Debati: Premtimi i humbur i taksës progresive

Ndryshe

Debati: Premtimi i humbur i taksës progresive

Nga: Ajay K. Mehrotra, Reuters Më: 18 prill 2014 Në ora: 20:51

Nga mesnata më 15 prill, afërsisht 140 milionë amerikanë plotësuan dokumentin për kthimet në taksat mbi të ardhurat federale dhe morën frymë të lehtësuar. Politikanët nga të dyja partitë, gjithsesi, kaluan shumicën e ditës duke kritikuar sistemin tonë aktual të taksave.

Konservatorët ankohen se një numër i pamjaftueshëm njerëzish po paguajnë taksa. Ata këmbëngulin se një minoritet “punëkrijuesish” dhe “prodhuesish” po financojnë të mirat shoqërore që u shkojnë “përfituesve”. Liberalët citojnë rritjen e përqendrimit të pasurisë dhe ankohen se të pasurit nuk paguajnë atë që u takon.

Në këtë Epokë të re të Artë, thonë ata, 1 përqindëshi duhet të paguajë shumë më tepër taksa se sa të ardhurat e tyre vjetore. Megjithatë asnjë parti nuk duket se ka vullnetin të reformojë sistemin tonë të taksave në mënyrë dramatike. Që të dyja shmangin të folurën mes taksave dhe shpenzimeve të qeverisë. Kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu.

Më shumë se një shekull më parë, gjatë Epokës së parë të Artë, ligjvënësit përqafuan taksimin progresiv. Duke iu përgjigjur pabarazive masive mes plutokratëve dhe punëtorëve, politikëbërësit përdorën taksa me shkallë për të ribalancuar barrën fiskale, duke iu kujtuar amerikanëve detyrimet e tyre të përbashkëta ndaj njëri-tjetrit.

Ndërsa vendi vuan një periudhë tjetër rritjeje pabarazie dhe çrregullimesh shoqërore, historia na tregon se ka mënyra efektive për të zgjidhur këto probleme.

Objektivi i reformatorëve, në atë kohë, ishte të riakolohej barra e financimit të një shteti në rritje, modern dhe industrial. Ata nuk po kërkonin të rishpërndanin pasurinë në mënyrë radikale, siç pretendojnë disa konservatorë nga Partia e Çajit (Tea Party), ose siç mund të kenë shpresuar disa nga krahu i majtë.

Mbështetësit e Progresivitetit donin të zëvendësonin tarifat dhe taksat progresive mbi alkoolin dhe duhanin – sistemin aktual të taksimit indirekt, regresiv dhe të fshehtë – me një sistem të drejtpërdrejtë, me shkallë dhe transparent. Ata donin të krijonin një rend të ri fiskal.

Duke taksuar të ardhurat individuale, fitimet e bizneseve dhe transferimin e pasurisë në vend të tatimit të mallrave të konsumit, aktivistët po përpiqeshin të detyronin ato segmente të shoqërisë që kishin aftësinë më të madhe taksapaguese – individët e pasur dhe korporatat, të cilët në atë kohë gjendeshin gjerësisht në pjesën verilindore të vendit – për të ndarë koston e financimit të një shteti modern dhe demokratik. Progresivistët e një shekulli më parë, njësoj si liberalët sot, besojnë se qytetarët i kanë një borxh shoqërisë në raport me “aftësinë e tyre për të paguar”.

Kjo fjali e shkurtër, gjithsesi vendimtare, krijoi idenë se njerëzit që kanë fuqi më të madhe ekonomike, kanë edhe një obligim më të madh shoqëror për të kontribuar te të mirat publike – për të kontribuar jo vetëm proporcionalisht, por edhe progresivisht më shumë.

Mendimtarë me ndikim dhe udhëheqës politikë – përfshirë Frensis Uollker (Francis A. Walker), presidenti i Institutit të Teknologjisë së Masaçusetsit, dhe Uilliam Xhening Brajën (William Jennings Bryan), tri herë i nominuar për kandidat për president të demokratëve – përdorën termin “aftësi për të paguar” për të ilustruar zgjerimin e ciklit të përgjegjësisë shoqërore në një shoqëri moderne.

Epoka Progresive ishte, në fund të fundit, një kohë kur dimensionet shoqërore të demokracisë amerikane ishin të stërmëdha. “Identifikimi me njerëzit e zakonshëm – siç tha reformuesi shoqëror me ndikim Xhejn Adams (Jane Addams), ishte ideja esenciale e demokracisë”.

Krijimi i një regjimi të ri taksash bazuar në aftësinë e tyre për të paguar kishte pasoja domethënëse. Jo vetëm që ajo siguroi të ardhurat dëshpërimisht të nevojshme ndërkohë që luftonte pabarazinë në rritje, por gjithashtu fuqizoi solidaritetin shoqëror dhe shtoi besimin te qeveria – një leksion sot i humbur nga shumë ligjvënës.

Politikanët e Epokës Progresive e dinin se përdorimi i taksave me shkallë për të kundërbalancuar tarifat ekzistuese regresive dhe taksat e akcizës ishte një mënyrë për të treguar se të gjithë amerikanët po kontribuonin për të mirën e madhe të përbashkët. Taksimi me shkallë reflektonte rëndësinë e sakrificës së përbashkët.

Reformuesit besonin se taksat progresive mund të përdoreshin për të rikonfiguruar marrëdhënien mes qytetarëve dhe shtetit për të rinegociuar një kontratë të re shoqërore dhe për të farkëtuar një ndjesi të re të nënshtetësisë fiskale.

Aktivistët gjithashtu besonin se detyra e ligjvënësve, si pjesë e kësaj kontrate të re shoqërore, ishte që të siguroheshin se barra fiskale do të ndahej në mënyrë të ndershme mbi të gjithë amerikanët. Nëse politikëbërësit mbanin anën e tyre të pazarit, argumentonin reformatorët, qytetarët do t’i besonin, madje do ta mirëprisnin, rritjen e fuqive të shtetit modern.

Amerikanët do të shikonin se si sektori publik do të fuqizonte jetën e tyre private, duke krijuar bazë për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, ndërsa do të jepte ndihmë në kohë vështirësish dhe krizash. Ata do ta shihnin qeverinë jo si armik, por si një agjenci etike “ndihma pozitive e së cilës”, – shpjegoi Riçard Ti Eli (Richard T. Ely), ekonomisti progresiv, “është një kusht i pazëvendësueshëm për progresin njerëzor”.

Në të vërtetë, që të siguroheshin që të pasurit të kontribuonin pjesën e drejtë ishte një nga arsyet kyçe për një sistem të taksimit progresiv. “Unë nuk kam autoritet të taksoj pasurinë në mënyrë të panevojshme apo të padrejtë”, – tha Kordell (Cordell Hull), kongresmen nga Tenesi dhe një nga arkitektët kryesorë të ligjit të vitit 1913 për taksimin progresiv të të ardhurave”, “por unë besoj se pasuria e një vendi duhet të mbajë pjesën e vet të barrës së taksave dhe nuk duhet të lejohet të zvogëlojë këtë detyrë”.

Komentet e Hull tingëllojnë edhe sot. Uorren Bufer (Warren Buffet) me argumentin e tij se ai duhet të taksohet me një përqindje më të lartë se sa sekretarja e vet, thirrjet nga Pushto Uoll Stri “për të taksuar të pasurit” si dhe edhe vetë fitorja e pjesshme e administratës së Obamës vitin e kaluar në rritjen e shkallës më të lartë të taksave për amerikanët e pasur janë trashëgimi e sistemit të taksimit progresiv që bazohet te koncepti i “aftësisë për të paguar”.

Kjo ditë taksash mund të jetë e nevojshme për të reflektuar se si një gjeneratë e mëparshme reformatorësh bipartizanë dhe ligjvënësish iu përgjigjën një serie problemesh të ngjashme – duke krijuar themelet dhe premtimin për një rend fiskal më progresiv.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat