Vjedhja: Si e mashtrojnë mendjen e viktimave hajdutët e xhepave

Ndryshe

Vjedhja: Si e mashtrojnë mendjen e viktimave hajdutët e xhepave

Më: 8 korrik 2014 Në ora: 19:12

Sipas shkencëtarëve, truri ynë është gjenetikisht i predispozuar për t’u mashtruar falë shpërqendrimit të vëmendjes dhe sistemeve të perceptimit. Në fakt, çelësi i suksesit për një hajdut xhepash nuk janë gishtërinjtë e shkathët, por njohuria për të metat e trurit.

Më e rëndësishmja prej këtyre është fakti se truri ynë nuk është i përcaktuar për të bërë shumë gjëra njëherësh. Ndonëse aftësia për të bërë vetëm një gjë gjatë një periudhe është një mundësi e mirë për t’u përqendruar, mashtruesit mund ta përdorin kundër nesh. Shkencëtarja e neuroneve, Suzana Martinez-Conde, ka studiuar truket që bëhen nga magjistarët e Las Vagasit. Një prej tyre, Apollo Robbins, i ngjit njerëzit në skenë, fillon t’i flasë, i kërkon të shohin andej-këndej, i prek, i afrohet dhe ngacmon një kundërpërgjigje emocionale, teksa hyn në hapësirën e tyre personale – kjo është një mbingarkesë e vëmendjes.

Edhe hajdutët e rrugës i përdorin këto veprime në dobi të tyre për të nxitur situata që nuk e ndihmojnë, por e mbingarkojnë sistemin e vëmendjes. Një trik klasik që përdoret nga gangsterët nëpër botë, është ai kur hajduti ecën përpara viktimës dhe më pas ndalon papritur duke bërë që viktima të përplaset me të. Një tjetër gangster përplaset me të dy dhe fillon diskutimin me viktimën. E zënë në befasi, viktima gjendet e çorientuar dhe kështu një ose të dy gangsterët vjedhin gjëra prej saj duke ia dhënë një anëtari tjetër të bandës që largohet së bashku me gjërat e vjedhura.

“Njerëzit mendojnë se gjithçka qëndron te largimi i vëmendjes së njerëzve duke i bërë të shohin tej, por në fakt çelësi është drejtimi i mendjes te diçka”, – thotë Xhejms Braun (James Brown), që bën hipnozë dhe numra shpejtësie në skenë.

“Nëse dua që të mos shohësh te diçka mbi tavolinë, atëherë do të të bëj të shohësh diku tjetër. Nëse të jap dy ose tre gjëra ku të përqendrohesh dhe ajo që unë nuk dua të shohësh nuk është një prej tyre, kjo e bën punën më të thjeshtë, sepse ty të duket se ke të drejtën e zgjedhjes, por që është në të vërtetë një iluzion”.

Taktikat e tjera janë më shumë psikologjike. Hajdutët e xhepave priren të qëndrojnë pranë tabelave që paralajmërojnë praninë e tyre, sepse e para gjë që njerëzit bëjnë pasi i lexojnë tabelat, është të kontrollojnë gjërat e tyre me vlerë. Edhe besimi luan rol shumë të madh. Në vitin 2009, një punonjës banke në Rusi i dha dikujt 80 mijë dollarë para të thata sepse u hipnotizua. Nëse dikush ngjall besim, atëherë vjedhja është edhe më e lehtë.

Lëvizjet e zgjuara

Në skenë, lëvizje të veçanta mund të na mashtrojnë. Kur Apollo Robbins filloi të punojë me shkencëtaren e neuroneve Martinez-Conde, ai i tha asaj se kishte besimin se mënyrat si i lëvizte duart ndikonin në vëmendjen e personit. Nëse Robbins e lëvizte dorën në një linjë të drejtë, kjo ishte më pak e dobishme se ta lëvizte dorën në trajektore të harkuar. Eksperimentet treguan se ai kishte të drejtë. Nëse do t’u duhet të ndjekin trajektore të drejta, sytë mund të kthehen më shpejt në pikën fillestare, ndërsa në atë të harkuar, shikimi bëhet më pak i vëmendshëm.

Lëvizjet e djallëzuara

Sigurisht, nëse kërkon të luash me fuqinë perceptuese të dikujt, një çast i mirë për ta bërë është natën vonë kur njerëzit kanë pirë disa pije dhe ndihen të trullosur. Braun thotë se ai kaloi një natë interesante duke vëzhguar hajdutët e xhepave në një klub nate në Londër. Ata përdorin disa taktika shumë të zgjuara. Një prej tyre është një vajzë që del nga një klub, fillon t’ju flasë teksa lëviz para-mbrapa fare lehtë. Personi që po pëson trukun, ose më saktë viktima, fillon të lëvizë gjithashtu. Njëri prej tyre ngatërrohet dhe rrëzohet dhe ky është çasti kur personi mbetet pa orë, pa portofol dhe pa gjithçka tjetër.
Shumica e hajdutëve janë oportunistë. Braun ka kaluar ca kohë me hajdutë romë dhe shprehet se ata kanë më pak aftësi sesa mendohet. Ekziston ideja se këta njerëz janë shumë të aftë dhe elegantë, por shumica e tyre nuk janë, ata thjesht kapin mundësinë.

Por ai paralajmëron, se ata janë oportunistë mjaftueshëm sa për të përdorur teknologjinë e re. Në të ardhmen jo shumë të largët, pirateria e kartave të kreditit do të jetë një mënyrë më e thjeshtë për të bërë para për hajdutët. Këta hajdutë xhepash ruhen prej personave që shfaqin vetëdije të lartë ndaj vjedhjeve. Tregoni kujdes dhe paçi fat!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat