Zogu më i madh nga të gjithë

Ndryshe

Zogu më i madh nga të gjithë

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 18:43

Shkencëtarët i kanë identifikuar mbetjet e një shpendi të lashtë, që me një shtrirje krahësh prej 6 deri në 7 metra, mund të jetë më krahëgjati që ka fluturuar ndonjëherë

Shkencëtarët e kanë identifikuar shpendin më të madh fluturues të njohur ndonjëherë – një trupmadh të ngathët me një shtrirje krahësh prej 6.40 metra apo më tepër, i cili me gjasë ka fluturuar mbi ujërat e lashtë nja 25 milionë vjet më parë. Megjithatë, deri më tani ai ka qenë një shpend i cili shumë pak ekspertë kanë besuar se mund të ngrihej lart. Në bazë të formulave tradicionale të fluturimit, shpendi i zhdukur detar – dyfish më i madh sesa albatrosi modern – ishte thjesht shumë i rëndë për të fluturuar me ndihmën e krahëve të tij të gjatë dhe të brishtë.

Por, një analizë e re kompjuterike, e raportuar të hënën në revistën shkencore Proceedings of the National Academy of Sciences, ka treguar se shpendi me sa duket mund të fluturonte pa problem në ajër, për të qëndruar lart për një javë apo më shumë pa pushuar. “Ky shpend ka qenë i aftë të rrahë krahët e tij dhe të ngrihet lart, ndonëse ai ishte shumë më i rëndë sesa maksimumi teorik i peshës së një shpendi fluturues që rrah krahët e tij”, ka thënë Luis Chiappe, ekspert i evolucionit të fluturimit në Muzeun e Historisë Natyrore të Qarkut të Los-Anxhelosit, i cili vetë nuk ka qenë i përfshirë në projekt. “Perspektiva jonë moderne për shumëllojshmërinë e fluturimit është bajagi e kufizuar”, ka thënë Chiappe. “Këta kanë qenë shpendë shumë unikë”, është shprehur eksperti.

Vërtet, nëse analiza e re e fluturimit e saktë, shpendi ka mundur të fluturojë më shpejtë sesa që mund të vrapojë një atlet olimpik, duke udhëtuar me shpejtësi prej deri në 15 metra në sekondë.
“Kjo ka qenë njëfarë krijese shumë e habitshme”, ka thënë paleontologu i shpendëve Daniel T. Ksepka nga Muzeun Bruce në Griniç të Kënetikëtit, i cili ka kryer analizën e biomekanikës së shpendit. “Shkenca e kishte bërë një rregull për fluturimin, ndërsa jeta arriti ta shmangte atë”.
Ndërtimtarët i kanë zbuluar mbetjet fosile të shpendit më 1983, teksa po hapnin themelet për një terminal të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Çarlestonit në Karolinën Jugore. Ai quhej formalisht Pelagornis sandersi, në ndër të Albert Sanders, kurator i Muzeut të Çarlestonit, ku mbahet specia. Ky shpend është i vetmi i llojit të tij i gjetur deri më tani, por fosilet e të afërmve të tij të ngushtë janë gjetur në mbarë botën. Sqepi i shpendit ishte i kufizuar nga dhëmbë sikur gjilpëra. Në jetë, ai peshonte ndërmjet 20 dhe 40 kilogramë. Eshtrat e hollë të krahëve të tij nuk ishin të trashë as një milimetër dhe ishin të paktën 6 metra të gjatë në total – aq të brishtë saqë ekspertët që së pari i kanë studiuar ato kanë dyshuar që krahët mund të gjeneronin ngritjen e nevojshme për fluturim.

“Kjo është padyshim gjatësia më e madhe e krahëve që ne kemi parë në një shpend”, ka thënë Dr. Ksepska. “Ndër gjërat më të çuditshme që ne kemi parë, e ngjashme me asgjë në botë sot”.
Për të testuar kapacitetet e tij fluturuese, Dr. Ksepska ka bërë 24 simulime kompjuterike që kanë testuar, ndër të tjera, energjinë e muskujve të fluturimit, stilet e të rrahurit të krahëve, peshën e trupit dhe proporcionin e gjatësisë dhe gjerësisë. Ai ka ardhur në përfundim se shpendi ishte çuditërisht një krijesë fltuurese me strukturë të atillë që mund të fluturonte të paktën po aq mirë sa një albatros – shpendi më i madh fluturues sot – dhe shumë më mirë sesa një kondor modern.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat