Udhëtimi që nuk ka mbaruar për adoleshentin e birësuar

Ndryshe

Udhëtimi që nuk ka mbaruar për adoleshentin e birësuar

Më: 3 maj 2015 Në ora: 19:15

Një 17-vjeçar që kërkoi publikisht të birësohej, apel që u bë shumë i përhapur në vitin 2013, ka zyrtarisht një familje të re. Davion Only-Going u birësua formalisht nga specialistja e tij e adoptimit, Connie Going, më 22 prill 2015. Në tetor të 2013-s, ai foli përpara një mbledhjeje kishtare në Florida për shpresat e gjetjes së një familjeje të përhershme. Së fundmi, ai mësoi se nëna e tij biologjike, që kishte qenë në burg që prej lindjes së tij, ka vdekur.

Djali kishte kaluar shumë kohë midis familjeve të përkujdesjes së përkohshme. “Emri im është Davion dhe unë kam ndenjur në shtëpi të përkujdesjes qëkur u linda”, tha ai. “E di që Zoti nuk ka hequr dorë nga unë dhe unë nuk do të heq dorë gjithashtu”, u shpreh ai.

Apeli i tij u bë shumë i njohur dhe kjo bëri që 10000 kërkesa për informacion t’i drejtoheshin agjencisë së birësimit ku ndodhej ai, por Davion nuk e gjeti familjen e përshtatshme. Një familje nga Ohajo e mori atë menjëherë, por më pas ndryshoi mendje kur djali u grind me një nga fëmijët e tjerë në shtëpi.

Tani, dy vjet më vonë, është zyrtare. Connie Going, specialiste birësimi që e ka njohur djaloshin prej dhjetë vjetësh, është nëna e tij. “Mendoj se ky është një fillim i një pjese të ndryshme të udhëtimit”, tha ajo. “Tani ne do të ecim përpara në jetë si një familje. E duam njëri-tjetrin dhe bashkë me këtë vijnë gjërat e mrekullueshme”.

Nëna 52-vjeçare, që ka tre fëmijë të tjerë, përfshirë një djalë që u birësua gjithashtu, thotë se procedurat e birësimit zyrtar kaluan aq shpejt, saqë ajo nuk e kuptoi si ndodhi procesi.

“Ti pret e pret dhe kur më në fund bëhet, gjithçka kalon shumë shpejt”, thotë ajo. “Por ishte një ditë e mirë. Ne ftuam këdo që na ka mbështetur. Dita ishte thuajse joreale. Nuk mund ta besonim që ishim një familje e vërtetë derisa jetesa bashkë filloi pas kësaj”.

Nëna birësuese dha gjithashtu një këshillë për këdo që synon të adoptojë një fëmijë. “Në sistemin e birësimit, e dimë se është më shumë se një person. Është e rëndësishme të dihet se ky lloj birësimi i një fëmije do të thotë të përqafosh të gjithë personat që janë tashmë të lidhur me atë fëmijë, përndryshe nuk funksionon”.

Në këtë kapitull të ri, sfida më e madhe për djalin e adoptuar Only-Going mund të jetë besimi te sistemimi i ri. “Kam qenë i përfshirë në sistemin e birësimit për aq gjatë dhe e di që mund të futem përsëri, por ndihem mirë për këtë që kam tani”, u shpreh adoleshenti.

Megjithatë, nëna birësuese Going thotë se ajo planifikon t’ia provojë djalit se e ka gabim dhe se ajo do ta mbajë për shumë kohë. “Kur ke qenë për aq gjatë në sistemin e birësimit, do gjithë jetën të fitosh besimin dhe sigurinë”, thotë ajo. “Nuk ka asgjë që ai mund të bëjë që mund të ndryshojë faktin se unë jam këtu për të dhe ne jemi një familje”, është shprehur ajo.

Për tani, 17-vjeçari është entuziast të jetojë jetën e një fëmije normal, duke shijuar disa prej privilegjeve që ai nuk mund t’i kishte në një shtëpi përkujdesje, si për shembull marrja e një patente. “Kam lejen time tani”, thotë Only-Going. Por cili është privilegji i tij më i ri dhe më i rëndësishëm? “Unë kam liri”.

Nëna e tij bie dakord se do të ishte mirë të rikrijohej një ndjesi normaliteti në shtëpinë e saj, tani që procesi i gjatë i birësimit ka përfunduar.

“Mikroskopi që të vihet kur je në sistem dhe hapja e shtëpisë për çdo kontrollues dhe punonjës social është një lloj stresi”, thotë ajo. “Tani që nuk ekziston më frika se ata mund ta marrin, kjo do të na ndihmojë të ecim përpara”.

Djali Only-Going thotë se ai shpreson se do të jetë një shembull për fëmijët e tjerë në sistemin e birësimit. “Dua që ata të mos e humbin shpresën”, thotë ai.

“Nëse vazhdon të besosh, të shtysh përpara, kjo mund të të ndodhë edhe ty. Por edhe nëse nuk ndodh, mos hiq dorë. Dhe për familjet që duan të birësojnë, sigurohuni përpara që e keni vërtet. Mos hiqni dorë. Kur e gjithë puna të ketë përfunduar, do të jetë gjëja më e mirë që ju ka ndodhur.”

Për djaloshin, kjo lloj shprese dhe vendosmërie do të përcaktojë jetën e tij. “Udhëtimi im nuk ka përfunduar ende”, thotë ai. “Gjithnjë e kam thënë se do të jem i suksesshëm me ose pa një familje”.

Sot, ai dhe nëna e tij e re janë të dy të lumtur që adoleshenti që preku zemrat e shumë njerëzve e ka një familje.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat