Mundet një qytet të padisë një kanal televiziv?

Ndryshe

Mundet një qytet të padisë një kanal televiziv?

Më: 25 janar 2015 Në ora: 22:27

Kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, ka thënë se planifikon të padisë një kanal televiziv se ka transmetuar pjesë të kryeqytetit francez si zona ku nuk duhet të shkojnë jomyslimanët. Por a është e mundur që një qytet të padisë një televizion?

Zëvendëskryebashkiaku Patrick Klugman konfirmoi se kryebashkiakja ishte shumë serioze kur tha se ajo do të padiste kanalin televiziv amerikan “Fox News” në ditët e ardhshme.

Ky i fundit ka prekur në kallo pas sulmit mbi “Charlie Hebdo”, tha ai, pasi ka shpërndarë informacion totalisht të pavërtetë rreth kryeqytetit, përfshirë zonat e njohura turistike si Montmartre.

“Ishte si një dhembje pas dhembjes, të të fyejnë nga një mungesë e kontrollimit të fakteve kur ka transmetime në të gjithë botën”, tha ai.

Ekspertët ligjorë, sipas tij, po vendosin aktualisht nëse do të veprojnë në Nju Jork apo Paris. Disa ekspertë ligjorë janë shprehur se çështja mund të mos fillojë në një gjykatë në SHBA.

“Besoj se nuk ka shkak për të ndërmarrë veprime në Shtetet e Bashkuara”, tha Jane Kirtley, një profesoreshë e ligjit mbi median në Universitetin e Minesotës.

“Ky është një shembull i dikujt nga një vend tjetër që nuk e njeh forcën e Amendamentit të Parë, që lejon kritikat mbi entitetet qeveritare”, tha ajo, duke iu referuar pjesërisht Kushtetutës së SHBA-së, që garanton lirinë e fjalës dhe lirinë e medias.

Por çfarë ndodh me një gjykatë franceze?

Matthew Nicklin, avokat i medias me bazë në Londër, thotë se mund të ketë pengesa serioze. Ndryshe nga një person apo kompani, thotë ai, Parisi nuk është një entitet ligjor, nuk mund të padisë për shpifje. Por mund të ndihmojë, sipas avokatit, në hartimin e një ‘pretendimi përfaqësimi’ në emër të bizneseve individuale në Paris.

Këto biznese duhet të provojnë se janë ndikuar negativisht si rezultat i transmetimit të “Fox News”, duke pësuar humbje financiare për shembull.

“Fox” ka pranuar tashmë se raportimi ishte i pasaktë, ku një prezantues televiziv kërkoi falje në transmetim për ‘gabimet’ e kanalit. Vështirësia tjetër do të jetë përcaktimi se cila hallkë e “Fox” do të paditet.

Asnjë rrjet me bazë në SHBA nuk mund t’i nënshtrohet juridiksionit francez, thotë Nicklin.

Dhe ndonëse mund të jetë teknikisht e mundur të paditet një pjesë e “Fox News” me bazë në Francë, do të ishte e nevojshme të demonstrohej se kjo pjesë franceze e kompanisë ishte në krye të transmetimit “Fox” në atë kohë.

Nëse Parisi ia del t’i kalojë këto vështirësi, çdo gjykatë do të merrte parasysh se “Fox News” kërkoi falje, si Parisit ashtu edhe Birmingham-it, që u përshkrua nga Steve Emerson si ‘krejtësisht mysliman, ku jomyslimanët nuk mund të shkojnë’.

Mundësitë e marrjes së kompensimit janë më të vogla kur është kërkuar falje shpejt dhe disa herë, thotë Nicklin.

“Komentet rreth Birmingham-it ishin pak të ashpra. ‘Fox News’ i ndreqi. E kemi hedhur pas krahëve. Fundi i historisë”, thotë James McKay, këshilltar i qytetit, duke bërë të qartë se qyteti nuk do të marrë pjesë në veprimin ligjor të Parisit.

Ka dy vështirësi të tjera që pengojnë Parisin. Njëra është Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, që mbron të drejtën e fjalës. Nëse çështja do të shkojë ndonjëherë në gjykatë, “Fox News” do të thotë se Franca e ka nënshkruar konventën.

Tjetra është se në vitin 2010, u miratua një ligj amerikan që lejon mediat të jenë të mbrojtura ndaj vendimeve të gjykatave të huaja, pra edhe nëse merret vendimi, nuk do të zbatohet në SHBA.

Por Klugman, një avokat përpara se të bëhej zëvendëskryetar bashkie, nuk lëkundet. Ai nuk bie dakord me idenë e Nicklin se Parisi nuk është entitet ligjor, duke thënë se kryeqyteti mund të nxjerrë këdo para drejtësisë, siç ka bërë edhe më parë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat