Kultivimi i kanabisit “para syve të policisë”: Ky është prodhuesi legal i marijuanës (Video)

Ndryshe

Kultivimi i kanabisit “para syve të policisë”: Ky është prodhuesi legal i marijuanës (Video)

Më: 27 prill 2015 Në ora: 14:53

Prej më tepër se 20 vitesh, Jeremy Moberg ëndërronte të kultivonte kanabis në dritën e diellit, pa u kërcënuar nga helikopterët, ose ndonjë arrestim i mundshëm. Tani që marijuana është e ligjshme në vendlindjen e tij, në Uashington, ai ka mundur ta realizojë ëndrrën e tij.

Vitin e shkuar, Moberg krijoi fermat “CannaSol” dhe mori licencën e kultivimit të marijuanës në Okanogan, një zonë rurale, rreth 4 orë në lindje të Siatëllit. I vetëquajtur si “një individualist i thekur”, ai është një nga 10 prodhuesit më të mëdhenj në shtetin e Uashingtonit. Që prej muajit korrik, kur marijuana u bë e ligjshme, ai ka fituar rreth 1 milion dollarë nga shitjet.

Megjithatë, kalimi nga kultivimi i një sasie të vogël të mbjellash, në kultivimin e bimës në një shkallë komerciale, nuk ka qenë i lehtë. Për të ruajtur cilësinë e produktit të tij dhe për të menaxhuar një fermë të qëndrueshme, ai është detyruar të bëhet biznesmen – ka ndërtuar marrëdhënie me tregtarë, ka ruajtur buxhetin, ka organizuar punën me njerëz dhe ka është informuar vazhdimisht për politikat ligjore dhe rregullore të tjera, me ndikim në këtë industri.

Këto ditë, transmeton Shekulli, ai ka punuar për orë të tëra dhe shpesh ka dalë në terren, në përpjekje për të qëndruar një hap përpara në tregun e ri dhe konkurrues të punës.

“Ditari” i jetës së tij të përditshme

6:30

Zgjohem dhe shoqëroj vajzën 9-vjeçare për në shkollë. Me përfaqësuesin e shitjeve, Tyler, ha mëngjesin dhe nisem për në qytet.

8:17

Arrij në fermë. E kam ndërtuar fermën një vit më parë. Shumica e licencave në vendin tim janë lëshuar tepër vonë për kultivuesit. Mirëpo, më mirë që ta kultivojmë bimën nën diell, sesa të përdorim sasi të mëdha elektriciteti, për ta rritur nën dritë artificiale.

8:24

Është emocionuese të shohësh bimët kur nisin të çelin. Me ligj, mund të kultivojmë aq sa mundemi, brenda një sipërfaqeje prej 21 mijë metrash katrorë – për momentin, afërisht 2500 bimë. Të korrat e para do t’i bëjmë pas 6 ose 8 javësh. Vitin e shkuar, prodhuam rreth një ton marijuanë. Me menaxherin e serrës diskutojmë për pengesat që mund të na dalin në treg.

9:03

Na merr në telefon tregtari lokal, i cili thotë se i detyrohemi shtetit 5000 dollarë taksa për shitjet e vitit të shkuar. I dërgoj një email përfaqësuesit shtetëror për këtë çështje.

9:34

Takohem me ekipin e prodhimit dhe shitjeve. Ankohen se nuk mjaftojnë vazot për të plotësuar kërkesat që priten. Shitësit me pakicë na kanë thënë se duhet të reduktojmë çmimet e produkteve të paketuara, derisa të vijnë furnizimet e vazove.

9:45

Biseda kalon te automatizimi dhe transportimi. Bëhet fjalë për një punë të madhe me dorë – çdo çantë duhet peshuar dhe vulosur më vete. Vjen një porosi për 10 mijë çanta me një gram.

10:00

Marr paketa-mostra dhe ndaloj në dyqanet e shitësve me pakicë dhe nisem nga Siatëlli për të marrë avionin për në Oregon. Banorët e Oregonit do të mund ta përdorin marijuanën për përdorim vetjak (për kënaqësi), nga 1 korriku, por përdorimi i saj për qëllime biznesi nuk do të licencohet para vitit 2016. Si një pronar biznesi në Uashingtonin fqinj, unë e mbaj nën vëzghim këtë treg në zhvillim.

11:05

Ndaloj në një dyqan pakice rrugës për në Siatëll. Menaxheri duket i emocionuar të mbajë në duar një produkt të prodhuar nën dritën e diellit.

12:30

Vazhdoj rrugën për në Siatëll, ku do të takohem me drejtorin e shitjeve, Andrein. Ka shumë trafik në këtë pjesë të vendit. Ia dalim të takohemi në kohë për të kapur avionin për në Medford, Oregon.

14:30

Drejtohem për në Williams, Oregon, pranë kufirit me Kaliforninë, ku takoj disa kultivues të tjerë, të cilët po prodhojnë për tregun mjekësor. Ne po i ndihmojnë ata me krijimin e markës, para legalizimit. Këshilla ime për ta: Prodhoni dhe krijoni markën tuaj, mos prisni!

16:07

Darkë me anëtarët e bordit të prodhuesve në Oregon. Kultivuesit lokalë janë entuziastë për ndryshimet e pritshme lidhur me legalizimin. I informojmë sesi po shkojnë punët në Uashington, Oregon dhe Kaliforni dhe sesi po bashkëpunojmë për të hedhur bazat e një standardi për prodhimin e kanabisit.

17:00

U tregojmë disa kultivuesve në Oregon paketimin tonë: e shohin me frikë dhe interes. Shumica e produktit të tyre paketohet për pacientët. Këta fermerë nuk janë ende të sigurt nëse duan t’i futen biznesit të marijuanës rekreative. Sistemi që kanë ndërtuar ata i mbështet familjet dhe u siguron një jetesë të mirë.

18:07

Bëjmë një pushim dhe tymosim. Është mirë të krijosh lidhje dhe të flasësh për biznes.

20:00

Përfaqësues nga laboratorët “Green Leaf” mbajnë një leksion për testimin e marijuanës. Në Uashington dhe Kolorado, ligji kërkon që e gjithë marijuana të shitet në dyqane me pakicë, duke përfshirë edhe sasinë e THC-së në etiketë. Sasia prej 30 deri në 40% e THC-së ndihmon në shtimin e shitjeve (sasia “normale” është 15-25%).

20:37

Informohemi për kultivimin e kërpit në këtë zonë. Kërpi, i cili nuk mund të tymoset, është teknikisht i ligjëruar në Uashington dhe Oregon dhe njerëzit janë të interesuar në kultivimin e tij për produkte tekstile, plastika, ose materiale ndërtimi. Mirëpo, ende nuk ka një treg të madh për këtë produkt.

21:01

Marr një telefonatë nga përfaqësuesi i shitjeve në vendin tim dhe diskutoj për reformën e pritshme të kanabisit mjekësor dhe rekreativ në Uashington.

22:00

Mbërrij në hotel dhe me Andrein dhe çlodhemi.

23:00

Tymosim dhe i japim fund mbëmjes. Diskutojmë më tej, planet, për të udhëtuar në veri të Portlandit, ku do të ndjekim një ekspozitë për kërpin. Kur i pyeta organizatorët se, pse e thërrasin “kërp”, më tha se këta njerëz, nuk janë ende rehat me përdorimin e termit “kanabis”, ose “marijuanë”. Mbetet veçse të presim dhe të shohim që njerëzit të fillojnë dhe ta blejnë atë te shitësit me pakicë. Të presim dhe të shohim që shteti të fillojë të mbledhë miliona nga taksat mbi kanabisin. Atëherë, atyre do t’u vijë për mbarë të përdorin fjalën "marijuanë", apo "kanabis".

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat