Futbolli dhe politika, një ndërthurje “alla franceze”

Ndryshe

Futbolli dhe politika, një ndërthurje “alla franceze”

Nga: Marrë nga “Die Welt” Më: 8 korrik 2014 Në ora: 19:17

Dikur futbolli kish ndikuar në rritjen e besimit te paraardhësi i tij, e sot ndikoi te Hollande. Sarkozy i akuzuar, Hollande i rënë tërësisht në kuota, Le Pen nga e djathta – dhe për më shumë, edhe grushti i Manuel Nojerit. Por shpresa është sërish e gjallë…

Franca në krizë: Kundër ish-presidentit Sarkozy (majtas) po hetohet për abuzime, ndërkohë që Presidenti aktual, Hollande, vuan nga shifrat e një ekonomie në rënie. Marine Le Pen kërcënon establishmentin politik në vend nga pozita të djathta ekstreme. Por duket se dikë nga këta të tre, futbolli i ka ardhur në ndihmë pikërisht në momentin e duhur…

Për një moment të shkurtër u duk se shpresa ishte rikthyer te Franca. Nisi në mbrëmjen e 15 qershorit, me atë fitore 3:0 të “Équipe Tricolore” mbi Hondurasin. Dhe zgjati deri të premten e kaluar në orën 19:50. Më pas, shpresa e tyre u shkri nga grushti i hekurt i portierit gjerman, Manuel Nojer. Dy javë më parë, më 20 qershor, ekipi kombëtar francez e kishte goditur fort me shkelma Zvicrën fqinje me atë rezultat 5:2 dhe francezët po shqyenin sytë tashmë nga ky sukses i papritur. Se gjendej kaq shumë forcë në ekipin e tyre, nuk e besonin. Para së gjithash, nuk kishin guxuar të shpresonin se “Les Bleus” do të shfaqeshin si një “ekip”. Deri më tani, ekipi i tyre shihej vetëm si një tufë egoistësh të pandreqshëm. Në Botërorin e 2010, Franca vuajti shumë nga kjo përçarje në ekip, duke e shndërruar sherrin dhe grevën në autobusin e kombëtares, në një legjendë. Trajneri Didier Deschamps këtë herë, sidoqoftë, i kishte marrë masat që të mos merrte me vete “lëndë eksplozive” që do të degjeneronin mbarë ekipin. Masat e marra bënë punë. Ekipi i rinuar luajti pa probleme në këtë aspekt, e protagonistët e tij dhanë intervista modeste e të sjellshme, pa e kaluar masën. Kjo mjaftoi që francezët të ngjisheshin me turma sërish pas ekipit të tyre, për të cilin vetëm një vit më parë, sipas sondazheve, 82 për qind e tyre kishin akoma një vlerësim negativ. E njëjta trupë që në atë kohë vlerësonte se 84 për qind e francezëve i vlerësonin futbollistët e tyre si “egoistë” dhe 73 për qind si “vulgarë”, tashmë thoshte se ishin 56 për qind e tyre që i shihnin ata si “simpatikë”, 68 për qind “të talentuar” dhe 75 për qind si “të motivuar plotësisht”.

Hollande përfitoi nga “tricolore”

Në Pallatin Élysée, të mbërthyer nga ethet e futbollit, ndeshjet po ndiqeshin me njëfarë xhelozie, pasi si ishte e mundur që brenda një kohe kaq të shkurtër të përmbyseshin vlerat negative të korrura nga opinionet publike. Në qerthullin e këtij suksesi, u rregullua disi edhe imazhi i François Hollande, duke e bërë atë më popullor se sa para kampionatit. Pa bërë asgjë në drejtimin e duhur, vlerat e tij po përmirësoheshin, nga minimumi në negativ historik prej 18 për qind, në një 23 për qind, gjithsesi kjo një vlerë, më e pranueshme. Hollande e mban mend mirë se Botërori 1998, i fituar nga Franca, paraardhësin e tij, Jacques Chirac, e kishte nxjerrë nga llumi i statistikave negative. Pasi ai u pa të festonte bashkë me fituesit në Champs-Élysées, në sondazhin e radhës, Chirac u ngjit me plot gjashtë pikë nëpër sondazhe publike. Edhe për këtë arsye thuhej se në korridoret e Élysée-së, njeriu më rëndësishëm i Hollande për momentin, e kishte emrin Valbuena dhe jo Valls – domethënë, sulmues i avancuar i kombëtares së futbollit dhe jo kryeministër i Francës. Kur u konstatua se kundërshtari në çerekfinale do ta kishte emrin Gjermani, rritja e entuziazmit dhe emocioneve të paktën në media ishte shumë e prekshme.

Perspektiva e konfrontimit me fqinjin

Pasi konfrontimi me fqinjin ofronte perspektivën joshëse, të vrisje dy zogj me një gur: mund të bëje nul momentin e padëshiruar të 1982 – kur Franca në gjysmëfinale të Botërorit në Spanjë, humbi kundër Gjermanisë me njëmbëdhjetëmetërsha. Dhe nga ana tjetër, paraqitej shansi që të tejkalohej partneri dhe rivali, më në fund. Se sa e thellë ishte kjo ndjenjë, pra që të jesh i varur nga fqinji në mënyrë jo të merituar, ndërkohë në Francë, lexohet nga këto indekse: në njërën anë, në dëshirën e pafrè të gazetarëve francezë, prepotencën ekonomike të Gjermanisë dhe raportet kundërthënëse që zbulojnë se, në anën e djathtë të Rinit jo çdo gjë është rozë. Një shembull aktual i këtij pasioni për të dekonstruktuar “modelin gjerman”, ishte edhe gazeta liberale “Libération”, që në ditën e ndeshjes publikoi një suplement të veçantë me titull: “Francë-Gjermani. Ndeshja tjetër”, thuhej në titull. Në brendësi të saj, vihej theksi te dobësitë gjermane dhe anët e forta të ekipit francez. Si pikë të fortë për të predikuar një fitore franceze, “Libération” shihte Francën (të menduara këto jo 100% seriozisht, sigurisht) në fusha të tilla si kinematografia, filozofia, politika energjetike dhe prodhimin e këpucëve gjithsesi para Gjermanisë – derisa mbërrinim në një kapërcim aventuresk të vetëkuptueshëm – e pikërisht tek birra, që “atdhe” mund të kishte veçse Gjermaninë.

Optimizmi zgjati vetëm pak

Nëse ka një vendlindje për kompleksin, ndërkohë në rritje të inferioritetit francez, tashmë 32-vjeçar kundrejt Gjermanisë, atëherë ai gjendet në stadiumin e Sevilla-s, në të cilin Harald Schumacher në atë kohë bëri që mesfushorit francez, Patrick Battiston, t’i thyheshin tri dhëmbë dhe të rrezikonte seriozisht humbjen e jetës. Jo vetëm fotot e këtij faulli – që këtu cilësohen thjesht si “l’attentat de Schumacher”– fluturonin në Francë shpesh nëpër ekrane. Kanali “France 2” transmetoi edhe një herë të gjithë ndeshjen e ‘82-shit. Franca, me siguri se mund të jetë vendi i vetëm në botë, në të cilën ajo humbje e 32 vjetëve më parë në një ndeshje futbolli, transmetohet edhe një herë e plotë në mbarë vendin, mu në orën e pikut të transmetimeve radiotelevizive. Se sa e madhe paskësh qenë nevoja për një korrektim të mëpasshëm të kësaj humbje traumatike, e dëshmon edhe rrethana se François Hollande, pikërisht të premten, ftoi për të parë “live” në Pallatin Élysée, Mishel Hidalgon – ish-trajnerin e ekipit francez në kohën kur Platinisë i shndriste ylli. Hidalgo dhe Hollande, së bashku po festonin revanshin në dukje të merituar ndaj Sevijës në kopshtin e pallatit presidencial, dhe këtë e ka dëshmuar më së miri një foto e lezetshme në Twitter-in e Pallatit Élysée – dhe ndoshta është pikërisht ajo foto që ka sjellë edhe ato dy pikë si bonus nëpër sondazhe për Presidentin Hollande. Ndoshta nuk u dha rasti, po për një moment të shkurtër, Franca thuajse në mënyrë kolektive u mbërthye nga një ndjenjë solidare emocionesh, e cila prej kohësh kishte munguar: Optimizmi. Mund ta cilësoje thuajse një ndjenjë guximi. Dhe e gjitha kjo, pasi ishte ngjallur shpresa për të mundur Gjermaninë. “Na lini të ëndërrojmë”, përbetohej në titullin e saj gazeta bulevardeske “Parisien/Aujourd’hui en France”, ditën e ndeshjes. “Këtë herë është e mundur”. Gjermania nuk është e pamposhtur, thuhej në kryeartikullin e gazetës, pasi 2014 nuk është 1982 – dhe gjenerata e re e “Bluve” qenkësh tani më solide, më e disiplinuar, këmbëngulëse dhe plot ambicie”. Ky ekip, çuditërisht luan “thjesht për të fituar” dhe posedon atë lloj “je-ne-sais-quoi”, një përzierje mes talentit dhe fatit, e cila të bën të shkosh përpara. “Ne besojmë se ata do t’ia arrijnë”, përmbyllte në fund artikulli, që në mënyrë simptomatike bëri që të shpërthente një valë e papritur diskutimesh. Sidomos reporterë “gërricës” e pyesnin presidentin madje, nëse në rast të një fitoreje të pritshme në finale të francezëve më 13 korrik, parada për festën kombëtare të Francës nuk do të mund të zhvendosej më datë 14, me bekimin e tij, pasi tekefundit ekipi ngadhënjimtar kombëtar do të pritej me nderime të mëdha në “Champs-Élysées”. Nëse ky vend do të vendoste qoftë edhe gjysmën e besimit në forcat e veta në zgjidhjen e problemeve ekonomike në atë ditë, atëherë ndoshta vitin tjetër buxheti do të balancohej. Problemi logjistik më 14 korrik, të paktën Hollande nuk do të duhet ta përballojë. Pasi Franca dështoi me ç’duket kur hasi “realizmin” gjerman dhe “eficencën” e madhe të kundërshtarit, thanë në unison komentatorët e ndryshëm – pa e ditur se ata këtu thjesht po huazonin edhe pjesë nga analizat e kolegëve të tyre të sektorit ekonomik. Por ekipi është akoma i ri, dhe Kampionati Europian do të luhet në vendin e tyre në 2016. Një copëz nga gëzimi fillestar pra haset qysh në këto momente – të paktën për sa i takon perspektivave futbollistike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat