Muzika mjet integrimi ndërmjet shteteve

Muzikë

Muzika mjet integrimi ndërmjet shteteve

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 12:23
Thabet Azzawi

Pasioni për muzikën i solli në Gjermani refugjatit nga Siria Thabet Azzawi një surprizë të këndshme. Ouda - instrumenti arab me shtatë tela - është për të edhe instrument integrimi.

Një nga mijëra refugjatët sirianë, që erdhën vitin e kaluar në Gjermani, është Thabet Azzawi. Ai kishte nisur në vendlindjen e tij, Siri, studimet për mjekësi. Por ai është dhe interpretues i pasionuar i instumentit oud.

Këtu - në breg të lumit Elbë - 26 vjeçari mund të largojë mendimet që i rrotullohen në kokë. Muzikanti dhe student i mjekësisë Thabet Azzawi. Sepse atë ende e mundojnë kujtimet për luftën në vendlindjen e tij Siri dhe arratisjen përmes Jemen. "Lufta ishte dramatike, por malaria dhe sëmundja dengue ishin edhe më të këqia. Ajo ishte një nga përvojat e mia më të këqia, të shihja një njeri që po vdiste ngaqë humbte gjak dhe të mos mundje të bëje asgjë, sepse mungonin ilaçet." - tregon Azzawi.

Ouda si instrument integrimi

Pa oudën - thotë ai - ndoshta nuk do t'ia kishte dalë mbanë: Ouda - i jep forcë. Ai ushtrohet dy orë në ditë në shtëpi duke luajtur në një nga instrumentet më të vjetra në botë. Kur po iknin, atij iu desh ta linte pas oudën, por ai u kthye përsëri në vendlindjen e tij siriane Deir ez-Zor për ta marrë. "Lufta mes regjimit dhe Al Kaidës u zhvendos drejt shkretëtirës. Prandaj pata mundësi që të kthehesha në qytet për të marrë "fëmijën" , oudën time. M'u desh të prisja dhjetë ditë, dhe pastaj ika përsëri në Liban, e pastaj në Jemen."

Për Thabet Azzawi ouda është gjithashtu një instrument integrimi, jo vetëm këtu në Dresden. Sepse meqë ai e zotëron në mënyrë të përsosur instrumentin me shtatë tela ai pati mundësi për të vendosur shumë kontakte. Këtë pranverë ai mori një ftesë për të regjistruar disa këngë me yllin e muzikës rok Sting, ish-këngëtari dhe basisti i grupit Police. "Ai ishte shumë modest, dhe më tha. Hajde të argëtohemi" - kujton Thabet Azzawi. "Unë mendoj se ata donin nga disa improvizime autentike. Disa tinguj të veçantë, të rinj e të panjohur këtu. Dhe unë i rashë instrumentit si i çmendur, sikur tingujt më dilnin drejt e nga zemra." - tregon ai.

Një përzierje e përsosur

Me pasionin ai i është përkushtuar edhe gjermanishtes. Pesë herë në javë Thabeti shkon në një kurs për gjermanishten. Sipas tij gjermanishtja është më e vështirë se anglishtja, por më e lehtë se arabishtja. Ai po mëson gjermanisht, sepse do të studiojë përsëri për mjekësi. Thabet Azzawi erdhi para një viti në Drezden. Pak para se kancelarja Merkel të thoshte: „Ne mund t'ia dalim mbanë!“. Thabeti e ndjen këtë si detyrim për vete. "Ne jemi tani pjesë e kësaj "ne"'.Kështu mendojnë edhe të tjerët. Ne mund të ndihmojmë për ta arritur këtë. Do të ishte gjë e madhe në qoftë se ne të gjithë do të mund t'i bëjmë realitet, fjalët e kancelares. Për një kohë të gjatë, dhe jo vetëm përkohësisht." Thabet Azzawi dëshiron të japë kontributin e tij. Si muzikant dhe mjek. Për të një përzierje e përsosur.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat