Gjergj Presheva: „Gjithmonë, do ta falënderojmë diasporën shqiptare“

Muzikë

Gjergj Presheva: „Gjithmonë, do ta falënderojmë diasporën shqiptare“

Nga: Dashnim Hebibi Më: 11 nëntor 2017 Në ora: 07:41
Gjergj Presheva

„Muzika përveç se është pjesë e shpirtit, ajo është edhe pjesë e të ardhurave, që e mbaj veten dhe familjen. Çdo gjë që e punon, duhet ta punosh me pastërti dhe me dashuri në profesion. Unë e dua klarinetin dhe jetoj me te, jetoj me notat që dalin nga ai, nuk e shikoj orën sa ka shkuar nëpër mbrëmje argëtimi, por shikoj se sa kemi të disponuar dhe sa po e duan këngën dhe vallen shqipe. Kënaqësi është kur egzekuton këngë të bukura shqipe. Tash edhe po këndoj, herë pas here me instrument, kjo është një pasuri e madhe shpirtërore”, na tha ndër të tjera, z.Gjergj Presheva.

Nëpër këngët popullore, zakonisht dhe valle, në të shumtën e rasteve, dëshira e të gjithëve është të dëgjojnë klarinetin, e sidomos, ai që luan mirë me te. Klarineti e dhezë atmosferën dhe bënë që të gjithë dasmorët, të ndjehen mirë. Jemi mësuar të dëgjojmë intervista të ndryshme të këngëtarëve, por pak të instrumentistëve. Kësaj here, ndajtëm kohë, për të bashkëbiseduar, me një klarinetist, saksofonist dhe tash më edhe këngëtarë, Gjergj Presheva. Ai nuk është në fillim të karrierës, sepse karrierën e ka të ndritur edhe ate me vite e vite, nëpër shumë dasma, restaurante, diskoteka e vende të ndryshme argëtimi, ka luajtur me klarinetin e tij për ti disponuar adhuruesit e këngës së bukur shqipe. Është interesant, se çka na thotë, protagonisti ynë i kësaj interviste, që vjen nga rrethina e Preshevës, i cili me modesti na tregon për shumë gjëra interesante. Gjergji nuk e pati të lehtë të depërtoj deri te këngëtarët më me zë të estradës sonë, ate nuk e dërgoi askush i njofshëm, por puna e tij, talenti i tij, bëri që ti fitoj shumë programe me këngëtarë të njohur. Për më shumë, do të lexoni dhe shpresoj, se do të ndaheni të kënaqur me këtë intervistë.

Image

Po e fillojmë këtë intervistë pak më ndryshe, se si zakonisht, që bëhet me artista. Të falënderoj për kohën. Ku po ndjehesh më mirë, në diasporë, konkretisht në Zvicër apo në atdhe, duke e ditur, se në të shumtën e rasteve je në diasporë?

Të falënderoj përzemërsisht për intervistën. Me shumë respekt ndihem shumë i nderuar, kur e di, se Ju keni realizuar intervista me shumë personalitete të ndryshme si shqiptare dhe ndërkombëtare dhe tani keni ndarë kohë edhe me mua. Vërtet është edhe një motivim më i madh, që të mos ndalem. Sa i përket pyetjes suaj, ndjehem shumë mirë edhe në diasporë, në mesin e vëllezërve të një gjaku. Kam shumë adhurues dhe kjo më bënë të mos lodhem asnjëherë. Mërgimtarët janë të përmalluar dhe e ndjejnë me shpirt këngën e bukur shqipe. Zoti i bekoftë mërgimtarët tanë, që po na mundësojnë edhe neve artistëve të mbijetojmë si duhet. Pa mërgatën vëshirë do të ishte. I mungoj dhe më mungon shumë familja, por më kuptojnë dhe i kuptoj, kështu është bota e artit. Po duhet, të punojmë, që ti sigurojmë familjes gjërat që i duhen një familjeje. Falë perendisë, unë e kam profesion këtë instrument dhe deri më tash, kam kaluar mirë, por me seriozitet të madh kam punuar.

Si e sheh muzikën popullore shqiptare sot?

Sipas mendimit tim, do të ishte më mirë, që ti kushtojmë më shumë rëndësi këngës së mirëfillt shqipe apo këngës së pastër shqipe, po prap çdo zhanër nëse e bënë mirë e pranon veshi me shumë knaqësi. Po jetojmë në një kohë të ditur dhe ate që e kërkon masa po duhet ti servohet.

Jeni instrumentist i njohur i klarinetit. Si u bë, që ta mësoni këtë instrument?

Si instrument i imi i parë ka qenë qiftelia, instrument i preferuar është kitarja dhe klarineti. Gjithçka është e lehtë, nëse ke prirje dhe vetëbesim dhe punon shumë. Pa punë nuk arrihet asgjë.

Sa kohë ka shkuar, gjersa e ke parë veten, se e ke mësuar si duhet?

Po tërë jeta shkon duke mësuar diçka të re, po kam filluar me dasma brenda pesë muajve, sepse kërkoheshin klarinetista dhe unë u angazhova me përkushtim dhe e arrita ate që u desht dhe që e doja.

Të kujtohet, cila këngë apo valle ka qenë e para, që e ke mësuar?

Po gjithsesi, ishte vallja e Shotës dhe disa të tjera.

I ke thënë vetes, pse e zgjodha këtë instrument e nuk e zgjodha një instrument tjetër?

Asnjëherë, pasi, që e dua me shpirt klarinetën. Nuk e di, se si do të kaloja ditën pa klarinet. Më është bërë pjesë e jetës. 

Cili është bashkëpunimi juaj me instrumentistët e tjerë shqiptarë?

Bashkëpunoj me shumë instrumentalista nga të gjitha trevat shqiptare, ku ka shqiptarë, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina  dhe thuajse që të gjithë, kanë një respekt shumë të madh ndaj meje, si instrumentist dhe tash edhe si këngëtar.

Mendoni, se në këngën popullore apo në ate lirike, më shumë ka hapësirë apo më shumë pritet klarineti se ndoj instrument tjetër?

Në të gjitha zhanret e ka vendin e vet klarineta, por më së shumti, do të veçoja atë të jugut i vetmi, që e ndjej tamam kur i bie klarinetit.

Je interesuar ndoj here për klarinetin, se si ka ardhur që të përdoret ky instrument?

Po jam interesuar, klarineta me sa kam njohuri, ka ardhur nga një instrument i vetëm me kallam i quajtur "chalumeau“, duke përmirësuar këtë instrument. Klarinetën e ka zbuluar Johann Christop Denner nga Numbergu me ndihmën e djalit të tij Jacob.

Sa ka dallim klarineti prej saksofonit?

Ka dallim nga forma dhe octavat dhe tingulli. 

Keni marrë pjesë nëpër shumë dasma. Sa është e vështirë të luash me klarinet edhe atëherë, kur nuk ke dëshirë për ndoj këngë apo valle?

Nuk ka këngë apo valle, që nuk e dua dhe nëse e studion një instrument siç duhet, aspak nuk ke vështirësi siç thojnë një fjalë popullore "gishtat vet shkojnë„.

Bashkëpunoni me shumë grupe muzikore?

Po kam bashkëpunuar me grupet, Xhevahiret, Presheva dhe shumë e shumë të tjera.

Keni luajtur me klarinet me shumë këngëtarë të njohur të estradës sonë. Kend e kishe veçuar?    

Në veçanti do të veçoja këngëtarin e madh  Xhavit Sadikun, aj ka qenë shtylla kryesore e suksesit tim si instrumentalist, Afrim Aliun një artist shumë i merituar, Beni Baksi, Aziz Murati, Labinot  Tahiri, dhe shumë e shumë të tjerë.

Si po ju shkojnë punët në diasporë, konkretisht në Zvicër?

Shumë mirë. Kënaqësi vërtet e mirë, kur po shoh mërgimtarët tanë duke u argëtuar. Më nderojnë shumë.

Si thotë populli, koha e të korrurave është në diasporë dhe koha e dasmave. Komenti juaj?

Për një njeri që e çmon punën gjithkund ka çka me korrë. Kuptohet, se verës dhe dimrit në atdhe është më shumë e përqendruar diaspora jonë dhe atje ka shumë gazmende. E thash edhe më lart, diaspora jonë ishte e do të mbetet arteria kryesore e zhvillimeve të ndryshme, që ka përjetuar atdheu ynë.

Një fjalë për mërgimtarët tanë?

Një përshendetje nga zemra e shpirti, zoti i bekoftë ata dhe familjet e tyre. Shëndet të mirë dhe i pafshim në gëzime për jetë.

Cilën valle e kishe luajtur më me dëshirë?

Kabat e jugut dhe vallet e Luginës së Preshevës. 

Sigurisht, se nëpër dasma ju kërkojnë edhe valet tona, padyshim se vallet e Luginës së Preshevës i njihni më mire se të gjitha të tjerat?

Padyshim. mbasi që vijë edhe nga Lugina. Vallet shqiptare në përgjithësi janë të mira. 

A dini të luani në valle?

Jo për besë, por zemra më kënaqet, kur e shoh dikend që vallëzon mirë.

Një dallim mes dasmave në Kosovë dhe Luginë të Preshevës, sepse shpesh jeni edhe andej e këndej?

Nuk shoh shumë dallime, pasi që shumicën e traditava i kemi të njejta dhe tash dasmat e njejta bëhen në restorane.

Çka je duke krijuar për momentin?

 Për momentin jam duke i kushtuar shumë rëndësi këndimit, kam realizuar dy albume me këngë dasmash, albumin e tretë e kam kryer në bashkëpunim me grupin shumë profesional „Triola“ dhe pritet në fillim të dhjetorit me dal dhe të gjithë jan 100% live. Kam bërë dhe disa këngë, nëpër studio të ndryshme, siç janë studio „Erona“ në Prizren, Skenda record në Preshevë, Artan Kastrati&Ylber Aliu në hkup, Beni Baksi në Prishtinë, kisha me veçu edhe bashkëpunimin me këngëtarin e madh Afrim Aliun dhe kjo shumë shpejt do të del me klip.

Më mirë të këndosh, apo të luash me instrumentin e klarinetit?

Nuk po mundem të ndaj njërën prej tjetrës.

Sigurisht, se keni shumë miqë, që luajnë me klarinet, por me cilin më me kënaqësi kishe bashkëpunuar?

Në veçanti Afrim Aliun , Bekim Aliun "daja bek",  Ismajl Behlulin, Murat Ismajlin,  Merxhan Saliun , Ylber Aliun, Erdenaj Rashiti etj.

Pse tallavaja po pëlqehet aq shumë?

Nuk di sakt përse, por është muzikë me shumë adrenalin. E servoj muzikën që kërkohet nga publiku, kuptohet duke e ruajtur gjithmonë profesionalizmin.

Në sa dasma brenda një viti merni pjesë, kuptohet si instrumentist?

Nuk di saktësisht, por mbi 45 e ndoshta edhe më shumë. 

Bashkëpunimi juaj me grupet muzikore, që veprojnë në Luginë të Preshevës?

Zakonisht kam bashkëpunuar me grupin Presheva- Nefail Ibrahimin dhe Besa Bend -Bejtulla Mehmetin.

Muzika për ty pjesë e shpirtit, apo pjesë e punës?

Pjesë e shpirtit, pastaj edhe pjesë e punës, pasi e mbaj familjen nga muzika.

Deri në sa orë pa ndërprerë kishe luajtur me klarinet, duke e ditur, se është instrument i vështirë?

Pyetje e vështirë, po deri sa të kam fuqi e për këtë shkoj me orë të tëra.

Më i lehtë është klarineti apo saksafoni, sepse kemi dëgjuar, se klarineti është më i vështirë?

Thuajse i njejt, për mua nuk kanë dallim shumë njëra prej tjetrës. Klarineta ka zërin pak më ndryshe dhe veprohet në raste të ndryshme si me klarinet ashtu edhe me saksofon. 

Për fund të kësaj interviste, nëse ndoj artëdashës dëshiron t`ju takoj për të dëgjuar luajtjen tënde live me klarinet dhe tu këndu  ku mundet të ju gjej, është fjala për në Zvicër?

Për momentin jam në Disco club „Viktoria“, deri në fund të muajit nëntor dhe pastaj shkoj me i përfunduar këngët dhe klipet, që i kam planifikuar ti kryej gjat muajit dhjetor.

Suksese i nderum dhe u pafshim në gëzime.

Të falënderoj edhe njëherë dhe të uroj edhe ty punë të mbarë dhe përshëndetje kudo që lexohet kjo intervistë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat