Samsungu do të sjellë smartfonin e ri me 4 kamera kryesore

Mobile

Samsungu do të sjellë smartfonin e ri me 4 kamera kryesore

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 07:13
Smartfoni i ri me 4 kamera kryesore

Në fillim të këtij muaji gjiganti i teknologjisë, Samsung, ka paralajmëruar se është duke punuar një smartfon të ri dhe ka shkruar “4x fun”, duke mos zbuluar më shumë detaje.

Me këtë mbishkrim, menjëherë është menduar se smartfoni i ri do të vijë me dy kamera të pasme dhe dy të përparme, por sipas një burimi nga Gjermania kjo nuk qëndron ashtu.

Ky burim, uebfaqja “All About Samsung”, thotë se smartfoni i ri do të quhet Samsung Galaxy A9 Star Pro dhe se do të ketë katër kamera në pjesën e pasme dhe një të përparme për ‘selfie’ prej 24 megapikselë. Ata, po ashtu, kanë publikuar edhe një fotografi (jozyrtare) në të cilën shihet A9 Pro me katër kamera të pasme të radhitura vertikalisht.

Katër kamerat e pasme të Samsung Galaxy A9 Star Pro thuhet se janë 8 + 24 + 10 + 5 megapikselë, ndërsa ajo e përparme do të ketë sensorin Sony IMX576.

Gjithashtu, “All About Samsung” shkruan se A9 Star Pro do të ketë ekran 6.28-inç AMOLED me rezolucion Full HD+ dhe procesor Snapdragon 660. Bateria thuhet se do të jetë me kapacitet prej 3,720 mAh por jo me veçorinë për mbushje të shpejtë.

Mbishkrimi “4x” po ashtu mund të aludojë edhe në zmadhimin optik të katërfishtë (4x optical zoom), gjë që do ta bënte këtë smartfon modern të parin me këtë veçori.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat