Shkëlzen Doli sot prezanton ansamblin e tij

Muzikë

Shkëlzen Doli sot prezanton ansamblin e tij

Më: 19 maj 2018 Në ora: 10:21
Shkëlzen Doli

Violinisti i njohur dhe anëtari i Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli, sot në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë do të prezantohet për herë të parë me ansamblin me emrin e tij të cilin e themeloi së fundmi.

Doli tha se ansambli i tij bazën do ta ketë në Gjakovë, ndërsa në përbërje synon të mbledhë instrumentistë nga të gjitha trojet shqiptare. Sipas tij, ansambli do të luajë vetëm muzikë autoktone shqiptare.

“Koncerti mbahet për të festuar themelimin e këtij ansambli. Momentalisht janë angazhuar instrumentistë dhe janë ftuar këngëtarë të cilët kanë dhënë një kontribut për muzikën shqiptare. Kësaj here nuk do të valltarë. Ne do të përçojmë vetëm muzikë shqiptare të të gjitha trevave, jo vetëm popullore, por edhe të zhanreve të tjera”, deklaroi Doli.

Ansambli “Shkëlzen Doli” pritet të marrë formë në shtator të këtij viti, pas audicionit që do të hapet për të plotësuar nevojat e tij. Po ashtu, pritet edhe të publikohet kalendari njëvjeçar artistik i këtij ansambli.

Drejtori artistik i Ansamblit “Shkëlzen Doli”, Ruzhdi Sadiku, u shpreh i bindur në jetëgjatësinë dhe suksesin e krijesës më të re të Dolit. Ai foli edhe për përmbajtjen e koncertit të së shtunës.

Në koncertin që nis në ora 20:00 do të marrin pjesë edhe këngëtarët Ismet Peja, Edi Furra, Gentian Gojani, Vesa Smolica, grupi Polifonik nga Himara, grupi Ashikët, Rroni Sadiku dhe të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat