Kopshtet e varura: Kur shpëtimi i metropoleve gjendet mbi çati (Foto)

Ndryshe

Kopshtet e varura: Kur shpëtimi i metropoleve gjendet mbi çati (Foto)

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 18:15

Kopshtet e varura kanë një histori shumë të lashtë. Në fillim ishte Babilonia, më pas çatitë e gjelbra skandinave dhe islandeze, e madje edhe tarracat e parqeve italiane. Pas disa shekujve në harresë, arkitektët, peizazhistët, botanistët dhe natyralistët, rizbuluan teknikën e lashtë të çative të gjelbra, e cila u bë një ikonë projektimi ndër më të populluarat në fund të shekullit të njëzetë dhe të mijëvjeçarit të ri.

Qytetet dhe territoret e betonizuara, ndotja e ajrit, hapësirat e pakta të gjelbëruara ose të lëna pas dore, ngrohja globale … janë vetëm disa nga arsyet se përse po inkurajohet (synohet) përdorimi i kopshteve të varura (në tarraca, çati) në dy format e tyre, në ndërtesat me dizajno, por edhe në ato në proces rikonstruktimi.

Përfitim jo vetëm estetik

Përse 2700 vjet më pas, kopshtet e varura janë aq aktualë dhe të përhapur në çdo cep të planetit? Në Indi dhe Japoni, në Çikago, Singapor, Londër, Paris, Nju Jork, projektet që përfshijnë së bashku arkitekturën dhe natyrën, po bëhen gjithnjë e më të shumta, në kërkim të një cilësie më të mirë të jetës në metropolet e mëdha.

Arsyeja e një suksesi kaq universal shkon përtej aspektit estetik dhe piktoresk, ajo prek ekologjinë dhe ekonominë. Nuk mungojnë idetë gjeniale, të cilat i përkasin të ardhmes së Tokës dhe banorëve të saj.

Ambienti para së gjithash

Çatitë e gjelbra limitojnë “plakjen akustike” nëpërmjet thithjes së valëve zanore dhe reduktimit të përhapjes së tyre. Thithin edhe elektrosmogun: studimet e fundit konfirmojnë se mjaftojnë 15 centimetra substrat të një “kopshti të varur” për të kapur 94% të emetimeve të diapazonit të frekuencave të rrjetit celular dhe radiotransmetuesve. Nuk mbaron këtu. Të ashtuquajtur “Roof Garden” (“kopshtet e varura” apo kopshtet mbi çati-tarraca) ulin temperaturën e ambientit të jashtëm, duke rregulluar në mënyrë natyrale mikroklimën dhe duke reduktuar efektin “ishulli i nxehtësisë”: temperatura e një çatie të sheshtë në një ditë të nxehtë vere mund të arrijë në 80 gradë, por nëse çatia është e gjelbëruar, temperatura nuk i kalon të 25 gradët (55 gradë më pak!).

Gjithashtu, izolimi termik i garantuar nga një “kopsht i varur”, nuk krahasohet me asnjë material ndërtimi. Për më tepër, tarracat-kopsht mbajnë dhe akumulojnë nga 50 deri në 90% ujin e shiut dhe ia kthejnë atë ambientit nëpërmjet avullimit. Përparësitë e tjera të rëndësishme ekologjike kanë të bëjnë me thithjen e pluhurave dhe me krijimin e habitateve të reja për speciet, kafshët (sidomos shpendët shtegtarë) dhe për bimët. Nëse projektohen dhe realizohen në mënyrën e duhur, kopshtet e varura ofrojnë edhe përfitime funksionale: mbrojtje mekanike të shtresave të çative të sheshta, uljen e temperaturave të shtresave izoluese të çative / tarracave, si dhe mbrojtjen e veprimeve shkatërruese të sipërfaqeve më të ekspozuara.

Përfitimet ekonomike

Restaurimi kushton më pak: shtresa e papërshkueshme nga uji zgjat më shumë, për shkak se ajo mbrohet nga agjentët atmosferikë, nga rrezatimi diellor, si dhe ndryshimet e papritura të temperaturës. Kostot energjetike janë të hequra, sepse izolimi termik në dimër dhe freskimi në verë, lejojnë kursimin e konsiderueshëm të faturave për energji elektrike dhe gaz. Hapësira e përfituar mbi tarracat e ndërtesave mund të përdoret për mbjelljen e specave dekorativë, por edhe për kultivimin e produkteve bujqësore me çmime të përballueshme.

Fermat lundruese

Duke u nisur nga përdorimi i gjelbër utilitar dhe duke vazhduar me modelin e kopshteve mbi çati, një studio projektimi nga Barcelona ka ideuar një zgjidhje shumë ambicioze, e cila kombinon kulturën bimore, fermat e peshkut dhe panelet diellore: një fermë autentike lundruese për të prodhuar tonelata perime, peshk dhe fruta, çdo vit. Ideja do të ndihmonte në zgjidhjen e problemit të furnizimit me ushqim të shumë qyteteve të planetit, shumica e të cilëve janë ndërtuar në brigjet e deteve dhe oqeaneve ose përgjatë lumenjve kryesorë të lundrueshëm.

Arkitektët e “Forward thinking architecture” kanë krijuar Smart Floating Farms (fermat e zgjuara lundruese), “maune” të mëdha të hapura në det me nga tri kate!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat