Një mysliman në Elysée – Skandali i radhës në “përplasjen mes qytetërimeve”

Ndryshe

Një mysliman në Elysée – Skandali i radhës në “përplasjen mes qytetërimeve”

Nga: Jürg Altwegg Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 08:12

Presidenti i ardhshëm i Francës quhet Mohammed Ben Abbes – të paktën kështu na bëhet i ditur ai nëpërmjet romanit më të ri të autorit francez, Mishel Hulebek (Michel Houllebecq). Ky skenar është kaq i pamundur, saqë shkrimtari këtë personazh duhet ta shpikë vetë. Në një vepër letrare, në fakt duhet të ndodhë pikërisht kështu. Mirëpo kryeministrin, që aty quhet Ben Abbes, ne e njohim të gjithë: ai është politikani i qendrës franceze, François Bayrou, humbësi i përhershëm dhe fituesi moral, i cili në çdo duel zgjedhor mbetet mes të djathtëve e të majtëve.

Edhe protagonistët e tjerë të këtij “fiction”-i historik, u janë besuar bashkëkohësve: paraardhësi i Ben Abbes është Fransua Holond (François Hollande), mandati i dytë i të cilit në postin më të lartë publik në Francë, përfundon në vitin 2022. Një të tretë ia ndalon Kushtetuta. Edhe vetë kaosi që profetizon Hulebek, nuk është i pamundur: “Front National” është fuqizuar e ka zënë tashmë vend si një forcë udhëheqëse politike, e në 2022-n, Marine Le Pen ia del të fitojë në balotazh, sikurse i ati në vitin 2002.

Sondazhet e opinionit publik sidoqoftë e nxjerrin këtë opsion si të mundshëm, madje qysh në vitin 2017. E më pas? Marine Le Pen beson në triumfin drejt Pallatit Elysée. Por atje dëshiron të arrijë edhe Sarkozy, në një rikthim të ri.

Mishel Hulebek e sposton këtë mundësi në rastin më të largët deri në vitin 2022. Dhe e përfundon dramën e tij me një pikë kulmore: për të penguar Le Pen, socialistët, UMP-ja e Sarkozisë dhe centristët e Bayrous, mblidhen në një aleancë, siç bënë në vitin 2002, kur Shiraku në balotazh arriti të korrë plot 80 për qind të votave. Vetëm se dy dekada më pas, në romanin e Hulebekut, kjo aleancë shkon në favor të Mohammed Ben Abbes. Ai, në romanin e tij, është kreu i Partisë Vëllazëria Myslimane.

“Soumission” titullohet romani i tij, të cilin shtëpia botuese “Flammarion” do ta sjellë në treg më 7 janar. Romani i tij është një aluzion mbi religjionin Islam, por edhe mbi Francën që po kapitullon para arabëve. Nëse libri në fjalë përmban një dimension seksual, sadomazokist, për momentin nuk mund të thuhet me saktësi. Agjencia e lajmeve AFP dhe gazeta franceze “Le Monde”, njoftojnë vetëm se heroi i romanit të Hulebek, quhet Fransua (François) dhe se është profesor në Universitetin e Sorbonës, të shndërruar tashmë në Universitetin Islamik të Sorbonës, sekretaret e të cilit tashmë mbajnë në kokë ferexhe.

Ndryshe nga disa kolegë që konvertohen, François e braktis fakultetin. Me kënaqësi ai shëtit nëpër distriktin 13, që është bërë tashmë diçka më shumë sesa “China Town” – dhe që në romanin e Hulebek jeton me qenin e tij qysh nga rikthimi prej Irlandës. François bën një jetë seksuale sa të shthurur, aq edhe apatike.

Marine Le Pen, si “e keqja më e vogël”

Romanët e deritanishëm të Hulebek flasin për seksualitetin si një fushëbetejë mes gjinive në epokën e kapitalizmit. Mbi shndërrimin e Francës në një shesh për të kaluar kohën e lirë kinezët. Ai, si asnjë tjetër, e ka karikuar kështu lëvizjen artistike. Diskutimi mbi Islamin tashmë është kthyer në një “platformë”.

Heroi i tij gjatë rrugës për në Tailandë, kalon mbi Afganistan, është natë dhe nuk shihet kurrfarë vendi në horizont: “Talebanët, sidoqoftë, tashmë kanë rënë në qetësi dhe po llapaçiten në moçalin e tyre”.

Kush janë talebanët, e dinin vetëm pak nga lexuesit, kur romani doli në dritë në gusht 2001. Pak javë më vonë, 11 shtatori i preku recipientët e tij dhe i përforcoi bindjet e tyre. Hulebek, gjatë një interviste, këmbëngulte gjithnjë e më shumë, provokonte dhe polarizonte situatën. Islamin ai e përshkruante si “religjioni më idiot”.

Veprën e tij më të re, shtëpia botuese, nisur nga recetat më të njohura të marketingut, e ka shpallur si “sekret”. Thyerja e embargos ishte programuar pa dyshim. Në kohën e duhur, para pushimeve të Krishtlindjeve, përmbajtja e romanit, edhe pa dalë akoma në treg, duket se e ka arritur publikun. Dhe ka shpërthyer menjëherë skandalin e pritshëm. Gazetat, radiot dhe televizionet po flasin për të.

Presidentin e shtetit, Hollande, së fundmi Hulebek e kishte këshilluar që ministren me ngjyrë të Drejtësisë, Christine Taubira, ta mbante në post: “Ajo është garancia më e mirë për ngritjen edhe më lart të Frontit Kombëtar (Front National) të Le Pen, dhe për këtë bëhet fjalë pra” – për politikën e re të brendshme dhe për romanin e ri.

Cila llogari del e saktë në fund, kjo mbetet për t’u zbuluar. Marine Le Pen sidoqoftë mund të gëzohet, sepse përballë Mohammed Ben Abbes, ajo është “e keqja më e vogël”.

Me shumë gjasa, romani i Hulebek, “Nënshtrimi”, do të shihet si një satirë për sjelljet histerike të intelektualëve dhe opinionit politik që e gjejnë veten te Le Penët, ose në rikthimin e papërshkrueshëm të rezistencës antifashiste. Që autori, në aspektin politik është i paaftë të japë llogari, ne akoma nuk e dimë. Që ai është një shkrimtar gjenial dhe portretist i shoqërisë franceze, këtë tashmë ai e ka dëshmuar. Por kaq hapur, kaq prerë dhe kaq primitiv sa në këtë roman, provokacionet e tij deri më tani nuk kanë qenë, dhe para së gjithash ato kufizoheshin më parë vetëm në aspektin ekstraletrar. Në këtë zgjerim të fushëbetejës, ai nuk duhet ndjekur. Megjithatë, duhet pritur dalja e romanit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat