Zbulimi, soba që ngroh me katër qirinj

Ndryshe

Zbulimi, soba që ngroh me katër qirinj

Më: 28 shkurt 2015 Në ora: 16:43

Në dimër, disa mendojnë jo rrallë për lëndinat me diell, apo i kalojnë orët e tyre mes përqafimesh, me ndonjë libër para syve, duke parë ndonjë telenovelë e duke u shoqëruar nga ndonjë filxhan çaj i ngrohtë. Të tjerë ndërkohë, janë të shqetësuar nga temperaturat e ulëta, pasi kostot e ngrohjes shkaktojnë një vrimë të madhe në buxhetet familjare, sidomos të familjeve të varfra, apo të çifteve të rinj në shumë vende të botës.

Thuajse 10 cent paguhen mesatarisht çdo ditë vetëm për ngrohjen nga shumë buxhete familjare në Europë, çka për disa duket absurde, por e pashmangshme, pasi ngrohja futet te nevojat bazë për një jetesë normale. Sigurisht se zbulimi i Marco Zagarias premton shumë që këto kosto të bien apo të shmangen plotësisht.

Energji pa elektricitet

Ky është emri i djaloshit të ri italian që ka krijuar, apo sajuar – le të themi më mirë – një sobë të vogël, e cila shfrytëzon energjinë që japin vetëm katër qirinj të vegjël, për të ngrohur më pas një dhomë të tërë, në çdo cep të saj. E kjo ngjan të jetë vërtet një shpikje, zbulim sensacional, i prekshëm, real, funksional dhe plot vlera, apo jo?

Ideja në fjalë, Zagarias, i cili ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë, i erdhi ndërsa i duhej të kalonte orë të tëra ulur, i mbledhur kruspull, ndërsa mësonte në një dhomë të ftohtë të marrë me qira.

Dhe kësisoj ai ndërtoi të ashtuquajturën “Egloo”, e cila nuk shpërdoron më kot elektricitetin, madje nuk e përdor fare atë, dhe megjithatë arrin të ngrohë mjaftueshëm një dhomë me përmasa normale. E mendoni pak, kjo vetëm me energjinë që përftohet nga katër qirinj.

E fshehta qëndron te materiali

Një dhomë me sipërfaqe 20 metër katrorë për shembull, shpikja me emrin “Egloo” mund ta ngrohë deri në pesë orë – dhe të gjithën me dy ose tre gradë, thotë shpikësi i talentuar në videon e tij promocionale, pavarësisht se titullin shpikës, nuk duket se e preferon shumë, pasi për të, kjo gjë pak rëndësi ka.

Por si funksionon e gjitha kjo? Mbi qirinjtë gjenden dy kupa. Ndërsa qirinjtë nxehin materialin e kupës së parë, kjo e transmeton nxehtësinë në pjesën e jashtme të kupës, duke e përcjellë tek e dyta ndërsa krijon një hapësirë, një boshllëk plot ngrohtësi mes të dyjave e përçuar më pas në mbarë dhomën.

Nëpërmjet kanaleve të ajrit, qirinjtë furnizohen me oksigjen, e për më shumë, ngrohet ajri i ftohtë që hyn aty.

Një e fshehtë tjetër e sobës së vogël është edhe materiali i saj. Qeramika mund ta ruajë nxehtësinë shumë mirë, duke e humbur atë shumë ngadalë. E si pasojë, “Egloo” vijon të prodhojë nxehtësi, edhe pasi qirinjtë janë shuar.

Po ashtu, Marco thotë se ajo është edhe shumë estetike, e këndshme kur e sheh dhe një shoqëruese e mirë në darka romantike. Dhe sigurisht se në këtë aspekt, studenti i Akademisë Romane të Arteve, flet edhe si një artist. “Atë mund ta ngjyrosësh e ta kthesh në një vepër arti, një konkurrente e vërtetë e vazove, apo objekteve të tjera të qeramikës që gjithkush mund t’i mbajë në shtëpi”, thotë ai.

Për të financuar e për të patentuar shpikjen e tij, Marco ka ndërmarrë një fushatë për mbledhje fondesh. Që kur nisi fushata në fjalë, në janar të këtij viti, kanë nisur edhe porositë për “mrekullinë” e vogël, e cila aktualisht po ofrohet me çmimin 53 euro. Kërkesa është e madhe, e që tani janë shitur të gjitha modelet.

Por Marco po pret të shkojë sigurisht më larg. Ai nuk do ta lerë me kaq, pasi kështu i kanë rekomanduar tashmë edhe shumë fansa, të cilët po e motivojnë në rrugën e tij.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat