Kur arkitektët në Korenë e Veriut fantazojnë (Foto)

Ndryshe

Kur arkitektët në Korenë e Veriut fantazojnë (Foto)

Më: 5 korrik 2014 Në ora: 18:19

Bëhet fjalë për arkitekturën koreanoveriore dhe janë asociacione të gjetura me shpejtësi: ndërtesa gjigante, monumente edhe më madhështore, kazerma banimi të pajeta. Në diktaturën e fundit realsocialiste në botë, ndërtohet në mënyrë minimaliste, kur bëhet fjalë për strehimin e rreth 25 milionë banorëve. Në mënyrë paradoksale, ata megjithatë duhet të përfaqësojnë fuqinë e shtetit – apo të përkujtojnë aktet heroike të familjes së kreut të regjimit. Kështu donte të ngjanin ato, i gjithëfuqishmi Kim Jong Il, kështu donte paraardhësi dhe po kështu, edhe pasardhësi i tij, Kim Jong Un, trashëgimtar i së njëjtës dinasti. Por, projektet nga vendi më i izoluar në glob, mund të jenë edhe plot ngjyra, e të bien në sy shumë shpejt për bërthamën e tyre futuriste – nëse arkitektët do të liheshin një herë të lirë nga zinxhirët e direktivave të udhëheqjes. Këtë e dëshmon një seri fotosh nga punimet e tyre, që janë prezantuar së fundmi në bienalen e arkitekturës, në Venecia.

Të krijosh në liri

“Ne u kemi lënë atyre plotësisht dorë të lirë”, thotë Nick Bonner për gazetën britanike “The Guardian”. Ai i ka porositur dhe kuruar këto punime, një proces ky që i ka kushtuar atij plot katër vite. Bonner është një njohës i mirë i stilit arkitekturor lokal. Nga Pekini, ai organizon shpesh udhëtime njohëse arkitekturore që depërtojnë deri në Phenian. Të gjitha pamjet e bashkangjitura vijnë nga instituti “Paekdusan” për ndërtimin dhe arkitekturën. Normalisht se prej andej vijnë edhe shumica e projekteve arkitekturore të djeshme e të sotme në Korenë e Veriut. Pra: me shumë gri, shumë beton, dhe bombastikë propagandistike. Por jo në këtë rast, thotë Nick Bonner: “Ne u kemi thënë atyre që duhet të sjellin diçka të çmendur. Çfarë do të bënit ju nëse nuk do t’i nënshtroheshit absolutisht asnjë direktive, qoftë edhe profesionale, e jo më ideologjike?”

T’i kushtohesh turizmit

Me ndërgjegje, projektet arkitekturore i kushtohen temës së turizmit. Koreja e Veriut prej vitesh po kërkon të joshë një numër të madh turistësh. Në fakt, grupe të mëdha turistësh kinezë udhëtojnë rregullisht drejt Koresë së Veriut. Vizitorët nga vendet perëndimore megjithatë, akoma përbëjnë një përjashtim dhe bien shumë në sy. Mirëpo, sigurisht se devizat e tyre janë shumë të nevojshme për ekonominë e rrënuar vendase. Shteti komunist thuajse nuk mban fare marrëdhënie tregtare e ekonomike me Perëndimin, e kështu që çdo dollar është shumë i vlefshëm. Ishte pikërisht ky trend turistik që i bindi udhëheqësit e pushtetmbajtësit në atë vend, që t’i lejonin këto projekte të dizajnoheshin e të shfaqeshin lirshëm për publikun.

Futurizëm i dalë mode

Ajo çfarë kanë sjellë arkitektët nga Pheniani në letër, duke reflektuar fantazinë e tyre artistike e kreative, të kujton serinë televizive “The Jetsons” dhe ekspozitat botërore të hershme, që u ka kaluar koha e që mbusheshin me fantazi utopike, deri në naivitet e komedi. Por, sidoqoftë, se si ngjajnë disa prej punimeve të arkitektëve të sotëm koreanoveriorë, ekspozuar në një ekspozitë aktuale e bashkëkohore, ju ftojmë t’i shihni e t’i gjykoni vetë më mirë.

Foto 1: Pushime në lartësi: Ky është vetëm një ndër projektet e shumta, në të cilët arkitektët koreanoveriorë skicojnë ëndrrat turistike futuriste të vendit të tyre – pa marrë parasysh direktivat e regjimit. Si “hotel në lartësi qiellore, përkëdhelur nga natyra”, e përshkruan arkitekti përgjegjës idenë e vet. Mbi objektin misterioz në pjesën e majtë të fotos, ai, përkundrazi, hesht.

Foto 2: Trajtimi i materialeve tradicionale kombëtare është në fokus të këtij punimi. Ndërtesa është dizajnuar të shërbejë si një komunë artistësh. Në të mund të kalojnë natën edhe klientë artdashës. Bashkëpunimi si koncept, në këtë rast është shumë i dëshiruar e shprehur qartazi. Kompleksin, arkitekti e ka veshur sipas idesë origjinale me pllaka solare. Veç tyre, për të prodhuar e mbuluar nevojat me energji, janë konceptuar edhe rotorët me erë.

Foto 3: Një projekt vërtet aventurier ka sjellë një tjetër arkitekt koreanoverior. Vizitorët aty mund të fluturojnë si nëpër re, mbi “mjegullën e mëngjesit”. Një vibrim i lehtë, një kapërcim nga vepra ndërtimore tradicionale, është ajo që ka pasur ndërmend autori. “Kështu, vetëkuptohet se gjendesh në qiell”, e komenton ai veprën e vet.

Foto 4: Një pamje e famshme nga kryeqyteti koreanoverior, Phenian, marrë në vitin 2011. Regjimi nën udhëheqjen e liderit Kim, e ka izoluar tërësisht vendin në aspektin ndërkombëtar. Shumë njerëz jetojnë në kushte katastrofike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat