Çfarë ngjyre ka ky fustan?

Ndryshe

Çfarë ngjyre ka ky fustan?

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 20:26

Debati që nisi pas postimit të fotos së një fustani në rrjetin social “Tumblr” ka ngritur disa pyetje shkencore të rëndësishme se përse disa njerëz e shohin atë në ngjyra të ndryshme.

A është ai i bardhë dhe i artë, apo i zi dhe blu? Duket se ekspertët kanë disa përgjigje, por gjithçka lidhet me mënyrën sesi funksionon truri ynë.

Ja shpjegimi: Një strukturë në pjesën e pasme të syrit, e quajtur retina, përmban qeliza të njohura si fotoreceptorë. Fotoreceptorët i kthejnë rrezet e dritës në sinjale nervore, të cilat përpunohen më pas nga qelizat nervore në retinën e brendshme, i dërgohen trurit dhe përkthehen në imazhe. Dy tipet e fotoreceptorëve njihen si cilindrat dhe konet. Të parat janë përgjegjëse për shikimin periferik dhe shikimin natën. Ato kapin ndriçimin dhe hijet e grisë. Ndërsa të dytat janë përgjegjëse për shikimin ditën dhe perceptimin e ngjyrave.

Njerëzit kanë një përqendrim të ulët të cilindrave dhe një përqendrim të lartë të koneve dhe kjo shpjegon pse ne nuk shohim aq mirë natën. Ne kemi tre tipe konesh, ku secila sheh një nga tre ngjyrat bazë: të gjelbrën, të kuqen dhe blunë. Kur drita bie mbi syrin tonë, receptorët i kthejnë këto ngjyra në sinjale elektrike, që i dërgohen trurit. Truri ynë përcakton ngjyrën nga bashkimi i sinjaleve që vjen nga çdo receptor. Pra, fustani është blu dhe i zi. Është ndriçimi i imazhit, që i ngatërron njerëzit e që i bën pjesët blu të duken si të bardha dhe pjesët e zeza, si ngjyrë ari.

Pamjet e ndryshme që përftohen nga ndryshimi i sasisë së ndriçimit

Programi Adobe Photoshop zgjidh dilemën për ngjyrën e fustanit

"Efekti fustan"

Një profesor i psikologjisë në Kolegjin Randolph-Macon shpjegoi se dallimet në perceptimin e ngjyrës lidhen me mënyrën sesi truri ynë interpreton ‘sasinë e dritës që bie mbi retinë’. “Disa njerëz e marrin vendimin për ngjyrën kur ka një sasi të madhe ndriçimi dhe fustani shihet si blu dhe i zi, të tjerët vendosin kur ka më pak ndriçim dhe e shohin si të bardhë dhe ngjyrë ari”. Ndjeshmëria jonë individuale ndaj ndriçimit të fotos me sfond blu ndryshon kur ne shohim objektin. “Nëse njerëzit shpërfillin ngjyrën blu, ata shohin të bardhën dhe të florinjtën dhe anasjellas”.

“Efekti fustan” u rikrijua nga Adrew Stockman, profesor në Kolegjin Universitar në Londër. Shiritat blu janë njësoj në fillim, në mes dhe në fund, por kur e lëvizim shikimin, duket sikur ngjyra ndryshon. Pse? Nëse shihni në pjesën e fundit të figurës, pamja duket më e errët sesa në pjesën e sipërme. Kur shihni direkt një pjesë të figurës, mund t’i dalloni detajet fine kromatike më shpejt, pasi ato përqendrohen në qendër të shikimit. Sistemi vizual “i mbush” ngjyrat në sfond (duke supozuar se ato ndodhen pas shiritave blu, në këtë rast). Kur shihni direkt në pjesën e sipërme, mund t’i shini shiritat e ngjyrosur si portokalli-blu, pra, sistemi vizual priret që ta mbushë sfondin me ngjyrë portokalli.


Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat