Si të silleni në takimin e parë me një partnere të mundshme

Ndryshe

Si të silleni në takimin e parë me një partnere të mundshme

Më: 28 janar 2015 Në ora: 17:55

Dëshironi ndonjë mendim të pjekur në lidhje me takimet e para me një partner/e të mundshme? Kush do t’ju këshillonte më mirë sesa kamerierët/et që shërbejnë çdo ditë për qindra njerëz, ku shumë prej tyre janë edhe çifte. Ja çfarë këshillojnë profesionistët e shërbimit që shohin dhe dëgjojnë shumë gjatë punës së tyre.

Zgjidheni me kujdes ‘shënjestrën’ tuaj. “Pranoni nivelin tuaj”, thotë Charles Drengberg, bashkëthemelues i një sajti rrëfimesh për kamerierët. “Nëse jeni një burrë 50-vjeçar i sapodivorcuar që është paksa i shëndoshë dhe nget një Toyota, mos e merrni mundimin të flirtoni me një 23-vjeçare të veshur mirë, por hidhjani syrin një 35-vjeçare të divorcuar që është më e shkujdesur”.

Trajtojeni mirë atë që ju shërben. “Shoh shumë njerëz që takohen për herë të parë në restorantin tim dhe do të sugjeroja që meshkujt t’i trajtonin mirë ata që u shërbejnë”, këshillon Darron Cardosa, një kamerier në qytetin e Nju Jorkut. “Nuk po e them këtë ngaqë dua një bakshish të mirë, e them këtë sepse femrat i kushtojnë vëmendje mënyrës sesi personi me të cilin kanë dalë, i trajton të tjerët”, shpjegon ai. Unë punoj në një restorant të vogël. Një grua që është e rregullt te ne, e takoi këtu një burrë që e shihte për herë të parë. Kur ai shkoi në tualet, ajo më thirri dhe më pyeti se çfarë mendoja”.

Shihni sytë. “Prisni për një kontakt domethënës sysh dhe për një buzëqeshje”, këshillon Drengberg. “Nëse një femër po i shmanget kontaktit me sy me ju, kjo do të thotë se nuk është edhe aq e tërhequr. Bëni durim deri në çastin kur ajo ju jep një arsye për t’iu afruar”.

Shkoni në bar, jo në restorant. “Takimi me një partner/e në restorant ju vendos në një pozitë më të vështirë sesa një bar”, thotë Gregg Rotter. “Në një restorant, ata që darkojnë janë të izoluar në tavolinat e tyre duke e bërë prezantimin më sfidues. Lëreni trupin e lirë në një bar”.

Bëni pyetje. “Do t’i këshilloja meshkujve të mos flisnin shumë për veten”, thotë Cardosa. “Është shumë e qartë kur një femër e humb interesin nga partneri kur ky flet pa pushim për hobet e tij. Bëjini asaj pyetje rreth gjërave që pëlqen! Të gjithë pëlqejnë të flasin për veten, por duhet ta bëjmë vetëm nëse kuptojmë që tjetri është i interesuar”.

Mos pini shumë. “Më lini t’ju ndihmoj”, ofron Tonya Foster. “Nuk dukeni shumë tërheqës/e kur jeni të dehur. Nëse i merrni dikujt numrin kur jeni në këtë gjendje, mos telefononi kurrë”.

Hani si zakonisht. “Mendoj se femrat duhet të hanë atë që duan vërtet në një takim”, këshillon Cardosa. “Nëse një femër porosit vetëm sallatë, partneri vihet në pozicion të vështirë nëse dëshiron të porosisë një biftek dhe diçka më të bollshme. Mendoj se meshkujt duan t’i shohin femrat të hanë një vakt të vërtetë, në vend që të hanë sallatë dhe të shtiren sikur nuk janë të uritura”.

Mos harroni sensin e humorit. Nuk është e thënë që të jeni në humor të mirë vetëm nëse takimi po shkon mbarë. Trajtojeni me humor çdo situatë. “Punoja mbrëmjeve në një restorant të gjërave të zgarës”, kujton Kelly Ryan, koordinatore e komunikimit dhe turizmit. “I vetmi person me të cilin dola gjatë kohës që punoja atje, ishte dikush që e takova kur kishte dalë për herë të parë me një grua tjetër. Gjatë gjithë kohës ai përpiqej të ishte argëtues dhe nuk dorëzohej, por në fund ata nuk u pëlqyen. Pastaj ai më dha kartëvizitën dhe më tha ta telefonoja pasi takimi i kishte shkuar si mos më keq. E telefonova vetëm për durimin dhe përpjekjen që bëri gjatë gjithë takimit”.

Vishuni bukur. “Kur u zhvendosa në Nju Jork për herë të parë, isha kameriere në një restorant elegant”, shpjegon Hilary Rushford. “Një ditë erdhi dikush për të kontrolluar rezervimin që kishte bërë. Pronotimin e darkës e kishte bërë një shërbim takimesh për profesionistët e zënë. Ai ishte me një bluzë të djersitur dhe me këpucë të bardha tenisi. Kur u kthye disa orë më vonë, mbante veshur të njëjtat rroba. Takimi nuk i shkoi aspak mirë”. Ideja: mos u vishni kurrë aq keq saqë edhe kamerieri të ketë turp prej jush!

Mos i derdhni paratë lumë. “Mos u përpiqni t’i tregoni të tjerëve se sa shumë para keni duke porositur gjënë më të shtrenjtë në meny për të nxjerrë në pah kartën tuaj të kreditit. Femrat që unë njoh, nuk do ta pëlqenin fare këtë”, thotë Cardosa. Drenberg bie dakord se kjo është një ide e keqe: “Pashë një burrë që shpenzoi mbi 300 dollarë për femrën e tij të bukur dhe mikeshat e saj, duke menduar se mund t’i shndriste fati. Sapo ai pagoi tavolinën, asaj i përzjeu dhe mikeshat e çuan në shtëpi, duke e lënë atë krejt vetëm. Ishte për të qeshur për mua, sepse ai nuk linte bakshishe aq të mira”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat