Skllavëria, ende një problem i madh për botën

Ndryshe

Skllavëria, ende një problem i madh për botën

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 18:43

Rreth 36 milionë njerëz kudo nëpër botë, janë të përfshirë në një lloj forme skllavërie, nga puna e detyruar deri te martesa me dhunë, sipas gjetjeve që ka zbuluar një hulumtim nga një organizatë globale e të drejtave të njeriut, duke e përshkruar kështu skllavërinë moderne, si një “krim i fshehur” dhe “biznes të madh”.

Skllavëria moderne kontribuon në prodhimin e të paktën 122 mallrave nga 59 shtete nga e gjithë bota, sipas raportit nga fushata australiane antiskllavëri e grupit “Walk Free”.

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) vlerëson se fitimet vjetore që vijnë nga puna e detyruar, janë 150 miliardë.

“Nga peshkatari tajlandez i rrjetave, te djali nga Kongo që kërkon minierave të diamantit, nga fëmijët në Uzbekistan që mbledhin pambuk te vajza indiane që qep topa futbolli, nga gratë që vënë kopsat e fustaneve tek ata që mbledhin kakaon, puna e tyre e detyruar është konsumi ynë.

Skllavëria moderne është një biznes i madh”, shkruan në raportin e tij “Walk Free”, duke pretenduar se ka zbuluar prova për skllavërinë në të gjitha 167 vendet që analizoi.

Dhjetë vendet ku skllavëria moderne ishte më e përhapur në përputhje me popullatën janë Mauritania, Uzbekistani, Haiti, Katari, India, Pakistani, Republika Demokratike e Kongos, Sudani, Siria dhe Republika Qendrore Afrikane.

Për të dytin vit radhazi, India ka rezultuar të jetë shtëpi e numrit më të madh të skllevërve, me mbi 14 milionë njerëz në popullsinë e saj prej 1.25 miliardë, etiketohen si viktima të skllavërisë, që varion nga prostitucioni te puna e detyruar dhe që përbën gati 40 për qind të njerëzve në skllavëri botërisht.

Nëntë vendet e tjera me numrin më të madh të njerëzve në skllavëri moderne janë Kina: 3.2 milionë, Pakistani: 2.1 milionë, Uzbekistani 1.2 milionë, Rusia: 1.05 milionë, Nigeria: 834 mijë, Kongo: 762 mijë, Indonezia: 714 mijë, Bangladeshi: 680 mijë dhe Tajlanda 475 mijë.

Të marra së bashku, këto 10 vende formojnë 71 për qind të totalit prej 35.8 milionë njerëzish që jetojnë në skllavëri moderne këto ditë.

Nigeria dhe Etiopia duket se janë vende madhore burimi për emigrim jashtë shtetit. Gratë dhe fëmijët nga Nigeria trafikohen për shpërdorim seksual përmes rrjeteve të krimit të organizuar në Europë.

“Në Itali veçanërisht, disa femra nigeriane kanë ngecur në një cikël të industrisë së seksit, me pak shpresë për të shlyer borxhet nga 50-65.000 euro që u detyrohen tutorëve të tyre”, shkruajnë autorët e raportit.

Për njerëzit e Etiopisë, mundësitë joshëse të punësimit në Lindjen e Mesme, tërheqin mijëra emigrantë për punë në ndërtim dhe sektorin e punës së kujdesit në familje. Megjithatë, sapo shkojnë në vendin e destinuar, ata përballen me kushte shumë të këqija pune.

Autorët e raportit pretendojnë se fuqia e krimit të organizuar e ka përkeqësuar problemin. Njerëzit joshen nga ofertat e punëve jashtë shtetit, të cilat rezultojnë të jenë shfrytëzim seksual dhe punë e detyruar.

Uzbekistani, një shtet në Azinë Qendrore, ekonomia e të cilit mbështetet më së tepërmi në prodhimin dhe eksportimin e pambukut, ka numrin më të madh të skllevërve në rajon. Rreth 4 për qind e popullatës ose 1,201,400 njerëz, janë pre e skllavërisë gjatë mbledhjes së përvitshme të pambukut, tregoi hulumtimi.

Katari, shteti i vogël i njohur për numrin e madh të punonjësve të huaj, vlerësohet të ketë skllavëruar 1.4 për qind të popullatës.

Të gjitha vendet, me përjashtim të Koresë së Veriut, kanë legjislacion të brendshëm që kriminalizon disa forma të skllavërisë moderne. Mes këtyre vendeve me kundërpërgjigjen më të dobët ndaj skllavërisë moderne janë: Irani, Siria, Iraku, Eritrea, Republika Qendrore Afrikane, Libia, Guineja Ekuatoriale, Republika e Kongos dhe Uzbekistani.

Hulumtimi ka treguar se luftërat kanë një ndikim shumë të madh në përhapjen e skllavërisë. “Testet statistike konfirmojnë se skllavëria moderne dhe situatat e konflikteve që kemi parë këtë vit në Siri dhe tmerret e terroristëve të Shtetit Islamik, e përkeqësojnë situatën”, raportohet.

Për herë të parë, qeveritë u kategorizuan për kundërpërgjigjen ndaj skllavërisë. Sipas “Walk Free”, Holanda, Suedia, SHBA-ja, Australia, Zvicra, Irlanda, Norvegjia, Britania, Gjeorgjia dhe Austria kanë përgjigjet më të dobishme ndaj problemit.

Irlanda dhe Islanda janë në vend të 166 dhe 167 në indeksin më të ulët të skllavërisë moderne të vitit 2014.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat