Akademikët debatojnë rreth seksualitetit të Shekspirit

Ndryshe

Akademikët debatojnë rreth seksualitetit të Shekspirit

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 18:17

Një debat i ri ka shpërthyer mes disa prej ekspertëve më të mirë botërorë të Shekspirit mbi çështjen nëse sonetet e tij provonin që ai ishte i tërhequr nga meshkujt.

Sër Brian Vickers, një profesor i jashtëm në Kolegjin Universitar të Londrës, e shkaktoi i pari trazirën kur dënoi një recensë libri që sugjeronte se soneti 116 shfaq hapur një përmbajtje homoseksuale.

Në një letër te suplementi letrar Times, ai tha se pretendimi ishte ‘anakronik’, pasi studiuesit e kishin pranuar tashmë se ato ishin forma të retorikës që i lejonin meshkujt të shprehnin dashurinë pa treguar tërheqjen seksuale.

Ai tha gjithashtu se çdo përpjekje për të gjetur informacion biografik në sonete ishte i kotë, sepse Shekspiri ishte një profesionist që shkroi nën identitetin e një ‘personi-poet’.

Kolegët akademikë i kanë sulmuar komentet e Vickers, duke e akuzuar atë se ka nxitur ‘një nga falsitetet më të mëdha të kriticizmit modern mbi Shekspirin’.

Studiuesi Arthur Freeman, i cili e përshkroi veten si një i njohur i Vickers, e akuzoi atë se po përjashtonte kategorikisht pyetje që secilit mund t’i shkonin në mendje. Ai shkroi: “Nuk mund të mendoj për ndonjë botues të përgjegjshëm… që do të linte mënjanë premisën e homoseksualitetit, po ashtu edhe pasionin heteroseksual që përmbajnë sonetet”.

“Shekspiri nuk mund të perceptohet drejt nëse mendimet negative mbi veprat e tij trajtohen si artificiale në tërësi? Si mund të ngulim këmbë që sonetet e tij janë vetëm rrëfimtare nga ana dramatike dhe si mund të mendojmë që ai të mos e ketë përfshirë shpesh veten në procese të ndryshme, qoftë plakja, rënia e flokëve apo edhe dëshirat biseksuale, tradhtia e të tjera si këto?” – pyet akademiku.

Një tjetër akademik që shkroi nën emrin e profesor Uells, iu përgjigj letrës duke nxjerrë në dukje faktin se Shekspiri përdori të paktën një sonet për të impresionuar Anne Hathaway.

Ai tha: “Kur një poet, emri i të cilit është Uilliam, shkruan poema seksuale të sinqerta dhe plot ankth, dhe e përdor fjalën ‘will’ 13 herë në një sonet, nuk është e paarsyeshme të arrish në përfundimin se ai mund të jetë duke shkruar nga thellësitë e eksperiencës së tij”.

Vickers iu përgjigj komenteve duke thënë se ai nuk mund t’i pengonte njerëzit të spekulonin, duke shkruar se “mendimi ishte i lirë”. “Por nëse jepen mesazhe të tilla dhe thua se 126 poemat e tij janë të tilla, atëherë njerëzit nuk i lexojnë ato më si poema. Ata do t’i lexojnë si dokumente biografike, duke i parë nga aspekti seksual”.

Botimi i parë i soneteve të tij iu dedikua një ‘Zoti W H”, identiteti i të cilit nuk u provua kurrë, duke nxitur pretendimet se ai mund të ketë qenë një i dashur mashkull. Kandidati më i mundshëm mendohet të ketë qenë një nga miqtë e tij, Henry Wriothesley, Kont i Sauthamtonit, ose William Herbert, Kont i Pembroke.

Oskar Uajlld kishte një teori tjetër, kur shkroi një histori të trilluar në 1889 ku hodhi dyshimin nëse dedikimi i ishte bërë një aktori të quajtur Willie Hughes, që përmendej si ‘rinia e drejtë’ në sonete.

Kjo mund të shpjegonte gjithashtu referencat me emrin Uill në sonetin e mësipërm. Ka edhe sonete të tjera që nxisin dyshime.

Soneti 20 është i interpretuar gjerësisht si një dedikim ndaj një mashkulli, ku shkruhet: “Një fytyrë femre e pikturuar nga duart e natyrës / mos je ti mjeshtri femër i pasionit tim”.

Në 2012-n, aktori Ian McKellen që luajti Shekspirin, lajmëroi se nuk kishte as më të voglin dyshim se poeti ishte biseksual. Aktori është shprehur se nuk kishte dyshim që Shekspiri preferonte seksin me meshkuj, ndonëse ai ishte i martuar dhe me fëmijë. Ai arriti në këto përfundime, pasi kishte studiuar veprën e poetit anglez. “Tregtari i Venecias, tregon sesi bota i trajtonte homoseksualët ashtu si hebrenjtë, dhe ka në qendër një trekëndësh dashurie mes një burri plak, një të riu dhe një gruaje” – tregon aktori.

Është pranuar gjerësisht se Shekspiri u martua me 26-vjeçaren Anne Hathaway kur ishte 18 vjeç. Gjashtë muaj pas martesës, Anne lindi një vajzë, Susanna, që u pagëzua më 26 maj 1583. Binjakët, djali Hamnet dhe vajza Judith, që lindën dy vite më pas, u pagëzuan më 2 shkurt 1585.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat