Australia përcjell me e-mail gabimisht të dhënat e VIP-ave botërorë

Ndryshe

Australia përcjell me e-mail gabimisht të dhënat e VIP-ave botërorë

Më: 31 mars 2015 Në ora: 23:28

Departamenti Australian i Emigracionit dhe Mbrojtjes së Kufirit (Department of Immigration and Border Protection ) ka dërguar me e-mail të dhëna konfidenciale të shefave të shteteve të 31 vendeve dhe ndihmësve të tyre. E ndër ta edhe ato të Presidentit Amerikan, Barack Obama, Kancelares gjermane, Angela Merkel, apo dhe të Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin. Por lista vijon edhe me të tjerë, jo më pak të rëndësishëm, si Presidenti kinez, Xi Jinping, Kryeministri indian, Narendra Modi, ai japonez, Shinzo Abe, Presidenti indonezian, Joko Widodo apo dhe Kryeministri britanik, David Cameron.

Lajmin e bënte të ditur së fundmi gazeta britanike “The Guardian”. Sipas saj, një bashkëpunëtor i këtij Departamenti të shtetit të madh ishullor, ia ka kaluar me e-mail ndër të tjera edhe numrat e pasaportave dhe informacionet mbi vizat e të gjithë të ftuarve VIP-a nga shumë shtete të botës – që do të merrnin pjesë në takimin e nëntorit 2014 të G20 në Brisbane të Australisë – organizatorëve të Kampionatit Aziatik të Futbollit, që u mbajt në muajin janar 2015.

Rekomandimi: Mos e bëni të madhe këtë punë!

Departamenti i Emigracionit ia raportoi incidentin në fjalë Zyrës së Komisionerit të Mbrojtjes së të Dhënave. E-mail-i përkatës ndërkaq është bërë publik në bazë të ligjeve australiane të lirisë së informacionit.

Sipas tij, një punonjës i Departamentit Kombëtar të Emigracionit me ç’duket ka përdorur funksionin e plotësimit automatik të të dhënave, të ofruar nga “Microsoft Office” në rreshtin e adresës dhe tekstin polemik pra më pas e ka kaluar gabimisht në një adresë që nuk duhej ta merrte atë informacion. Sidoqoftë, thuhet në të, organizatori futbollistik, sipas njoftimit, e kishte fshirë e-mail-in dhe e kishte pastruar më pas “koshin e plehrave” të kompjuterit – për çka edhe Departamenti australian i Emigracionit edhe e kishte rekomanduar ta bënte menjëherë, e për më tepër të mos i informonte shefat e shteteve të prekura nga ky kalim i gabuar informacioni, duke e mbyllur me kaq këtë incident.

Por nëse kjo kishte ndodhur më pas nga organizatorët e aktivitetit futbollistik kështu siç iu tha, sipas “Guardian” mbetet akoma e paqartë. Ministri përgjegjës në Australi, thuhet në gazetë, nuk është shprehur për këtë çështje.

Por zëvendësshefja e opozitës australiane, Tanya Plibersek, i bëri thirrje Kryeministrit australian, Tony Abbott, të jepte shpjegime se përse liderët botërorë nuk u njoftuan për këtë incident. “Kryeministri dhe ministri i Emigracionit duhet të përgjigjen e të shpjegojnë këtë incident serioz dhe gjithashtu edhe vendimin për të mos njoftuar liderët botërorë”, tha ajo.

Zbulimi i të dhënave ndoshta mund t’i krijonte sigurisht bezdi qeverisë australiane pas kalimit me shumë debat të amendamenteve mbi ruajtjen e të dhënave personale të detyrueshme gjatë javës së shkuar.

Amendamenti, thuhej në “The Guardian”, i cili u kërkon kompanive të ruajnë disa tipa të telefonatave e të dhënave në internet për dy vjet në serverat e tyre – kaloi me shumë diskutime e ka sjellë gjithashtu shumë shqetësime rreth cenimit të privatësisë nga kompanitë private dhe agjencitë qeveritare, të cilat merren me trajtimin e këtyre të dhënave.

Senatorja e gjelbër, Sarah Hanson-Young tha: “Vetëm javën e shkuar qeveria bëri thirrje ndaj popullit australian të ketë besim te qeveria e tyre kur japin të dhënat e tyre online, dhe tashmë ne po zbulojmë se ata kanë zbuluar detaje të rëndësishme nga skedarët e liderëve botërorë. Kjo është një gafë serioze, shkaktuar nga paaftësia e qeverisë”, tha ajo.

Departamenti australian i Emigracionit, gjithashtu ka qenë përgjegjës për rrjedhjen më të madhe të të dhënave zyrtare të vendit nga një agjenci qeveritare e paguar nga taksapaguesit.

Në shkurt 2014 “The Guardian”, e cila duket se me investigimet e saj e ka vënë në siklet edhe qeverinë australiane, zbuloi të dhënat personale të thuajse 10,000 personave të mbajtur të ndaluar – shumë prej tyre ishin vetëm azilkërkues – në një dokument publik, të nxjerra lirshëm e publikisht në një faqe interneti, duke shkelur rëndë të drejtat universale të njeriut.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat