Vaçe Zela, valsi ynë i lumturisë

Muzikë

Vaçe Zela, valsi ynë i lumturisë

Nga: Sadik Elshani Më: 6 shkurt 2017 Në ora: 14:33
Vaçe Zela

Me rastin e 3 vjetorit të ndarjes nga kjo botë të artistes sonë të madhe, Vace Zela (7 prill, 1939 – 6 shkurt, 2014)

Sot, më 5 shkurt, 2017 iu dha lamtumira e fundit poetit, shkrimtarit, gazetarit, publicistit, dramaturgut, skenaristit, njeriut, Dritëro Agolli. Nëna Shqipëri, “Hallëmadhja jonë shekullore” e futi në gjirin e saj të ngrohte për ta mbajtur në përjetësi. Ndërsa tri vite më parë, më 5 shkurt të vitit 2014, na la Vace Zela, këngëtarja, artistja jonë e madhe. Edit Piafi ynë u nda nga kjo botë për t’u ngritur në qiellin e përjetësisë prej nga është duke shndritur si një yll që nuk shuhet kurrë. Është zëri i saj, janë këngët e saj që do ta mbajnë ate gjithmonë të gjallë në mesin tonë.

Vace Zela u lind më 7 prill të vitit 1939 në Lushnjë, të njejtën ditë kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. Atdheu u pushtua, humbi pavarësinë, por po në atë ditë të vështirë, ai vend lindi Vace Zelen, e cila pak vite më vonë do të bëhej krenaria, Nderi i Kombit. Kjo mund të jetë vetëm një rastësi, por është më shumë se një rastësi, është një metaforë e ngadhnjimit të së bukurës mbi të keqen. Ajo ishte një dhuratë për kombin tonë.

Vace Zela ishte një artiste e përkryer me plot kuptimin e fjalës. Ajo nuk ishte interpretuese mekanike e këngës, ajo i jepte, gjallëri, shpirt këngës me zërin e saj të vecantë, melodioz e plot muzikalitet. Për arritjet e përkryera artistike, ajo ishte mjaft këmbëngulëse dhe e vendosur. Sic tregonin, poeti Dritëro Agolli dhe kompozitori Tish Daija, ajo kishte kërkesa të larta artistike, si për tekstin, ashtu edhe për muzikën – luftonte për cdo varg, luftonte për cdo notë. Gjithmonë do të mbetet model i përsosmërisë profesionale e artistike.

Si një artiste e pashoqe në hapësirat tona dhe si një grua fisnike me vlera të larta njerëzore, u bë shembull, u bë burim frymëzimi për shumë vajza të reja, artiste të ardhshme – ka qenë përcaktuese e fateve të jetës së tyre. Shumë vajza të reja thonin se do të bëheshin si Vace Zela dhe shumë prindër u thonin vajzave të tyre: Të më bëhesh si Vace Zela. Ky është një nga vlerësimet më të larta që mund t’i bëhen një artisti.

Kënga e saj gjithmonë sjell optimizëm, hov rinor, të merr në krahët e saj magjik e të shpie në një botë magjepse, t’i largon për një cast hallet, brengat e jetës. Ja si shprehet për këtë këngëtari Sherif Merdani: “Ne jetuam në një Shqipëri që lëngonte, që rënkonte. Ku këngëtari burgosej për këngën e tij, poeti pushkatohej për veprën e tij. Zoti nuk na i vrau shpresën, dërgoi një zë që na i zbuti dhimbjen dhe na dha shpresë, kjo ishte Vacja.”

Vace Zela është vlerë kombëtare, është diamanti i kurorës së  muzikës së lehtë shqiptare. Këngët e saj janë një copëz e shkëlqyer, e artë e mozaikut të kulturës sonë kombëtare. Me këngët e Vace Zeles shpirti i kombit tonë është më i pasur, më fisnik. Këngët e saj janë për të gjitha brezat, të gjitha kohërat – këngë që pëlqehen e këndohen në të gjitha trevat shqiptare. Jo më kot ajo kishte lënë amanetin, porosinë e saj që arkëmorti me trupin e saj të zbriste ne aeroportin  e Prishtinës e pastaj të vazhdonte për në Tiranë me makinë, ashtu, mespërmes Shqipërisë, si kënga e saj që jehonte në gjithë Shqipërinë Etnike.

Ajo u paraqit me plot sukses edhe në skenat e huaja dhe me interpretimet e saj plot elegancë, artistëri, me zërin e saj të vecantë ajo i magjepsi edhe artdashësit joshqiptarë, shpalosi vlerat shpirtërore të popullit tonë para botës. Janë këngët e vendit tonë, këngët e shpirtit tonë.

Jeta e një artisti, shkencëtari, madje edhe e cdo njeriu, është vepra e tij. Njerëzit jetojnë me veprën e tyre, mbahen mend për veprën e tyre. Vace Zela krijoi një art me vlera të vecanta artistike. Këngët e saj, zëri i saj i ëmbël, i ngrohtë, i vecantë e plot muzikalitet do të jehojë ndër vite e shekuj. Teksti i zgjedhur, muzika plot ritëm, e rrjedhshme, interrpretimi me gjithë shpirt – këto janë këngët e Vace Zeles. Këngët e saj janë valsi i lumturisë, optimizmit dhe krenarisë së kombit tonë. Këngët: “Valsi i lumturisë”, Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Djaloshi dhe shiu”, “Këngët e vendit tim” e shumë e shumë të tjera, që janë margaritarë të muzikës sonë, do të mbeten gjithmonë me ne e do të këndohen gjithmonë me shumë dashuri, respekt e mirënjohje ndaj Vaces. Ne skenën muzikore shqiptare ajo ishte dhe do të mbetet e vetme (unike), e papërsëritshme, e pakrahasueshme, e paimitueshme, e paarritshme. Këngëtare të reja, bëhuni më të mira se Vace Zela, por mos u mundoni ta imitoni ate! Ajo ishte dhe do të mbetet njëshi.

Gjatë karrieres së saj të shkëlqyer ajo u nderua me shumë mirënjohje, cmime, urdhra e dekorata: Artiste e Merituar, Artiste e Popullit, Nderi i Kombit – e vetmja grua shqiptare që u nderua me këtë titull për së gjalli. Por cmimi me i lartë e më domethënës për të dhe cdo artist të vërtetë, ishin duartrokitjet e zjarrta të publikut, adhurimi për zërin, këngët, artin e saj.

Tani ka tri vite që ajo prehet e qetë në tokën shqiptare, në zemrat e shqiptarëve dhe të gjithë adhuruesve të muzikës, artit dhe vlerave të larta të bukurisë e mirësisë njerëzore!

Gjithmonë në zemrat tona!

Autori është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro - amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat