Misteri i madh i trurit!

Ndryshe

Misteri i madh i trurit!

Më: 20 prill 2014 Në ora: 20:22

​Sëmundje pa ilaçe. Dhe pikëpyetje pa përgjigje për neuronët, masat e errëta, funksionet… Ja përse organi kryesor është një rebus, që duhet zgjidhur. Ishte viti 1949, kur John Cade zbuloi cilësitë qetësuese të litiumit.

“Dhe ishte fillimi i një epoke të artë të psikofarmakologjisë”, thotë Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Mendor në SHBA, Thomas Insel. Sepse duke nisur nga ai moment, në dhjetë vite, lindën pararendeset e drogërave të sotme: antidepresivë, ilaçe kundër ankthit, stabilizues humori, antipsikotikë për skizofrenët. Për kurat e mendjes ishte një revolucion. Të sëmurët mund të linin çmendinat. Tamam një epokë e artë. Pastaj asgjë, ose pothuajse, shkruan Bota.al. Qetësuesit sot nuk janë shumë më të mirë nga sa kanë qenë 50 vjet më parë. Dhe sëmundjet neurologjike mbeten gjithësesi të privuara nga terapitë. Parkinsoni, Alzheimeri, Skleroza: askush nuk di me të vërtetë si t’i përballojë. Kjo e bën trurin e njeriut misterin më të madh të mjekësisë, i vështirë për t’u kuruar sepse është i vështirë për t’u “hetuar”. Por problemi neurologjik është kaq urgjent, saqë vetë presidenti Obama, ka përcaktuar hartëzimin e trurit të njeriut si objektiv parësor për 10 vitet e ardhshëm. Me shpresën se një përpjekje e vetme nën ombrellën federale do të mundësojë gjetjen e çelësit të një lëmshi të pazgjidhshëm.

Shumë e vështirë

Arsyeja përse truri është kaq i vështirë të kurohet është i pari ndër misteret e mëdhenj të parashtruar. Përse pikërisht uniciteti e bën atë organin njerëzor më të vështirë për t’u studiuar? Dhe mbi të cilin është praktikisht e pamundur të eksperimentosh. Zakonisht mund të bëhen biopsi, e megjithatë një grusht neuronesh thonë shumë pak se si funksiojnë qarqet që ndodhen poshtë dhe brenda korteksit. Investigimet janë për më tepër indirektë, me teknika të shikimit të tyre si rezonanca manjetike, apo testet psikologjikë. Në këtë errësirë do të ishin themelorë modelet e kafshëve. Por asnjë nuk ka një tru si tonin: disa qendra nervore kanë ekuivalentë tek minjtë apo tek majmunët, të tjera jo. Kështu, në realitet nuk kemi modele të vërtetë të një sëmundjeje. Dhe për këtë arsye shumë industri janë duke braktisur sektorin. Ndoshta gabim, tani që një sërë teknikash të reja – që nga gjenomika që zbulon shënjestra të reja për ilaçet, deri tek qelizat staminale që rikrijojnë in vitro neuronët e sëmurë – janë duke çliruar më në fund imagjinatën nga një burgim i gjatë.

Përse kaq i madh

Kujt i duhet një kile e gjysmë tru, trefishi i një gorille apo një shimpanzeje? Zakonisht, më shumë materie gri do të thotë më shumë inteligjencë, por për shkencëtarët çështja është më e ndërlikuar. Prej njëzetë vitesh ideja më në modë është ajo e “mendjes sociale”, formuluar nga psikologu i Oxfordit Robin Dunbar, sipas të cilit truri është rritur për të menaxhuar rrjetin e dendur të marrëdhënieve shoqërore që karakterizojnë jetën e primatëve, dhe mbi të gjitha të njeriut: pra të mbajnë mend se kush është kush, kush na ka bërë çfarë, çfarë marrëdhëniesh kanë të tjerët, çfarë duhet të presim nga çdokush. Aftësia elaboruese do t’i vendoste një limit numrit të të ngjashmëve me të cilët kemi raporte domethënës, që për ne njerëzit luhatet tek 150. Eshtë “numri i Dunbar”, që ai e shpjegon në librin “Për sa miq kemi nevojë?” Në mbështetje të tezës së tij Dunbar përmend vëzhgime të shumtë të kafshëve dhe të njeriut, madje edhe tek miqtë në Facebook. Dhe një fakt që tingëllon i çuditshëm: truri, 2 përqind e masës së trupit, konsumon 20 përqind të energjisë kur pushon; dhe shumë qarqe janë më aktivë ndërkohë që nuk bëjmë asgjë, se sa kur lexojmë apo arsyetojmë, dhe aktivizohen edhe më shumë gjatë veprimtarive shoqërore. Pra, shqetësimi ynë kryesor duket të jetë ai i monitorimit të vazhdueshëm të mjedisit social. Dhe speciet e tjera që nuk e kanë këtë nevojë e kanë mbajtur trurin të vogël për të kursyer energji. Por ka të dhëna kundërtendence: orangutangët me tru të madh jetojnë në grupe të vegjël, dhe e kundërta vlen për hienat dhe lakuriqët e natës. Kështu që, dikush propozon alternativa më të artikuluara që përfshijnë mes motorrëve të evolucionit edhe aftësi praktike, si prodhimi i instrumentave dhe sigurimi i ushqimit, apo kulturorë, si transmetimi i dijeve tek bijtë.

Cfarë na bën unikë

Në çfarë mënyre gjenet dhe eksperiencat e bëjnë çdo mendje unike? Në një pikë të gjithë bien dakord: për pothuajse çdo aspekt, që nga inteligjenca tek kthimi së prapthi, tek risku i sëmundjeve, gjenet dhe eksperiencat kanë të dyja një rol. “Sfida mes trashëgimisë dhe mjedisit është e mbyllur në barazim”, thotë revista “Science”. Po në çfarë mënyre të dy motorrët bashkëveprojnë për të plazmuar trurin tonë, ky mbetet ende një mister për t’u sqaruar. Ndërveprimet janë të ndërlikuar. Një shembull është inteligjenca: dallimet varen në 20 përqind nga gjenet tek fëmijët, por deri në 80 përqind tek të moshuarit, a thua influksi gjenetik fillimisht vetëushqehet përmes mjedisit, me zgjedhjen e aktiviteteve që e zhvillojnë më pak apo më shumë intelektin. “Ndoshta disa janë të prirur që të lexojnë libra dhe të tjerë që të lobotomizohen përpara televizorit”, guxon gjenetisti Robert Plomin i Kings College në Londër. Veç kësaj, kuocienti i inteligjencës duket i lidhur me dimensionet dhe gjallërinë e disa qendrave të trurit, por tek personat me pikë të barabarta të kuocientit këto zona janë të zhvilluara në mënyra të ndryshme: mendje të ndryshme gjejnë rrugë të ndryshme për të njëjtin qëllim. Dhe gjithçka ndërlikohet prej rastit. Eshtë zbuluar se edhe dy binjakë, të rritur në të njëjtin bark dhe me gjenomë identikë, janë pak të ndryshëm në mekanizmat që ndezin dhe fikin gjenet sipas situatës (të ashtuquajturit modifikime epigjenetikë). Këta mekanizma janë pak të saktë, dhe ata gjenerojnë një ndryshueshmëri që bën që gjenomë të njëjtë, për shkak të rrethanave, të funksionojnë në mënyra të ndryshme. Pra, rebusi është më shumë se i ndërlikuar sepse karaktere kompleksë si emocionet dhe sjelljet janë të ndikuara nga mijëra gjene.

Kujtime të ardhshëm

Mes gjërave që na bëjnë unikë janë kujtimet. “Ka qenë gjithmonë zona e studimit me rëndësi më të madhe: i gjithë truri është kujtesë”, thotë Alfonso Caramazza, një dekan i neuropsikologjisë konjitive, docent në Harvard dhe drejtor deri në nëntor 2012 i qendrës së studimeve të trurit në Universitetin e Trentos, ku ka qëndruar si studiues: “Që nuk është aq shumë një mjet për të njohur të kaluarën, se sa për të gjetur të ardhmen”. Mes shumë enigmave, më e thella është se si rigjehen kujtimet. Që nuk është njësoj si të marrësh një fotografi nga një sirtar. Të kujtosh do të thotë të rindërtosh: kujtimi i një ngjarjeje është i fragmentuar në zona të ndryshme të trurit, dhe rindërtimi nënkupton bashkimin e komponentëve (pamje, aroma, tinguj…) Megjithatë, ende nuk kuptohet se si truri shkon dhe i “ripeshkon”. Të kujtosh është të jetosh: kur e bëjmë, ne riaktivizojmë të njëjtët mekanizma dhe qarqe që përdoren për të përjetuar eksperiencën reale, zonat vizive për pamjet, ato motorre për përjetimet e kështu me radhë. Por mbi të gjitha, të kujtosh është të riplazmosh. Sa herë që thërrasim në mendje një kujtim, më pas e riarkivojmë pakëz të ndryshuar. Kjo është thelbësore për të integruar informacionet e rinj në arkitekturën e dijeve tona, por ndryshon kujtimet e vjetër, që gjithësesi nuk janë gjithmonë të besueshëm.

E dua më plastik

Aftësia e trurit për t’u plazmuar si reagim ndaj ambientit është maksimale në fëmijëri, siç e di mirë çdo i rritur që mëson një gjuhë. Si ka mundësi? Dhe a ka mënyrë për të rifituar plasticitetin atëherë kur na duhet? Tek minjtë, aftësia për të krijuar lidhje të reja mes neuroneve, domethënë për të mësuar, me kalimin e moshës nuk zhduket drejt hiçit, por bllokohet nga sinjale preçizë molekularë. Duke i eleminuar me manipulime gjenetikë, kafshët fitojnë një aftësi të jashtëzakonshme nga goditjet në tru apo nga verbëria e përkohshme. Mbetet për të kuptuar se çfarë telashesh shkaktohen si këmbim: një tru shumë i gatshëm për t’u riorganizuar për shembull duket më shumë i goditur prej krizave epileptike. Problemet duket se shkaktohen edhe nga disa ilace. Por edhe eksperiencat mund të bëjnë shumë, siç tregojnë studimet tek të verbërit. “Këtu kemi të dhënat më interesante”, thotë Caramazza: “Po zbulojmë që tek të verbërit zonat pamore përdoren për të elaboruar stimuj të tjerë, por duke ruajtur organizimin e tyre. Një rajon që elaboron stimujt e leximit, për shembull, aktivizohet nga stimuj prekës apo dëgjimorë, por vazhdon që t’i kodifikojë informacionet sipas parimeve të vet, sikur të ishin pamorë. Pra, duke studiuar plasticitetin mund të afrohesh edhe drejt kuptimit të funksionimit të brendshëm të trurit”.

“Toka” të askujt

Më tej, ka një seri pyetjesh të pazgjidhura mbi të cilat shkencëtarët nuk kanë hipoteza të konsoliduara. Për shembull, dihet që truri nuk ka vetëm neurone, por ka edhe disa lloje të tjerë qelizash nervore. Mes tyre astrocitet, që formojnë pothuajse gjysmën e trurit: dihet që marrin pjesë në veprimtarinë e neuroneve, ndërhyjë në komunikimin e tyre dhe dëmtohen në sëmundje të ndryshmë, por vetëm kaq. Ndërkohë që disa zona të trurit janë tejet të studiuara, të tjera kanë mbetur pothuajse të paeksploruara. Emrat e tyre janë pak të njohur, si habenula apo korteksi retrospenial. Por për diçka duhet të shërbejnë. Strukturat e mendjes që kanë mbetur ende misterioze janë të ndryshme: përshembull ka molekula-sinjal që shërbejnë si frenë për rigjenerimin e trurit tek sisorët dhe ua pengojnë. Për se shërbejnë? Si funksionojnë? Dhe mbi të gjitha, si mund t’ua heqim të sëmurëve përmes ndërhyrjeve spinale apo në tru? Më tej: sistemi imunitar ndërvepron në mënyra të shumta me atë nervor, dhe shumë proteina imunitare veprojnë edhe në tru, por shumë pak gjëra dihen se si të dy sistemet bashkëpunojnë dhe ndikojnë tek njëri-tjetri. Në fund, misteri që ka të bëjë me më humanen mes veprimtarive të mendjes, akumulimin e informacionit. Qoftë kur bëhet fjalë për perceptim, kujtim, arsyetim apo vendim-marrje, truri funksionon duke elaboruar informacione. Por ka një errësirë totale për mënyrën se si informacioni kodifikohet gjatë veprimtarisë së tij, në ndarjet hapësinore dhe kohore të neuroneve që ndizen dhe që fiken.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat