Kërkesa e kinezëve për fildish po vret elefantët në Afrikë

Ndryshe

Kërkesa e kinezëve për fildish po vret elefantët në Afrikë

Më: 30 gusht 2014 Në ora: 12:24

Kontrabandistët kanë vrarë 100 mijë elefantë në Afrikë nga viti 2010 deri në 2012-n, një shifër e madhe për kontinentin dhe për mamalët më të mëdhenj në botë. E gjitha kjo vjen prej rritjes së kërkesës për fildish, raporton një studim i fundit.

Gjak dhe fildish

Paralajmërimet për vrasjet masive kanë qarkulluar prej vitesh, por studimi i publikuar të hënën është i pari kërkim shkencor që mat saktësisht shifrat për kontinentin.

Hulumtimi, që u krye nga ekspertët më të mirë të elefantëve, zbuloi se përqindja e vrasjeve të paligjshme të elefantëve ishte rritur nga 25 për qind të një dekade të parë, në 65 për qind sot, fenomen ky që nëse vazhdon, do të çojë në zhdukjen e species.

Zhvillimi i klasës së mesme dhe rritja e kërkesës për fildish në Kinë, janë faktorët kryesorë për rritjen e çmimit në tregun e zi dhe për nxitjen e vrasjeve masive në Afrikë.

“Afrikanët janë treguar të gatshëm të ndërmarrin rrezikun kriminal. Shkaku për këtë është i qartë”, tha drejtuesi i studimit, George Wittemyer nga Universiteti Shtetëror i Kolorados.

Lufta kundër kontrabandistëve

“Është e qartë se të gjithë këtë po e shkakton Kina ose Lindja e Largët”, tha konservatori Ian Craig. “Nëntëdhjetë për qind e fildishit që del prej Aeroportit të Najrobit ka si pronarë shtetas kinezë.”

Studimi u krye nga ekspertë të “Save the Elephants”, Shërbimi i Jetës së Egër në Kenia, një grup ndërkombëtar i quajtur MIKE, përgjegjës për monitorimin e vrasjeve të paligjshme të elefantëve dhe prej dy universiteteve ndërkombëtare.

“Kërkesa aktuale për fildish është e paqëndrueshme. Ky është konkluzioni ynë kryesor. Duhet të ulet. Ndryshe numri i elefantëve do të vazhdojë të zvogëlohet”, tha Iain Douglas-Hamilton, themelues i “Save the Elephants”.

Vrasja e elefantëve nuk po ndodh në të njëjtën shkallë në Afrikë. Përqindja më e madhe po ndodh në Afrikën Qendrore, ku ajo Lindore – Tanzania dhe Kenia, nuk është pas.

Botsvana është një vend me popullatë të qëndrueshme ose në rritje. Rinoqerontët e Afrikës së Jugut po vriten, por kontrabandistët nuk kanë filluar ende të sulmojnë elefantët.

Kontrabandistët kërcënojnë mbijetesën e elefantit afrikan

Vetëm në tri vitet e fundit, numri i popullatës së elefantëve në rezervatin e Tanzanisë zbriti nga 40 mijë, në 13 mijë.

Kina është në dijeni për rolin e saj në problemin e fildishit. Ambasada kineze në Kenia dhuroi këtë muaj mjete antikontrabandë. Ambasadori kinez, Liu Xianfa, tha në ceremoninë e dhurimit, se Kina po bën përpjekje te njerëzit e saj që të kuptojnë rritjen e tregtisë joligjore të fildishit.

“Krimet në jetën e egër janë një kërcënim që e kalon kufirin”, tha Liu, në ceremoni. “Unë ju siguroj se më shumë veprime do të ndërmerren si vazhdim i mbështetjes sonë për të përmbushur premtimin. Ne besojmë se, përmes përpjekjeve të përbashkëta, lufta ndaj krimeve të bëra të kafshëve do të rezultojë e suksesshme.”

Numri i elefantëve

Numërimi i elefantëve është tepër i vështirë. Edhe Douglas-Hamilton refuzon të japë një numër të caktuar të elefantëve që jetojnë në Afrikë. Një numër i përafërt është 400 mijë, por themeluesi i “Save the Elephants” do të shprehej se askush nuk e di me siguri.

Numërimi i elefantëve që humbin jetën është akoma më i vështirë. Por një projekt i “Save the Elephants” në Rezervatin Kombëtar Samburu të Kenias ka mbajtur llogari në lindjet dhe vdekjet e elefantëve – përfshirë ato natyrale apo prej kontrabandistëve. Duke i krahasuar me numrin e lindjeve dhe vdekjeve natyrale të kontinentit në vitet 2010-2012, arritën të përcaktonin se ishin 100 mijë.

“Kjo është puna më e mirë e mundshme prej të dhënave më të besueshme, të cilat i përdorin zyrtarët e organizatave më të mira, ndaj numri duhet të jetë i saktë”, tha Wittemyer.

“Për shkak të magnitudës së çështjes dhe politikave jemi treguar shumë të kujdesshëm. Shqyrtimi i bërë është i një niveli më të lartë se pyetjet e nxjerra gjatë procesit.”

Pavarësisht vdekjeve në numër të madh, si Wittemyer dhe Douglas-Hamilton besojnë se elefantët mund të mbijetojnë. Ky i fundit vuri në dukje se elefantët mbijetuan edhe gjatë krizës kontrabandiste në vitet ’70 dhe ’80 të nxitur nga Japonia.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat