Kur fëmija nuk dëshiron të shkojë në shtrat

Ndryshe

Kur fëmija nuk dëshiron të shkojë në shtrat

Më: 16 shtator 2016 Në ora: 16:06
Ilustrim

Çasti i gjumit mund të jetë motiv tekash. Duhet të jemi të duruar, por njëkohësisht të vendosur kur i shpjegojmë fëmijës rëndësinë e pushimit, të gjumit: si? Duke luajtur me të, duke i gdhirë siguri.

Gjithë netët e njëjta histori: fëmija nuk dëshiron të shkojë të flejë. Shpesh, të gjendur mes britmave dhe të qarave, prindërit e humbin durimin. Kurse, sipas këshillave të ekspertit, në të vërtetë, ruajtja e qetësisë është themelore.

Jo gjithmonë janë të thjeshta tekat. Ka, në fakt, arsye të thella, që shtyjnë një fëmijë të mos dojë të flejë. Për të bërë të dashur momentin e gjumit dhe tipave më të lëvizshëm, nëna dhe babai duhet të armatosen me shumë durim dhe të gjejnë ndonjë "hile". Ja disa shembuj.

SHKAQET

KA FRIKË

Shpesh vogëlushi nuk dëshiron të shkojë të flejë, sepse është i frikësuar. Mund të ndodhë, p.sh., pas një bubullime të fortë, ose pas një zënkeje të ndezur mes prindërve. Frika, shqetësimi nuk e lejon fëmijën ta zërë gjumi, prandaj mendojnë së janë më të sigurt në se rrinë të zgjuar, së bashku me të dashurit e tyre.

ËSHTË I ZËNË

Është arsyeja, pse, shpesh, edhe të rriturit shkojnë në shtrat vonë: janë në shoqëri të këndshme: ka një program televiziv interesant, e kështu dashje padashje shtyhet çasti i gjumit. Në të njëjtën mënyrë, lojërat ose filmat vizatimorë bëjnë që t’i kalojë gjumi më të vegjëlve. Për më tepër, për fëmijët, loja është aktivitet parësor. Pak a shumë si puna për të rriturit: për këtë arsye fëmijët nuk mendojnë se, kur luajnë, luajnë duke bërë diçka të panevojshme. E bëjnë me gjithë zellin dhe përqendrimin e mundur. Kështu, mendimi se duhet të ndërpresin i bën shumë nevrikë.

VUAN SHKËPUTJEN

Për fëmijën gjumi përfaqëson ndryshimin nga dita në natë, nga argëtimi në qetësi të plotë. Nuk e kupton arsyen pse duhet të ndërpres argëtimin për të shkuar nën batanije. Duke mos perceptuar akoma mirë dhe qartë kohën, nuk e dinë për sa duhet t’i lënë lodrat dhe prindërit e tyre. Kanë frikë mos duhet të braktisin gjithçka për gjithmonë dhe kjo gjë i tmerron. Ndërkohë nuk duhet harruar që fëmija e lidh gjumin me errësirën, një tjetër burim frike për ta. Për këtë gjë shpesh përdoren dritat e vogla, që mbahen ndezur gjithë natën dhe qetësojnë fëmijën.

ÇFARË DUHET BËRË

Çdo moshë ka kërkesa gjumi specifike të vetat. Le të shohim si mund të bëjmë më të këndshme kohën e gjumit si për të vegjlit dhe për të rriturit.

Nga 0 në 6 muaj

* Në këtë moshë rregullsia e gjumit është veçanërisht e rëndësishme. Trupi i bebes është akoma i njomë për të përballuar orare të parregullta. Prandaj nëna duhet të kujdeset që i vogli të flejë pak a shumë gjithmonë në të njëjtat orare. Me qenë se i vogli fle pothuajse gjithmonë pasi pi, është e rëndësishme që të ushqyerit të bëhet në të njëjtën orë.

* Në se fëmija është i shqetësuar më shumë se zakonisht, atëherë mund të përdorni disa "hile" për ta qetësuar: mund t’i flisni me zë të butë e të ëmbël, duke u përpjekur të vini në gjumë; ose të vini një muzikë të lehtë e qetësuese në sfond. Edhe një banjë e ngrohtë përpara pirjes së fundit do të shërbejë për ta qetësuar dhe ta bëjë gati për një gjumë të thellë.

* Ka disa të porsalindur, që i zë gjumi në krah të nënës, për t’u zgjuar pastaj, në shtratin e tyre. Kjo mund të varet nga ndryshimi i temperaturës: nga ngrohtësia e trupit të nënës, në freskinë e çarçafëve. Për të evituar këtë problem, nëna mund të marrë jastëkun, ta mbështesë mbi krahun e saj dhe pastaj të vërë ngadalë kokën e fëmijës. Kështu, kur i vogli të flejë, ajo të vërë në shtat fëmijën me gjithë jastëkun e "ngrohur".

Nga 6 muaj në 1 vjeç

* Kur është 6 muaj, fëmija ka një sensibilitet më të madh. Kjo do të thotë që mund të kuptojë më mirë situatën familjare, që e rrethon. Prandaj që fëmijën ta zërë gjumi, është e rëndësishme që sidomos orët menjëherë para gjumit të jenë të qeta.

* Për këtë arsye është mirë që nëna e babai të mos diskutojnë me zë të lartë pas darke, duke evituar kështu një gjendje të rëndë. Edhe qortimet për fëmijën duhet të bëhen në një moment tjetër.

Nga 1 në 3 vjeç

* Fëmija po rritet. Dorë pas dore që rritet, shtohet edhe nevoja tij për gjumë. Në qoftë se për disa net me radhë, fëmija ka vështirësi të flejkë në një orë të caktuar, ndoshta do të thotë, që nuk është edhe aq i lodhur. Prandaj ose lëreni të flejë më pak pasdite, ose shtyni vënien në gjumë në darkë.

* Për ta çuar në shtrat më me lehtësi fëmijën, prindërit duhet ta vejnë këtë veprim si një ritual. Si? Duke bërë të mundur që lëvizjet para gjumit të kthehen në një lloj ceremonie, të përbërë nga gjeste të vogla të lidhura mes tyre. P.sh. babai mund të marrë vogëlushin në krah dhe ta shoqërojë në shtrat, nëna ta zhveshë, ta çojë në banjë, ta puth e t’i rregullojë batanijet. E kështu përnatë.

* Kujdes: gjithë këto veprime duhet të kryhen gjithmonë në të njëjtën radhë. Kështu fëmija do ët argëtohet dhe gjumin do ta marrë si lojë. Për më shumë, këto veprime njëra pas tjetrës do t’i japin siguri dhe ai do ta ndjejë më pak ndryshimin natë-ditë, gjumë-zgjim. Është kështu edhe me të rriturit: dhe ata nuk heqin dorë nga disa huqe të përnatshme.

Nga 3 në 6 vjeç

* Kur bëhet 3 vjeç, fëmija ndjen një nevojë të fortë për autonomi. Në mënyrë që gjumi të mos mendohet si një detyrim, apo më keq akoma, një dënim, është e rëndësishme që ky gjumë të bëhet sa më shtruar.

* P.sh., mund të vini fëmijën të flejë në një krevat pa ruajtëse anësore: që të hipë e zbresë vetë sa herë të dojë, duke u ndjerë kështu më i lirë e i pavarur. 
* Dhe pizhamet duhet të jenë të gjëra e të rehatshme, që të keni liri në veprime. Kini kujdes: jo shumë batanije dhe jo të rënda.

Nga 6 vjeç e tutje

* Fëmija ndihet i rritur: tashmë frekuenton shkollën dhe dëshira për të imituar të mëdhenjtë është gjithnjë e më e fortë.

* Për të bërë më të thjeshtë çastin e gjumit, prindërit duhet ta qetësojnë fëmijën, duke evituar ta eksitojnë. P.sh., s’ka kuptim ta lejojnë të fillojë një lojë të bukur, por shumë të gjatë, të cilën duhet ta ndërpresë; ose të hapë televizorin e të shikojë një program të destinuar të zgjasë disa orë.

* Ndërsa, mund të lejohet fëmija, që, para, se të flejë të shikojë një film vizatimor të regjistruar. Vogëlushi do të kuptojë, kështu, se me të mbaruar filmi, është ora e gjumit.

KUJDES FJALËT DHE SJELLJEN

* Shpesh janë prindërit që e shtyjnë fëmijën ta konsiderojë gjumin si diçka negative duke thënë fraza të tilla si: "po nuk u solle mirë, të nisa në shtrat!". Kurse nganjëherë vetë të rriturit kanë një raport të gabuar me gjumin dhe ky mund të jetë një shembull i keq.

* Në se një fëmijë shikon nënën ose babin që e zë gjumi në divan e jo në shtrat, pa dyshim do të dojë të bëjë të njëjtën gjë. Prindërit me sjelljen e tyre duhet t’i tregojnë fëmijës aspektet pozitive e rehatsjellëse të gjumit në shtrat.

NË SHTRAT ME PRINDËRIT: PO, JO?

* S’ka dyshim: bashkë me prindërit fëmija fle më shpejt, më mirë. Por opinionet rreth të mirave të kësaj sjelljeje, janë kontradikore. Disa thonë se kështu fëmija rritet i përkëdhelur, i llastuar. Kurse të tjerët thonë se kështu, prindërit i transmetojnë dashuri e siguri.

* Do të ishte mirë që muajt e parë, bebja të flinte në shtratin e tij në dhomën e prindërve: edhe për të lehtësuar nënën, kur zgjohet për ta ushqyer natën. 
* Pas periudhës së gjirit, fëmija mund të flejë në dhomën e tij.

* Në disa raste (kur ka bubullima, ose shqetësime të tjera), prindërit duhet të veprojnë në krevatin e tyre, por gjithmonë duke i theksuar veçantitë e këtij rasti.

* Kështu do rritet i pavarur, në të njëjtën kohë, do të kuptojë se në çastet më të vështira, do të ketë gjithmonë mbështetjen e prindërve.

NË PRAKTIKË 
5 KËSHILLA PËR TA VËNË NË GJUMË

1 – Në çdo moshë, përpiquni ta bëni gjumin e tij sa më të rregullt të jetë e mundur. 
D.m.th, nëna duhet ta çojë në shtrat dhe ta zgjojë gjithmonë në të njëjtën orë. Në këtë mënyrë fiziku do të mësohet me një ritëm të caktuar dhe do ta ketë më të lehtë ta zërë gjumi.

2 – Mbani ulët volumin e televizorit dhe ngrohjen e natës. Në dhomë nuk duhet të arrijnë zhurmë të bezdisshme (ose ndjellëse), që mund të shqetësojnë ose zgjojnë kureshtjen e vogëlushit. Kujdes dhe temperaturën: nuk duhet të jetë as shumë e lartë e as shumë e ulët: p.sh. në dimër 20-21 gardë Celsius.

3 – Krijoni një atmosferë qetësuese Do të bënit mirë të fiknit dritat e forta, ndërkohë që fëmija filloj të zhvishet. Do të mjaftojë të ndizni vetëm një abazhur të vogël me një dritë të zbehtë.

4 – Mos lyeni dhomën e fëmijëve me ngjyra shumë të forta: do t’i krijoni bezdi.Më mirë zgjidhni ngjyrat pastel, që janë ngjyra të ëmbla. Përpara se ta vini të flejë, luani me të në dhomën e tij. Kështu ai do ta ndjejë më pak ndryshimin lojë-gjumë.

5 – Ndihmojeni të mos ndihet vetëm Lejojeni të marrë në shtrat një "shok" (një kukull), një kafshë të butë prej gëzofi). Duke e shtrënguar në gji, fëmija nuk do të ndihet vetëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat