Miqësitë romantike nga afeksioni naiv te dashuria homoseksual

Ndryshe

Miqësitë romantike nga afeksioni naiv te dashuria homoseksual

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 20:12

Henry David Thoreau, poeti dhe filozofi amerikan, qëndronte zgjuar natën dhe mendonte për miqësinë dhe mundësitë e saj, ndërsa shoku i tij i ngushtë, Emerson, në shkrimin që zbulonte sekretet e miqësisë, shkruante: “Çfarë është më e mirë sesa një ndërveprim i drejtë dhe direkt i dy personave, në një mendësi, në një ndjenjë? –gjuhë kjo e ngjashme me atë që poetët e mëdhenj romakë përdornin për të përshkruar bashkimin në dashuri.

Argumentohet se dashuria është një dhuratë më e madhe se dashuria në çift, por çfarë ndodh nëse këto të dyja përzihen në një ndjenjë të vetme, të ngatërruar dhe gati të pakuptueshme që i bën pak nga të dyja dhe asnjë prej syresh?

Historiania Lilian Faderman shkruan për fenomenin e jashtëzakonshëm të miqësisë romantike si një agjent i ndryshimit kulturor.

Teksa miqësia romantike ka pasur një histori të gjatë në qytetërimin perëndimor, në Amerikë ndodhi fuqishëm në shekullin e 19, ku grupet e meshkujve dhe femrave ishin aq të përçara prej detyrës së ndërtimit të shtetit.

Burrat e panë veten në nevojë për ndihmën e burrave të tjerë për të kuptuar pasionet e tyre të mëdha materiale dhe i përjashtuan gratë me justifikimin e mungesës së vlerave të muskujve dhe atyre racionale.

Për këtë arsye, femrat gjetën ngushëllim te njëra-tjetra. Ato u bashkuan dhe krijuan parimin e zemrës.

Ende, duke marrë parasysh kërkesat ekonomike dhe sociale të jetës në atë kohë, shumica e këtyre lidhjeve ishin sekondare krahasuar me obligimet familjare te femrat, qoftë në shtëpinë e babait, ashtu edhe në atë të bashkëshortit.

Por edukimi i femrave hapi një valë të re, duke u lejuar femrave ta hidhnin shikimin shumë më larg sesa brezat mund ta kishin imagjinuar ndonjëherë.

Kjo shtoi impaktin e progresit dhe krijoi një “separatizëm të shëndetshëm dhe produktiv”. Gjithashtu i lejoi ata të eksplorojnë kufijtë e tyre, të ndërtojnë hierarkinë e vlerave, të provojnë rolet e liderëve në universin e tyre të vetëkomanduar e të lirë nga gardhet e shoqërisë së vjetër, po ashtu edhe nga presioni mashkullor. Por e gjitha solli një efekt në miqësinë romantike që në kolegje i quanin “crushes” ose persona ndaj të cilëve tërhiqemi.

Në vitin 1873, një gazetë e Jeillit (Yale) për studentët, e përshkruante fenomenin e dy vajzave që bëheshin të pandara nga njëra-tjetra dhe konsideroheshin si të tërhequra mes tyre, me tone nënvlerësimi.

Miqësia romantike është e dokumentuar mirë edhe te meshkujt, e fortë sidomos në jetën e kolegjit. William Alger shkroi në 1868-n, se kjo u solli femrave freski, sharm dhe aspirata.

Deri në shekullin e 18, femrat kërcenin me njëra-tjetrën në ballot shoqërore. Në një artikull të vitit 1901 të revistës Cosmopolitan, përshkruhet historia e një vajze që luante rolin e kavalierit për një vajzë të sapoardhur në kolegj. Ky ishte një fenomen jo pak i përhapur në atë kohë.

Pavarësisht se mbeteshin kryesisht në kufirin e miqësisë, shkrimtarët e asaj kohe nuk hezituan të pasqyronin raste kur e gjitha kjo kishte përfunduar në dashuri, si në kuptimin romantik të fjalës për shekullin 19, ashtu edhe në intimitetin seksual modern.

Nuk ishte e vështirë të ndodhnin të tilla gjëra pasionante në atë kohë, kur nuk ishte përhapur ende paragjykimi kundër marrëdhënieve intensive të të njëjtit seks.

Për më tepër, miqësitë romantike të femrave në moshë të re në kolegj, ishin të ngjashme shumë me marrëdhëniet mes profesoreshave që jetonin në godinë, zakonisht në çifte, duke krijuar jo pak herë marrëdhënie dashurie afatgjata, “martesa”. Ato provonin gjithashtu një model të ri të pavarësisë ekonomike, pra nuk kishin nevojë të martoheshin për të mbijetuar.

Kur femrat e edukuara në universitet filluan të hynin në forcën punëtore, miqësia romantike u zhvillua kundruall një sfondi të ri, që Katherine Anne Porter e ka përshkruar si “një kompani amazonash” ku futeshin femrat profesioniste, gjenerata e parë e doktoreshave, profesoreshave, ministreve, organizatoreve të unioneve dhe punonjëset sociale.

Historiania Faderman citon rastin e dy anglezeve nga vitet 1890, Katharine Bradley dhe Edith Cooper, një çift “mikeshash romantike” që shkruan së bashku 25 drama dhe tetë libra me poezi nën pseudonimin Michael Field, ku i premtonin njëra-tjetrës se do të ishin “poete dhe të dashura përgjithmonë”.

Por nuk iu desh shumë kohë idesë kulturore që t’u trembej miqësive romantike si një kërcënim ndaj institucionit tradicional të martesës, që ishte ende një pjesë vitale e modelit ekonomik të shoqërisë.

Në fillim të viteve 1900, Faderman shkruan se sociologët dhe “ekspertët” e shkencave sociale të kohës filluan t’i dënonin këto marrëdhënie, që vetëm një dekadë më parë pranoheshin universalisht si të padëmshme dhe fisnike.

Një libër i vitit 1895, i titulluar “Biseda më vete me vajzat”, paralajmëroi se ishte e rrezikshme për një grua të kishte “një të dashur vajzë”, sepse shpërdorimi i dashurisë me një femër nuk linte asgjë për “princin e kaltër kur ta gjente”.

Një tekst pseudomjekësor nga fillimi i shekullit qortonte “afeksionin në rritje” të femrave për njëra-tjetrën:

“Ato puthen me shumë ndjenjë në çdo rast. Ato përqafohen me kënaqësi të përbashkët. Është tejet e natyrshme në shkëmbimin e vizitave që ato të flenë me njëra-tjetrën. Ato mësojnë kënaqësinë në kontakt direkt dhe fillojnë të praktikohen duke kryer eksperimente. Pas kësaj, seksi normal nuk arrin t’i kënaqë ato.”

Në vitin 1906, një psikiatër zviceran nxori deklaratën alarmante se “homoseksualiteti i femrave e kalonte atë të meshkujve dhe se për të dashuruarat, kënaqësia seksuale ishte mendimi i tyre i vetëm i ditës dhe i natës, pothuajse pa ndërprerje”.

Por ende në vitet 1920, vajzat në kolegje mund të shijonin miqësitë e tyre romantike në shkallë të caktuara lirie dhe vetëdije.

Faderman citon një ese satirike të vitit 1921 nga libri i vitit i Kolegjit Oberlin, i titulluar “My Heart Leaps Up”, në të cilën shkrimtarët sulmojnë me ironi ata që janë kundër miqësive romantike.

Por teksa disa femra të fillimshekullit të 20 nuk patën nevojë të fshihnin marrëdhëniet e tyre seksuale të së njëjtës gjini, Faderman thekson se shumë ishin të fshehura prej presionit të shoqërisë kundër “miqësive romantike”.

Ajo vëren se shkrimtarja e njohur Willa Cather ishte një shembull i duhur i situatës. Në fillim të karrierës së saj universitare në Nebraska, në fund të shekullit të 19, ajo e quante veten dr. William dhe vishej si mashkull, por me kalimin e kohës, pavarësisht vazhdimit të marrëdhënieve romantike me femrat (njëra prej të cilave u bë dashuria e jetës së saj), ajo u bë gjithnjë e më femërore për nga paraqitja.

Në fakt, kur hyri shekulli i 20, miqësia romantike vdiq gradualisht, një fenomen që Faderman e quan si “shumë të thjeshtë për t’u mbijetuar kohërave komplekse”.

Ajo shkruan: “Ishte gjithashtu fillimi i një periudhe të gjatë të mbylljes së shtigjeve të çdo lloj lidhjeje mes femrave. Intimiteti i çmuar që femrat e rritura ishin lejuar të shijonin me njëra-tjetrën më herët, fjetja në një shtrat, mbajtja e duarve, shkëmbimi i premtimeve për dashuri të përjetshme, letrat e dashurisë në gjuhë romance, u bënë të rralla”.

Falë ndikimit të Frojdit dhe “të gjithë pjellës së tij shpirtërore”, Faderman argumenton se në fund të shekullit 20, njerëzit u bënë shumë të sofistikuar rreth çështjeve të seksualitetit dhe dashuria mes femrave ishte zhveshur nga pafajësia seksuale e dikurshme:

Nëse dy femra që e gjejnë veten të lidhura nga pasioni, zgjedhin ose jo ta identifikojnë veten si lesbike sot, ato duhet të analizojnë të paktën mundësinë e tërheqjes seksuale mes tyre dhe të vendosin nëse duhet të bëjnë gjë për këtë. Një vetëdije e tillë seksuale mund të shmanget lehtësisht në fazë të hershme.

Sigurisht, Faderman po shkruante më shumë se dy dekada më parë për triumfin e barazisë së martesës dhe aspektin politik në eliminimin e një pjese të madhe të “vetëdijes”, që ne ia kemi borxh veçanërisht një gruaje: Edith Windsor, mbrojtësja e shenjtë dhe guximtare e dashurisë moderne që luftoi për shenjtërinë e dashurisë që ajo kishte me gruan e saj prej 42 vitesh, Thea Spier, dhe për të drejtën e ligjshme për të qenë të barabartë në syrin e drejtësisë.

Ende është me rëndësi të mbahet parasysh se çdo ndryshim kulturor është produkt i dekadave dhe ndonjëherë edhe shekujve, e hapave përpara dhe përpjekjeve të përbashkëta e të vazhdueshme.

Së fundmi, dashuritë e të njëjtit seks po ligjërohen ngadalë në vende të ndryshme të botës, dhe miqësia romantike ndriçon në zemrat e vajzave kudo në planet, por shumë pak prej tyre guxojnë t’ia thonë emrin.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat