Pesë pyetje në ndihmë të zgjidhjes së stresit financiar

Ndryshe

Pesë pyetje në ndihmë të zgjidhjes së stresit financiar

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 17:36

Çdo njeri merr vendime të vështira financiare çdo ditë, por shumica prej nesh nuk mendojnë gjithnjë logjikisht kur vjen puna për mënyrën si i shpenzojmë paratë. Kur shohim gjendjen e llogarisë bankare, më pas na zë paniku.

Nuk është çudi që paratë mbeten burimi më i madh i stresit për shumicën e njerëzve. Çfarë mund të jetë më shqetësuese sesa të mos kesh para për t’u ushqyer të nesërmen apo për të mos paguar qiranë?

Ja cilat janë pesë pyetjet që duhet t’i bëni vetes çdo herë që ndërmerrni një vendim të rëndësishëm financiar.

A mund ta përballoj?
Nëse do t’ju duhet të merrni para borxh, atëherë me shumë gjasa nuk mund ta përballoni. Megjithatë ka përjashtime. Disa njerëz mund të argumentojnë se kreditë e edukimit dhe të strehimit janë të domosdoshme.

Por edhe atëherë duhet të mendoheni gjatë përpara se të nënshkruani për një borxh afatgjatë. Bëni mirë që të angazhoheni më së shumti me gjëra që mund t’i shlyeni menjëherë. Shumë njerëz zhyten në varfëri, pa pasur mundësi të shpëtojnë prej saj, duke marrë borxhe të pamundura për t’u shlyer. Nëse mundeni, mësoni të jetoni paksa nën të ardhurat tuaja për të shmangur çdo lloj stresi.

Mënyra më e mirë për të shpenzuar?
Le të themi se keni marrë një bonus të majmë nga kompania ku punoni. A duhet të blini një orë të bukur apo të shkoni me pushime? Kjo varet nga prioritetet tuaja financiare. A i keni paguar të gjitha detyrimet e mëparshme? A keni gjashtë muaj shpenzime në fondin e emergjencës? A keni investuar në libra të mirë edukues këtë muaj?

Është shumë e rëndësishme që të prioritizoni se ku do t’i shpenzoni paratë, veçanërisht kur bëhet fjalë për sasi të limituara. Pasja e një buxheti, ju ndihmon shumë.

A do t’ju bëjë më të lumtur?
Nga një perspektivë shumë egoiste, duhet të pyesni nëse do t’ju bëjë diçka të lumtur dhe për sa kohë? Shumë njerëz u gëzohen eksperiencave më tepër sesa gjërave materiale. Nëse ju jeni një prej tyre, atëherë vajtja në një udhëtim do t’ju bëjë më të lumtur sesa blerja e një ore të re të kushtueshme.

Po ashtu, ka njerëz të cilët lumturohen më shumë duke bërë dhurata dhe për këtë arsye i japin prioritet kësaj lumturie afatgjatë. Por, nëse shpenzoni paratë për diçka që ju bën të ndiheni mirë vetëm përkohësisht, atëherë përpiquni të qëndroni larg.

Do ta përmirësojë jetën e atyre që dua?

Pasi të keni menduar për lumturinë personale, duhet të pyesni veten se si një vendim i rëndësishëm financiar, do të ndikojë te jeta e një personi tuaj të zemrës.

Nëse keni një familje, çdo vendim juaji financiar prek jetët e të tjerëve. Për shembull, nëse blini një shtëpi të madhe, ju u jepni fëmijëve më shumë hapësirë për të luajtur. Por kjo njëkohësisht ju fut në një borxh më të madh, për të cilin do të punoni më shumë dhe më gjatë për ta shlyer, duke u qëndruar fëmijëve larg. Cilën anë të medaljes do të zgjidhni?

Përse e dua këtë gjë?
Ndoshta, pyetja më e rëndësishme prej të gjithave është përse. Përse doni ta bëni atë blerje? Cila është arsyeja e dëshirës suaj? Nëse blini një shtëpi të madhe, është kjo sepse doni një shtëpi me shumë dashuri apo sepse ndiheni të vegjël nëse nuk keni gjëra të mëdha?

Nëse blini një “Ferrari”, është kjo sepse doni vërtet të udhëtoni shpejt apo sepse ndiheni të ngecur në një pikë të jetës suaj? Duke parë motivet, gjithashtu do të kuptoni se sa qesharake është ndonjëherë ajo që doni. Mund t’ju ndihmojë gjithashtu të kuptoni se diçka nuk shkon me jetën tuaj.

Ka disa gjëra që nuk mund të blihen me para. Por, për disa gjëra duhet të filloni të punoni. Përgjatë rrugës suaj për të kërkuar lumturinë, mund të shihni shumë gjëra stresuese, por nuk duhet të lejoni që të gjeni shkarkimin e stresit duke blerë gjëra. Është pikërisht paqëndrueshmëria financiare ajo që ju ka stresuar edhe më tepër.

Zbuloni atë që ka më shumë rëndësi në jetën tuaj dhe zhvillojeni më tej në mënyrë që të ndërtoni një mur mbrojtës rreth jetës suaj, pa pasur frikë se një ditë paratë do t’ju mbarojnë dhe do të mbeteni mes katër rrugëve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat