KOSTA-RIKA, Zvicra e vogël e Amerikës Latine

Ndryshe

KOSTA-RIKA, Zvicra e vogël e Amerikës Latine

Nga: Marrë nga “Geo-Magazine” Më: 23 shtator 2014 Në ora: 17:21

Ndërkohë, në afërsi të vullkanit “Arenal”, po lulëzojnë hotelet e resortet turistike si “Erupciones Inn”, edhe pse rreziku që turistët e klientët e tyre të vdesin, mbetet evident

Gurët e nxehtë të llavës vullkanike janë mbuluar nga pluhuri e hiri. Përgjatë ditës, ata zbresin nga lart e netëve ndriçojnë me masat e tyre të squfurit në ngjyrë të kuqe e të gjelbër nën vëzhgimin e yjeve të natës. Për 24 orë rresht, vullkani mitik “Arenal” lëshon copa të nxehta nga krateri i tij. Në këtë pasdite të vonë, mbulesa e reve çahet plotësisht. Kaq e kthjellët pamja aty nuk është çdo natë. Turistët e ekskursionistët ndalojnë me makinat e tyre të kampingjeve, nxjerrin dylbitë dhe shportat e piknikëve. Në hotele me emrin si “Volcano Lodge” dhe “Erupciones Inn” klientët ulen mbi tarracë e verandë, duke e hedhur vështrimin nga vullkani. Edhe në qytete si La Fortuna, drejtohen shumë kokë për të parë “Arenalin” 1633 metra të gjatë, që nëpërmjet aktivitetit të tij, rritet çdo vit me disa centimetra.

Në rrugën provinciale, Martin Çavez është në kërkim të një vendparkimi me pamje nga vullkani. 31-vjeçari nga San Hozé frenon. Një arush del nga strofkulla e tij në pyll, e futet drejt e në rrugë duke vrapuar mbi asfalt, hutohet ndërsa sheh vijat e verdha që ndajnë rrugën në mes e i hakërrehet makinës, për t’u zhdukur sërish në drejtim të pyllit që shtrihet deri pranë majës së vullkanit. Reaksioni i shpejtë i udhërrëfyesit kishte bërë që një ditë më parë, në një rast të ngjashëm, t’i shpëtonte jetën një gjarpri gjigant.

Dielli humbet në të kuqen e tij të artë. Rikardo Araja hedh një gllënjkë verë të kuqe. “Çdo ditë e shoh me krenari e kureshtje këtë mrekulli të perëndisë”, thotë pronari i hotelit luksoz “Arenal Kioro”, duke na treguar me dorë vullkanin, ku grinë e llavës së djegur, tashmë e ndezin sërish nuancat e shndritshme që vijnë nga copëza akoma të pashkrira. E zhurma e kërcitjeve karakteristike të llavës, dëgjohet qartë.

Pakujdesia mund të jetë vrastare

65-vjeçari përshëndet çdo klient dhe nëpunës me dorë. “Për rreziqet e një shpërthimi – thotë Don Rikardo – ne kemi tashmë një sistem modern alarmi, dhe kësisoj një evakuim eventual është gjithnjë i mundshëm”. Një shpërthim vullkanik dikur, në vitin 1968, pati shkatërruar dy fshatra dhe gjithashtu, u pati marrë jetën 87 banorëve. Më vonë, pati dhe viktima të tjera, kur disa ekskursionistë e amatorë vullkanesh u prekën lehtë nga llava e patën probleme me frymëmarrjen nga gazrat që çlironte vullkani.

Rajoni “Arenal” shtrihet në veriperëndim të Kosta-Rikës dhe i përket kështu njërit prej rajoneve turistike më të zhvilluara në vend. Rrjeti rrugor e ai hekurudhor aty, është i mirë. Hotele, bujtina, restorante dhe tregje lokale, janë me të vërtetë për t’u admiruar. Vendi me 3,6 milionë banorë mbulohet nga vargmale që kapin lartësinë deri në 3839 metra. Në Paqësor, në Perëndim, dhe në Karaibe, në Lindje, gjenden shumë plazhe joshëse e ekzotike.

“Zvicra e Amerikës Latine”

“Zvicra e Amerikës Latine” ka bërë që të vijnë këtu plot turistë, kryesisht europianë, por edhe amerikanë, latinoamerikanë të tjerë, australianë e aziatikë. “Njerëzit janë miqësorë, situata politike stabël e me një traditë të gjatë demokracie (plotësisht e ndryshme nga tradita gjakatare e diktatoriale e vendeve përreth), ndërsa klima e investimeve dhe moti plotësojnë njëra-tjetrën”, thotë njëri nga turistët e shumtë që ka ardhur aty nga Europa. Franc Ulrih, 65-vjeçari nga Lucerni i Zvicrës ka qenë më parë menaxher i një lokali në qytetin e lindjes. Më pas ai ndërtoi “Zvicrën e tij të vogël”, të quajtur “Pequena Helvetia”, në detin që shtrihet poshtë vullkanit mitik “Arenal”. Dy restorante, një hotel për familjarë, një platformë hekurudhore dhe një teleferik, stalla për dema dhe kopshte të lulëzuara, janë investimet e tij me këtë rast, të cilat kanë bërë që turistët të vijnë e të rivijnë shpesh për ta kundruar e shijuar.

Pak kilometra më tej jetojnë madje edhe një grup tjetër emigrantësh të ardhur nga Europa, që shprehen të gëzuar me “jetën e re”: Antonio nga Spanja, Thomas nga Gjermania, Pierre nga Franca etj., që menaxhojnë kafene e bëjnë dhe bukëpjekësin në një “German Bakery” për shembull, apo ushtrojnë pasionin e tyre për artin, duke menaxhuar një galeri me emrin “Center of Indigenous”, e pasur me vepra arti të epokës së indigjenëve vendas, banorët e hershëm të Kosta-Rikës.

Majmunë gojëçjerrë dhe zogj të rrallë

Rrugës për në resortin malor “Monteverde”, Otto (çuditërisht një emër i zakonshëm në Kosta-Rika) shkel frenat, këtë radhë butësisht. Asnjë kafshë nuk po shohim të hidhet në rrugë, por një tufë majmunësh na bëjnë të shohim të mahnitur veprimet e tyre akrobatike. Deri në pesë metra, dykëmbëshit e mëdhenj arrijnë t’u afrohen kamerave tona. Më pas ata ikin sërish.

Në “Selvatura Park” që ndodhet aty pranë, mbushur me ura të varura në një mjedis përrallor, në ditë të qeta për turistët është një rast i mirë për të parë zogj të rrallë. Një vështrim i shkurtër drejt një zogu bishtgjatë, është madje një ëndërr edhe për vendasit që e cilësojnë atë si një dhuratë e rrallë e natyrës. “Unë këtë shpend e kam hasur rreth 50 herë në pesë vjet vizita këtu”, thotë Hoze Dario Sonano, shefi i seksionit rinor të parkut “Selvatura”. “Më mahnit gjithmonë dhe shtangem nga frika se mos ai trembet e ikën prej meje”.

Kush nuk është i dhënë pas florës e faunës së pasur, mund të marrë një anije apo të flejë në një bujtinë malore në pyll, apo lëndinë. Vendi i quajtur “Puerto Viejo” ndodhet në gjysmë të rrugës mes kryeqytetit San Hozé dhe “La Fortuna”-s. Atë e kanë shkelur ndërkohë shumë të huaj. “Iguanat dhe tukanat mund të shihen lirisht nga ballkoni i një vile aty pranë”, thotë Alen Gonzalez, pronar i hotel “El Bambú”. Nga bujtina malore deri te limani i vogël i barkave “Sarapiquí” më këmbë bëhet për dhjetë minuta.

Një udhëtim prej dy orësh në këtë paradite të nxehtë, na solli këtë bilanc: dhjetë majmunë gojëçjerrë, gjashtë iguana krahëgjata, një duzinë breshkash, tre zogj qafëgjarpër dhe një kajman (aligator i Amerikës Latine). “Te ne mund të hasësh kaq shumë kafshë e bimësi, sepse ne e adhurojmë natyrën e kujdesemi për të”, thotë Denis Guerrero Ramirez, ekonomisti agrar 51-vjeçar që ndihet krenar me vendlindjen e tij.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat