri më tani, nuk ka pranuar të tregojë as vendin ku ishte furnizuar me drogë dhe as pritësit e lëndës narkotike. Edhe për këtë rast, policia greke dyshon se bëhet fjalë për një rrjet të organizuar që merret me trafikimin e drogës nga Shqipëria në Greqi.

 
 
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat