4 divat, Irma, Eneda, Rovena dhe Besa elektrizojnë Pallatin e Kongreseve! - Bota Sot
4 divat, Irma, Eneda, Rovena dhe Besa elektrizojnë Pallatin e Kongreseve!

Muzikë

E martë, 22 maj 2018

4 divat, Irma, Eneda, Rovena dhe Besa elektrizojnë Pallatin e Kongreseve!

Më: 17 maj 2018 Në ora: 10:18
Irma, Eneda, Rovena dhe Besa

Një, dy, tre, katër dhe spektakli filloi! Ishte një spektakël divash dhe ato ishin katër! Irma Libohova, Besa, Eneda dhe Rovena pushtuan ditën e djeshme Pallatin e Kongreseve, duke sjellë një koncert recital, si asnjëherë më parë. Salla u mbush plot, dhe kudo hidhje sytë hasje figura publike. Këngëtarë, artistë të sferave të ndryshme, artdashës dhe admirues të 4 prej zërave femërorë më të mirë shqiptarë, që u bënë pjesë e këtij eventi të rëndësishëm muzikor, por edhe për të dhënë një mesazh mbi të gjitha, për femrat nga femrat, sepse “Diva, është për të lartësuar figurën e femrës shqiptare”. Të kuruara në çdo detaj, kjo mbrëmje ndryshe solli në skenë Besën si mbretëreshë, finesën e Irmës që di si ta ndalë kohën, elegancën e Rovenës dhe hijeshinë e Enedës.

Katër këngëtaret ftojnë publikun nën ritmin e këngëve të tyre dhe ndihet entuziazmi i një publiku nostalgjik, për këngë të bukura e muzikë të mirë, por edhe për show, pasi ishte një “Diva show”. Nuk mund të niste më mirë sesa me një këngë mesazh, si “Veç një herë jetojmë”, një nga ato këngë të Irmës, që ngelen në memorie dhe këndohen sot njësoj si dje, sepse siç thotë vetë ajo, “fjala e saj është kënga!”.

Ai i djeshmi ishte më shumë se çdo tjetër një spektakël, që përçoi dashuri, si këngët romantike të Enedës apo akoma më “Kokëfortë” për të ngjallur atmosferën e Besës. Përçoji sigurisht edhe dramacitetin e dashurisë me Rovenën dhe pastaj Irma, që ka magjinë e forcën për t’i ngjallur publikut një mori emocionesh. Magjia e zërit të Besës, shoqëruar me performancën e baletit dhanë të kuptojnë, që ky do të ishte një show me shije ndryshe, të një arti të bërë “me mish dhe shpirt” dhe ky natyrisht, që ishte vetëm fillimi. Një rikthim madhështor, si në look, ashtu në interpretim, që ngjalli entuziazmin e publikut, i cili di të falënderojë për emocione të tilla.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme që ndiej duartrokitjet tuaja. Jam rikthyer, edhe pse nuk kam munguar për shumë kohë dhe më ka marrë shumë malli”, u shpreh Besa.

Tingujt, teksti janë “unik”, nëse zëri i Bësës bashkohet me poezinë e Olti Currit, i cili është i pranishëm në sallë dhe falënderohet nga këngëtarja për një hit të tillë, që mbart emocione dhe mesazh, edhe më shumë kur këndohet njëherazi me publikun. “Iki befas një ditë zëri shpirtit më thotë prit/ rend pa frikë e kërkoj/të jem e lirë…”.

E lirë si një artiste, e lirë ashtu si femra duhet të jetë, e lirë si një divë, pasi çdo femër duhet të ndihet e tillë. Publiku përkëdhelet me mesazhe, me “Zajemer” me “Folie”. “Engjëjt vrasin njësoj”, ose më shumë, kur dramaciteti i Dilos bashkohet me zërin e veçantë të Besës dhe bashkë me divat, skena pushtohet nga dashuria, asaj që edhe Rovena Dilo i thotë “Dorëzohem”. “Shqiptarët nuk dorëzohen, po nëse ka diçka që duhet të dorëzohesh ajo është dashuria”, thotë ajo para se të këndojë një nga hitet e saj më të bukura për publikun, që e mirëpret performancën.

Një performancë shumë interesante është edhe ajo e këngës së fundit të Rovenës “Ke le për m’u”, që shoqërohet nga katër balerinë, duke shtuar ritmin dhe entuziazmin në skenë.

Dhe ja tek emocionet ndryshojnë ngjyrë me Irma Libohovën, dritat ulen, në karrige këndon e pas saj qëndron një perëndim apo një lindje, është kënga e “Emigrantit”.

Publiku do t’i kujtojë Enedës në skenë se nuk i ka harruar këngët e saj. “A jeni ju si unë”, “Do ta them” kanë lënë gjurmë në memorien e njerëzve dhe këta tinguj të shoqëruar me një performancë spektakolare, si ajo e akrobatëve italian Denis dhe Nikol të krijojnë për pak çaste idenë e një skene botërore, ku artet ndërthuren dhe krijojnë një boom emocionesh, që buron duartrokitje të zjarrta.

Emocionet përzihen pasi në show të tillë, ku arti dhe dashuria janë në qendër nuk mund të mungojnë dedikimet për të afërmit, si ai i Enedës. “Shikoj fytyrën e vajzës time të vrenjtur, ka disa ditë që nuk takohem, po shkoj të rregulloj gabimet me të”, thotë ajo e emocionuar.

Dhe ja skena ripushtohet nga gruaja, këngëtarja e fortë, ajo që bashkon brezat dhe ndjenjat në këngë. Irma do të rikujtojë se “S’është lodër dashuria” me zërin e saj melodioz. Dhe ajo di, publiku po ashtu “si ta kuptoj” pasi të dashuruarit marrin dritë nga sytë e njëri-tjetrit, dhe tingujt bëhen ndjesi nostalgji që koha si ka shuar, po që konfirmohen fuqishëm në një natë si kjo.

Por sigurisht që duhej një edhe nga ato, Irma e di mirë ndaj edhe skena pushtohet nga balerinët të veshur me kostume popullore, pasi ku ka më mirë se mes valleve për të treguar se “Kush ka vajza, botën ka”, shkruan shekulli.

“123”, dhe ja ku u rikthye, si një mbretëreshë në black për të përfshirë publikun në një duet dashurie, Besa për këtë ka zgjedhur një nga zërat e rinj më të mirë, Klint Çollakun.

Nëse “zemrën dot nuk ta lexoj”, atëherë në një natë si kjo dhurohen emocione me zërin dhe performancën e Besës, e cila ka një dedikim të veçantë me tinguj për atë më të shtrenjtën, divën e parë që ka njohur në jetë, zonjës Brixhida Kokëdhima. “Këtë këngë ja dedikoj nënës sime! Ajo është diva e parë që kam njohur! Kam njohur shumë diva gjatë jetës sime, që edhe përse nuk kanë qenë Diva në skenë, në jetën e tyre ja kanë dalë shumë mirë të jenë të tilla”, shprehet plot emocione Besa.

Publiku tregon se ka këngë që mbeten “tatuazh në zemër”, duke shoqëruar këngëtaret, dhe zëri i Eneda Tarifës kthehet në “Përrallë”. Por ky spektakël kishte edhe një tjetër “diva”, “të vetmin diva mashkull”, Elton Dedën, i cili së bashku me Rovena Dilon do t’i ndalë publikut për një çast zemrën me magjinë e zërave, e një dueti që do ngel në memorie. Janë këngë rrëfimi që me katër zëra divash mbajnë ngjallë adrenalinën e publikut deri në momentin e fundit. Një nga momentet kulminantë është ai kur tingujt bëhen “Fishekëzjarre” për të kujtuar se mbrëmja e djeshme, ishte një show “divash” dhe historia e divave nuk përfundon këtu pasi ky ishte vetëm fillimi…

Orkestrimi i këngëve

Muzikantët Shpëtim Saraçi, Klodian Qafoku, Ervis Çaushi, Gerti Druga, Mario Deda, Kristi Popa, por pa harruar atë, që përherë ka ditur të bëjë muzikë cilësore, Elton Dedën, kanë orkestruar të gjitha këngët, që u kënduan për herë të parë të riorkestruara në këtë spektakël të veçantë. Por, medoemos, që riorkestrimi i këtyre hiteve “nuk do të zgjatë vetëm një natë”, por ato të sjella në mënyrë profesionale në kohë do të vazhdojnë, që të këndohen dhe t’i rezistojnë skenës tonë edhe për shumë vite të tjera. Hera-herës, orkestrimi i këngëve të krijonte përshtypjen, sikur jë duke dëgjuar një këngë të re, të krijuar enkas për këtë mbrëmje të veçantë, derisa të ndihmon teksti për ta kujtuar titullin e saj.  Një prej këtyre këngëve ishte “Përrallë” e Eneda Tarifës, me të cilën këngëtarja para dy viteve fitoi Festivalin e 54-të në RTSH, por edhe përfaqësoi Shqipërinë në Eurosong 2016.

Image
Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test