Britania anulon traditën e notit për Krishtlindje

Ndryshe

Britania anulon traditën e notit për Krishtlindje

Më: 17 dhjetor 2014 Në ora: 19:28

Në ditën e Krishtlindjeve në vitin 1885 disa persona hynë të lahen në ujin e ftohtë të Kanalit të La Manshit. Që prej asaj dite, notimi për Krishtlindje është bërë një ritual shumë i përhapur kudo nëpër botë. Por këtë vit ai është anuluar në Britani dhe vështirë të kthehet përsëri.

Problemi është se praktika është cilësuar si shumë e rrezikshme dhe për pasojë njerëzit nuk do të lejohen të notojnë.

“Noti në det kërkon aftësi dhe dijeni për rreziqet fizike dhe duhet të lejohet vetëm për ata me shumë eksperiencë, të cilët janë të pajisur me kostume noti që nuk lejojnë të ftohet trupi dhe të ketë ndihmë në gatishmëri”, thotë Chric Ingall nga këshilli i një grupi mbështetës të praktikës.

Festimi i Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri duke u zhytur në det të ftohtë ka fituar shumë popullaritet. E gjitha kjo është në kundërshtim me shpirtin e Krishtlindjeve, nga atmosfera e ngrohtë në ujin e ftohtë dhe përsëri pranë oxhakut. Zhytja në ujë të ftohtë i ngjan gjithashtu paganizmit.

“Adrenalina e pjesëmarrësve rritet shumë dhe e bën pjesën e mbetur të ditës më interesante”, thotë një pjesëmarrëse. “Mund të qëndrosh më pas pranë zjarrit me idenë se e ke merituar”.

Por kjo nuk është vetëm një praktikë e Britanisë, e njëjta gjë ndodh edhe në Irlandë, Barcelonë, Holandë dhe Belgjikë, si dhe në Kanada e SHBA.

Sa e rrezikshme është të notosh në detin e Hemisferës Veriore?

Në Mbretërinë e Bashkuar ndodhën 167 mbytje vetëm vitin e shkuar, sipas RNLI. Ky është numri më i lartë në këto katër vite. Më shumë njerëz vdesin nga mbytja sesa nga aksidentet me biçikleta, raporton RNLI. Por vetëm një numër i vogël i këtyre vdekjeve lidhet me notimin.

Shoqëria Mbretërore për Parandalimin e Aksidenteve thotë se nga 93 vdekje në plazhe vitin e shkuar, vetëm 20 prej tyre lidheshin me notin dhe një me zhytjen. Kjo krahasohet me një total prej 59 vdekjesh që kanë ndodhur në vende të ndryshme, përfshirë pishinat, liqenet dhe lumenjtë.

Mbështetësit shprehen se krahasuar me miliona notarë që u hynë deteve çdo vit, shanset e mbytjeve janë shumë të ulëta.

Organizatorët shprehen se një burrë humbi jetën në vitin 2011 ndonëse gara ishte anuluar dhe një grua u mbyt në vitin 2012 prej një vale të madhe, të dy vdiqën në ditën e Krishtlindjeve.

Njerëzit që notojnë vazhdimisht në të ftohtë fitojnë imunitet dhe mund t’u bëjnë ballë kushteve të këqija atmosferike. Ka nga ata njerëz që mund të notojnë për rreth 40 minuta në ujë të ftohtë në temperaturë 5 gradë Celsius e më pak.

Lewis Pugh i Britanisë notoi një herë një kilometër në Polin e Veriut. Jo vetëm ambientimi, por edhe një prirje e veçantë i ndihmon notarët të mbijetojnë në ujë të ftohtë.

Nëse një person nuk është mësuar me ujin e ftohtë, reagimi fillestar është tronditja dhe mundimi për të marrë frymë. Problemet e frymëmarrjes janë ato që marrin zakonisht jetë njerëzish dhe jo hipotemia.

Uji në mushkëri është faktori që i vret njerëzit. Dallgët dhe pamundësia për të mbajtur frymën, shkakton mbytjen e ngadaltë. Por faktorët që ndikojnë janë gjithashtu edhe sëmundjet e zemrës, astma apo gratë shtatzëna.

Alkooli e përkeqëson aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën dhe rrit rrezikun e mbytjes dhe përbën 70 për qind të mbytjeve nga pakujdesia. Shumica e ekspertëve të notit i këshillojnë njerëzit të mos notojnë pasi kanë pirë.

Pak njerëz mund të përballojnë notin në ujë të ftohtë pa pasur eksperiencë.

Asnjë aktivitet nuk është plotësisht i parrezikshëm. Harper, një anëtar i klubit të notit në Britani, mendon se anulimi është një përgjigje e pavend. Në të shkuarën janë parashikuar kushtet e motit përpara se të vendoset nëse do mbahet apo jo aktiviteti.

Pavarësisht anulimit të praktikës në Britani, gjë për të cilën pjesëmarrësit ndihen shumë të pakënaqur, notimi në ditën e Krishtlindjeve nëpër botë do të vazhdojë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat