A janë vajzat me tatuazhe më tërheqëse për meshkujt?

Ndryshe

A janë vajzat me tatuazhe më tërheqëse për meshkujt?

Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 16:40

Nuk ka dyshim se kur bëhet fjalë për të zgjedhur partneren e jetës, apo qoftë edhe për një afat të shkurtër, meshkujt vlerësojnë shumë bukurinë. Një studim ka zbuluar se ndër të tjera, meshkujt preferojnë shumë belin e hollë, gjinjtë e mëdhenj, përdorimin e makijazhit, veshjet e modës dhe veshjet me ngjyrë të kuqe.

Por, sipas psikologut Nicolas Gueguen nga Universiteti i Bretanjës Jugore (Bretagne-Sud), ka edhe diçka tjetër që është e pranishme te mënyra sesi meshkujt i shohin femrat. Ata priren të mbivlerësojnë qëllimet seksuale të femrave. Thënë ndryshe, meshkujt i keqinterpretojnë femrat me idenë se kanë interes më të madh seksual, nga sa kanë në të vërtetë.

Për më tepër, sjellja e meshkujve ndaj femrave me tatuazhe, ka tërhequr vëmendje të madhe. Në Francë, atje ku Gueguen punon, rreth 12 për qind e femrave kanë një tatuazh. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shifra është rreth 23 për qind.

Pak studime janë marrë me perceptimin e meshkujve ndaj femrave me tatuazhe, por ato kanë zbuluar se përgjithësisht këto shihen me syrin negativ. Një studim, për shembull, u kërkoi meshkujve të vlerësonin një vajzë 24-vjeçare që e panë në një foto në bazë të karakteristikave personale.

Disa burrave iu tregua një foto me një tatuazh të zi dragoi në krahun e majtë të vajzës; të tjerëve iu tregua një foto pa tatuazh. Kur burrat panë gruan me tatuazh, ata e gjykuan atë si më pak atletike, më pak të motivuar, më pak të ndershme, më pak bujare, më pak besimtare, më pak inteligjente dhe më pak artistike, sesa kur ajo u shfaq pa tatuazh.

Por Gueguen vuri re një gjë interesante, ndërsa burrat i shohin femrat me tatuazhe si më pak tërheqëse, ata i shohin ato si më shumë të shthurura.

A janë femrat me tatuazhe kështu?

Gueguen kreu një studim të femrave me tatuazhe dhe pirsing në Francë dhe zbuloi se ato kishin pasur përgjithësisht marrëdhënie seksuale në moshë të re. Por ky studim nuk mund të përcaktonte nëse ato ishin më të interesuara në seks apo nëse thjesht ishin joshur më shpejt nga meshkujt.

Ai vendosi të studiojë mënyrën sesi perceptoheshin këto vajza nga meshkujt.

Ai bëri një hulumtim me dy pjesë. Eksperimenti i parë testoi nëse meshkujt u afroheshin më shpesh femrave me tatuazhe apo atyre pa tatuazhe. Vajzat pjesëmarrëse në studim shkuan në plazhe të populluara, disa kishin tatuazhe dhe të tjerat jo.

Në përfundim të studimit, 220 vëzhguesit panë 110 vajza me tatuazh dhe 110 të tjera pa tatuazh. Përfundimet ishin tronditëse. Kur vajzat kishin tatuazh, ato u vështruan nga meshkujt në 23.6 për qind të kohës, ndërsa kur të njëjtat vajza nuk kishin tatuazhe, ato u panë vetëm në 10 për qind të kohës. Burrat gjithashtu bënë kontakt më të shpejtë me femrat me tatuazh.

Eksperimenti i dytë përfshiu të njëjtën skenë plazhi, por kësaj here një djalë shkoi të intervistonte burrat që ua kishin ngulur sytë vajzave. Ai u bëri dy pyetje, nëse mendonin se kishin mundësi të dilnin në një takim me të, dhe nëse ajo do t’ia jepte mundësinë të kryenin marrëdhënie që në takimin e parë.

Përfundimi? Meshkujt mendonin se kishin më shumë gjasa të dilnin në një takim dhe të bënin seks me vajzat me tatuazhe, sesa me ato që nuk kishin tatuazh.

Në bazë të këtyre rezultateve, Gueguen arriti në përfundimin se vajzat me tatuazhe shihen si më imorale.

Këto studime u bashkohen provave që tregojnë sesi meshkujt vlerësojnë karakteristikat trupore te femrat kur i gjykojnë nga larg, apo kur kanë të bëjnë me to. Bukurinë meshkujt e duan si në lidhjet e gjata, ashtu edhe në ato të shkurtra.

Gueguen i interpreton rezultatet nga një perspektivë evolucionare. Ashtu si kozmetika dhe veshjet, disa femra mund t’i përdorin tatuazhet si një mënyrë për të plotësuar veten në sytë e meshkujve dhe kështu tërheqin më shumë prej tyre.

Një grua ka shans më të mirë çiftëzimi kur ka më shumë mundësi zgjedhje. Tatuazhet mund të shërbejnë për këtë arsye për të tërhequr sa më shumë vëmendjen e meshkujve. Këta të fundit, nga ana e tyre, kërkojnë t’i shpërndajnë gjenet sa më shumë që të munden. Për këtë arsye, ata preferojnë vajzat me tatuazhe si më të interesuara për seks.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat