Helmim masiv në restorant, 18 në spital, bllokohet restoranti në “Bllok”

Kronikë e zezë

Helmim masiv në restorant, 18 në spital, bllokohet restoranti në “Bllok”

Më: 3 qershor 2016 Në ora: 15:59
Ilustrim

18 qytetarë janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar në një lokal në zonën e ish-Bllokut dhe një pjesë e tyre janë shtruar në spitalin infektiv në QSUT.

“Kishin marrë nga një sallatë çezar dhe siç dëgjova nga një picë pikante. Erdhi në shtëpi e këputur, i filloi diarreja, e këputur, me një temperaturë të lartë. Gjendja u përkeqësua edhe më shumë me kalimin e kohës. Me të vërtetë që ishin shumë rëndë. Sot kanë ardhur me 40 me temperaturë”, thotë një e afërme e dy pacientëve.

Mjekët thonë se disa prej pacientëve janë paraqitur me simptoma të rënda të helmimit dhe 10 prej tyre janë shtruar, ndërsa 8 të tjerë kanë marrë shërbim mjekësor dhe janë larguar.

“Ne i quajmë toksikoinfeksion dhe gastrointerite, me shqetësime si temperaturë të vjella, diarre. Investigimi na çon në konsumin ndoshta edhe të një tip ushqimi të vetëm që shkon në me këto forma helmimesh”, shprehet Prof Dr.Arjan Harxhi , mjek infeksionit.

Burime nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se nga analizat paraprake rezulton se pacientët janë helmuar nga kontaminimi i ushqimit me salmonelë. Inspektorati Shtetëror Sanitar ka bërë bllokimin e menjëhershëm të lokalit në zonën e ish-bllokut deri në daljen e rezultateve përfundimtare të analizave.

Në lidhje me helmimin e këtyre pacientëve po hetohet edhe për një tjetër lokal në Ibë, pasi disa prej pacientëve kanë qenë rezidentë atje dhe më pas kanë konsumuar ushqim në lokalin në zonën e ish-Bllokut.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat