Gruaja që jetoi në tre shekuj feston sot ditëlindjen

Ndryshe

Gruaja që jetoi në tre shekuj feston sot ditëlindjen

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 18:22

Gruaja që shikoni në foto mbush sot 116 vjeçe. Ajo ka jetuar në tre shekuj, sepse ka lindur në 29 nëntor të vitit 1899. Quhet Emma Morano dhe banon në Verbania, Itali.

Gruaja shekullore ka marrë sot urime nga presidenti italian, kryetari i bashkisë ku jeton, madje edhe bekimin e Papës. Pak ditë më parë, ajo është vizituar edhe nga një delegacion japonez, i cili i ka sjellë urimet dhe dhuratat e një tjetër njeriu shekullor, Nabi Tajima, 115 vjeç.

Emma ka jetuar në tre shekuj. Ajo ka lindur atëherë kur Italia drejtohej nga një mbret dhe kampionati i futbollit sapo ishte shpikur. Gruaja është dëshmitare e një bote pa radio, pa telefona dhe internet, madje këto të fundit sot e ka shumë të vështirë t’i konceptojë.

Shtëpia e saj gëlon nga nipërit e mbesat dhe prej disa muajsh, një ndihmëse kujdeset për të ditë e natë.

Ema është më e madhja e pesë motrave dhe tre vëllezërve. Katër të tjerat kanë vdekur pa mbushur 90 vjeçe. Nëna e saj ka jetuar 91 vjet, ndërsa tezja 101.

Sekreti i jetëgjatësisë së saj nuk dihet, por specialistë të Universitetit të Harvardit kanë marrë një kampion të ADN-së së saj për të gjetur një përgjigje.

Ata që kujdesen për të thonë se e moshuara nuk ha shumë, por nuk i mungon asgjë. Ajo që nuk harron asnjëherë është konsumimi i tri vezëve të pagatuara çdo ditë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat