"Mensa" po formohet edhe në Kosovë

Ndryshe

"Mensa" po formohet edhe në Kosovë

Më: 26 maj 2015 Në ora: 12:28

Komiteti Organizativ i themelimit të “Mensa Kosova”, më 2 dhe 3 qershor 2015, do të mbajë testimet në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK). Nëse do të kaloni limitin e kërkuar, do të merrni certifikatë të nënshkruar nga drejtori ekzekutiv i “Mensa International”.
Mensa u krijua në Angli në vitin 1946 nga Roland Berrill, avokat dhe Dr. Lance Ware, shkencëtar dhe gjykatës. Ata donin të bashkonin një shoqatë me njerëz të ditur dhe që kushti i vetëm për anëtarësim do të ishte inteligjenca e lartë.

Qëllimet kryesore të Mensa-s janë të krijojë një shoqëri jo-politike dhe të lirë nga të gjitha dallimet racore dhe fetare. Shoqëria mirëpret njerëzit ne çdo fazë të jetës , inteligjenca e të cilëve është në 2%-shin e popullsisë, me objektivin që të shoqërohen me njëri-tjetrin dhe të marrin pjesë në një rreth të gjerë të aktiviteteve shoqërore e kulturore.

Mensa ka tri qëllime të shpallura: të identifikojë dhe të kujdeset për inteligjencën e njeriut për përfitimet e njerëzimit, te inkurajojë kërkimet në natyrën, karakteristikat dhe përdorimin e inteligjencës dhe te nxisë stimulimin e mundësive intelektuale dhe sociale për anëtarët e saj.

Sot janë mbi 120.000 anëtarë në 100 shtete përreth botës. Ka gjithashtu organizata nacionale të Mensa-s në më shumë se 40 shtete në çdo kontinent.

Me iniciativën vullnetare të dy anëtarëve më të vjetër të Mensa International (MIL), Dr. Aziz Mustafa dhe Prof. Besnik Bislimi dhe me përkrahjen e anëtarëve të Projektit Atomi, disa prej tyre edhe anëtar të MIL, është formuar Komiteti Organizativ i themelimit të “Mensa Kosova” që ka punuar për disa muaj me radhë për organizimin e testimeve, të cilat do të mbahen me 2 dhe 3 qershor 2015, në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), nën mbikëqyrjen e Drejtorit Ekzekutiv të MIL, z. Michael Feenan dhe Psikologut Mbikëqyrës Kombëtar të caktuar nga Mensa, z. Florim Gallopeni.

Aplikimet kanë filluar dhe bëhen në zyrat e Projektit Atomi, Rr. Lidhja e Pejës, Nr. 73, Ish-Shkolla e Mesme Ekonomike, Kati IV, 10 000 Prishtinë. Mënyra e aplikimit dhe informatat gjenden në ueb-faqen www.mensa-ks.org dhe në telefonin 045999774.

Rezultatet e testit janë konfidenciale dhe do t’u komunikohen vetëm juve personalisht. Nëse keni kaluar limitin e kërkuar, do të merrni certifikatë të nënshkruar nga drejtori ekzekutiv i “Mensa International”.

Ju mund të bëheni anëtar i Mensa International, Mensa Kosova ose cilës do degë kombëtare të Mensa-s ose mund të mos bëheni fare, zgjedhja është e juaja! Mjafton ta dini se a keni I.Q. të lartë!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat