U zhduk 19 vite më parë, gjendet kartëmonedha 1 dollarëshe me mesazhin: Jam gjallë

Ndryshe

U zhduk 19 vite më parë, gjendet kartëmonedha 1 dollarëshe me mesazhin: Jam gjallë

Më: 23 mars 2018 Në ora: 17:43
Mikelle Biggs

Një kartëmonedhë e zbuluar së fundmi mendohet se përbën çelësin në zhdukjen e mistershme të 11-vjeçares, Mikelle Biggs, 19 vite më parë. Ajo u pa për herë të fundit në shoqërinë e motrës së saj më të vogël teksa prisnin të blinin një akullore tek një furgon jashtë shtëpisë së tyre në Mesa, Arizona, në janar të vitit 1999.

Biçikleta e saj u gjet në rrugë bashkë me monedhat me të cilat do të blinte akulloret. Policia në atë kohë kontrolloi çdo furgon akulloreje në shtet, pa mundur të bjerë në gjurmët e vogëlushes.

Ndërsa javën e shkuar u zbulua në Wisconsin, më shumë se 1400 milje larg vendit ku Mikelle u zhduk, një kartëmonedhë 1 dollarëshe mbi të cilin ishte lënë një shënim. “Emri im është Mikel Biggs, e rrëmbyer nga Mesa AZ. Unë jam gjallë”, shkruhet në mesazh.

Kartëmonedha që i përket vitit 2009 është dorëzuar në policinë e Neenah më 14 mars. Teksa duket se është shkruar nga dora e një fëmije, emri i Mikelle është gërmëzuar gabim.

Hetuesi i Policisë së Neenah, Adam Streubel tha për mediat lokale se ata janë duke hetuar të dhënën më të fundit, por druhen se mund të bëhet fjalë vetëm për një shaka mizore. Policia tha se prej shumë kohësh nuk kishin më asnjë të dhënë për çështjen, që dekada më parë kishte tronditur komunitetin.

Kimber Biggs, motra e Mikelle vazhdon të qëndrojë aktive në mediat sociale për çdo informacion që mund të çojë tek gjetja e të motrës.

“Njerëzit më dërgojnë ato që mendojnë se mund të jenë informacione në faqen e Facebook. Unë gjithmonë bëj hashtag ‘Remember Mikelle Biggs’. Kjo është pika, për t'u siguruar që njerëzit ta kujtojnë atë, për t'u siguruar që njerëzit të mendojnë për të duke shpresuar se do vijë një ditë ai person që di diçka për motrën time”, tha Biggs. /

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat