Djaloshi holandez që po i kushton rininë pastrimit të oqeaneve

Ndryshe

Djaloshi holandez që po i kushton rininë pastrimit të oqeaneve

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 19:34

Boyan Slat është një 20-vjeçar në mision, ai synon të pastrojë oqeanet e botës nga plastika që pluskojnë në to. Ai ia ka përkushtuar vitet e tij të adoleshencës, gjetjes së një mënyre për t’i mbledhur ato. Por mund të funksionojë sistemi vërtet dhe a është e logjikshme kur mbetjet e reja plastike derdhen në det çdo ditë?

“Nuk e kuptoj përse ‘obsesiviteti’ ka kuptim negativ, unë jam një i fiksuar dhe më pëlqen”, thotë Boyan Slat. “Më vjen një ide dhe i qëndroj besnik asaj”.

Kjo ide i lindi atij në moshën 16-vjeçare, në verën e vitit 2011, kur po lundronte në Greqi. “Pashë më shumë qese plastike se peshq”, thotë Slat. Ai ishte i tronditur dhe akoma më i tronditur nga fakti se këtij problemi nuk i ishte gjetur zgjidhja. “Kushdo më tha: ‘Oh, s’mund të bësh asgjë për plastikën sapo hyn në oqeane’, dhe unë pyeta veten nëse kjo ishte e vërtetë”.

Gjatë 30-40 viteve të fundit, miliona tonë plastikë kanë hyrë në oqeane. Prodhimi global i plastikës rezulton tani në 288 milionë tonë në vit, 10 për qind e të cilave hyjnë në oqeane.

Më shumë se 80 për qind vjen prej burimeve tokësore. Plehrat hyjnë në vendet e drenimit të qytetit, përfundojnë në lumenj dhe papritur gjithçka ke hedhur në rrugë, një ditë më parë, përfundon në det.

Plastika transportohet nga rrymat në pesë sistemet qarkulluese të ujit, të quajtura gjire, në oqeanet e mëdha, më famëkeqi ndodhet mes Havait dhe Kalifornisë, në atë që konsiderohet si “toka e plehrave në Paqësor”.

Pavarësisht se përqendrimi i plastikës në këto zona është i lartë, saqë ndonjëherë përshkruhen si supë plastike, plastika nuk qëndron në një vend, por lëviz. Këta faktorë e bëjnë pastrimin e oqeaneve një sfidë.

“Shumica e njerëzve kanë imazhin e një ishulli plehrash, ku mund të ecësh, por nuk është kështu”, thotë Slat. “Plehrat janë të shtrira për miliona kilometra katrorë, saqë nëse përpiqesh t’i pastrosh me anije, do të duheshin mijëra vjet”. Jo vetëm kaq, por do të ishte shumë e kushtueshme nga aspekti i parave dhe energjisë dhe mund të kapje aksidentalisht peshq në rrjeta.

Slatit i ka pëlqyer gjithnjë të zgjidhë probleme dhe teksa pyeste veten për këtë, i erdhi një ide: përse të ndjekësh plastikën, kur mund të kontrollosh rrymat dhe të presësh plastikën të vijë te ti?

Në shkollë, Slat e zhvilloi edhe më shumë këtë ide si pjesë e një projekti shkencor. Një grup barrierash lundruese, të vendosura në shtratin e detit, së pari do të kapnin dhe përqendronin mbeturinat lundruese. Plastika do të lëvizte përmes barrierave drejt një platforme, ku do të mund të nxirrej në mënyrë efikase.

Rryma oqeanike mund të kalonte poshtë barrierave dhe bashkë me të, te gjallesat e detit. Nuk do të ketë emisione, apo rrjeta ku të ngecë jeta ujore. Plastika e mbledhur në oqean, do të riciklohej dhe do të kthehej në produkte, ose naftë.

Projekti i shkencës në gjimnaz u nderua si më i miri nga ana teknike në Universitetin “Delft” të Teknologjisë ( në Holandë). Shumica e adoleshentëve, do ta kishin lënë me kaq, por Slat ishte ndryshe. Atij i pëlqente inxhinieria që në moshë të vogël. “Në fillim ndërtova shtëpi në pemë, më pas tela rrëshqitës dhe evoluova drejt gjërave më të mëdha”, thotë ai.

“Kur isha 13 vjeç, kisha shumë qejf teknikën raketore”. Kjo i dha atij një rekord botëror Guinness për numrin më të madh të raketave ujore të lëshuara njëkohësisht: 213, nga një fushë sportive në Delft.

“Eksperienca më mësoi si të manipulosh njerëzit, aq sa për të bërë gjërat që ti do dhe si t’u qasesh sponsorëve”. Siç rezulton, aftësi tepër të mira.

Kur Slat filloi studimin e inxhinierisë së hapësirës ajrore në universitetin “Delft”, ideja për pastrimin e oqeaneve nuk i hiqej nga mendja.

Ai themeloi një fondacion, “Pastrimi i Oqeanit”, dhe e shpjegoi konceptin e tij te bisedat TedX: Si munden oqeanet të pastrojnë vetveten?!. – Më pas, gjashtë muaj nga kjo, ai vendosi të linte në mes studimet dhe jetën shoqërore, për të vënë në jetë planin e tij.

Buxheti i tij ishte vetëm 200 euro të kursyera nga ai. Ndonëse kishte shpenzuar mjaft kohë për të gjetur sponsor, askush nuk ishte i interesuar. “Më kujtohet një ditë kur kontaktova 300 kompani për sponsorizim – vetëm njëra u përgjigj dhe rezultoi një rrugë pa krye”.

Por më pas diçka ndodhi. Më 26 mars 2013, muaji pasi ai kishte publikuar gjëra online, biseda në TedX u bë shumë e klikuar. “Ishte e pabesueshme”, thotë ai. “Papritur qindra mijëra njerëz vizitonin faqen tonë të internetit, 1500 mesazhe erdhën në postën time elektronike nga njerëz që dilnin vullnetarë për të dhënë ndihmën e tyre”. Për 15 ditë u mblodhën 80 mijë dollarë.

Slat nuk e di sesi ndodhi e gjitha kjo, por ishte një çlirim i madh për të. “Një vit më parë, nuk e kisha idenë nëse do dilte me sukses”, thotë ai. “Por duke konsideruar përmasën e problemit, ia vlente ta provoje”.

Sasia e plastikës së hedhur në mjedisin detar, është aq e madhe, saqë mund ta krahasosh me një oqean ku një e treta e biomasës së peshqve përbëhet nga plastika, sipas Nicholas Mallos nga Konservatori i Oqeanit, që organizon pastrime të bregdetit.

Sipas Programit Mjedisor të OKB-së, ka afërsisht 13 mijë copa plastike që lundrojnë në një kilometër katror të oqeanit, por kjo shkon në miliona, kur bëhet fjalë për gjiret. Shumë prej këtyre plastikave përfundojnë duke u ngrënë pa dashje nga speciet detare, të cilat mund të ngordhin menjëherë ose ngadalë, prej plastikës që mbush stomakët e tyre.

Albatrosët janë më të predispozuarit, sepse ushqehen me vezët e peshqve fluturues, të cilët janë të lidhur me objektet pluskuese, që tani përbëhen nga copat e plastikës.

Dr Jan Andries van Franeker, nga Instituti i Burimeve Detare dhe Studimeve të Ekosistemit (IMARES) në Holandë, i ka disa prej këtyre objekteve në një enë në zyrën e tij: një furçë dhëmbësh, çakmakë, një top golfi – të gjitha këto të gjetura tek albatrosët.

“Plastika mund të mos e ketë vrarë direkt shpendin, por e ka bërë që të ketë më pak energji të rezervuar dhe të ketë përqendrim më të lartë të kimikateve në organizëm”, tha ai.

Breshkat janë viktima të qeseve plastike, pasi ato notojnë në ujë dhe duken si kandil deti. Sapo kanë filluar t’i hanë, breshkat e kanë të pamundur t’i largojnë ato.

“Për shkak se kandilat janë të rrëshqitshëm, breshkat e detit kanë një sistem në fyt që e ndalon prenë e tyre të largohet; kur kjo ndodh me qeset plastike, nuk ka kthim pas”, thotë van Franeker.

Sasia e materialit plastik që van Franeker gjen te shpendët, ka ardhur në rritje që prej viteve 1980. “Për fabrikat është humbje nëse ato humbasin produktin bazë, por për plastikën e konsumit, ka pak përfitim.

Ndonëse mund të duket se nuk na kushton asgjë ta hedhin plastikën, çmimi është shumë i lartë po ta mendosh në terma afatgjatë.

Plastika mund të sillet si sfungjer dhe të thithë kimikatet në ujë. “Ka shumë ndotës në oqeane tani. Këto i absorbon plastika dhe dihet që zogjtë dhe peshqit po hanë copëza plastike, ndaj pyetja është si po e transformon plastika zinxhirin ushqimor?”, pyet Nancy Wallace nga Programi Amerikan për Administrimin e Oqeaneve dhe Atmosferës.

Është një situatë e rëndë, ndaj kur Slat erdhi me një zgjidhje të thjeshtë, ai filloi të dilte në titujt kryesorë të gazetave në të gjithë botën. A mund ta shpëtojë botën një adoleshent? Entuziazmi i tij pushtoi miliona njerëz kudo në botë, por së bashku me ndihmën dhe donatorët, erdhën edhe kritikat.

Disa u shprehën se nuk do të funksiononte, e të tjerë sugjeruan më mirë mbledhjen nga brigjet.

“Është në natyrën time se kur njerëzit thonë se diçka është e pamundur, më pëlqen t’i provoj se e kanë gabim”, thotë Slat.

Me vëmendjen e botës të drejtuar nga ai, e para gjë që bëri, është të zhdukej nga sytë e të tjerëve. I duheshin prova shkencore që të mbështesnin teorinë e tij dhe që t’u përgjigjej kritikëve.

Ai mblodhi një skuadër prej 100 personash, shumica vullnetarë, nga e gjithë bota. Të menaxhoje kaq shumë njerëz në një moshë të tillë, ishte “interesante”, thotë Slat.

Gjatë studimit, Slat vizitoi gjirin (Qyre)në vendgrumbullimin e plehrave në Atlantikun Verior, ku është planifikuar të ndërtohet platforma e tij.

Në qershor, një muaj përpara se të mbushte 20 vjeç, Slat nxori një raport prej 530 faqesh për realizueshmërinë e projektit të tij ku kishin kontribuar 70 shkencëtarë dhe inxhinierë, duke iu përgjigjur pjesës më të madhe të pyetjeve të bëra nga kritikët e tij.

Kjo u pasua nga një financim prej 2 milionë dollarësh. Kjo do të financojë një plan pilot vitin tjetër dhe Slat shpreson që platforma në Atlantikun Verior të bëhet realitet në vitin 2020.

Por ideja e Slat se të gjithë ekspertët në fushën e plastikës së oqeaneve, do ta mbështesnin konceptin e tij, ishte e gabuar.

Ka nga ata kritikë që i sugjerojnë Slatit të përqendrohet te derdhjet e lumenjve që kërkojnë më pak para dhe energji.

Për shkak se plastika në oqeane shpërbëhet në copëza të vogla të quajtura mikroplastika, pastrimi i plastikës në sipërfaqe është një nga problemet më të vogla.

Një studim nga Universiteti Ghent në Belgjikë, zbuloi mikroplastikë te molusqet dhe midhjet.

Pjesë më të vogla se 2mm nuk mund të kapen nga sistemi i Slatit, por gjithsesi largimi i pjesëve të mëdha do të ndihmojë në parandalimin e rritjes së sasisë së mikroplastikës nëpër oqeane.

Problemi është se plastika nuk po pluskon vetëm në sipërfaqe, por është gjetur edhe në thellësi, madje edhe në dyshemenë e oqeanit.

Një tjetër problem është ndikimi te jeta e specieve oqeanike. “Në terma të dëmit biologjik, koncepti është me defekte”, thotë van Franeker. “Ata thonë se çdo gjë e gjallë do ketë mundësinë të notojë poshtë shtresës së plastikës, por për shembull vezët e peshqve, do të ngecin te plastika dhe do të jenë ende atje për t’u ngrënë nga albatrosët. Në 10 vite do të kemi larguar të gjitha vezët e peshqve së bashku me plastikën”.

Disa kompani kanë filluar të projektojnë teknologji për pastrimin e oqeaneve dhe lumenjve nga plastika dhe ky është një lajm i mirë. Nga ana tjetër, djaloshi 20-vjeçar, Boyan Slat, vazhdon të punojë 15 orë në ditë për projektin e tij, por shprehet se nuk pendohet, edhe pse shokët e tij shijojnë një jetë pa kokëçarje. Ai ka qëllime më të mëdha sesa konsumi, ai synon të shpëtojë botën nga problemi shkatërrues i plastikës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat