“Apple” sfidon policinë, bllokon aksesin në aparatet iPhone

Mobile

“Apple” sfidon policinë, bllokon aksesin në aparatet iPhone

Më: 15 qershor 2018 Në ora: 20:01
Ilustrim

Tre vjet më parë, pas atentatit terrorist në San Bernardino të Kalifornisë, FBI-ja dhe kompania “Apple” nisën një betejë që kishte në qendër iPhone-in e autorit të sulmit.

Në atë kohë, drejtuesi i “Apple”, Tim Cook, refuzoi të zhbllokonte iPhone-in e njërit prej autorëve të sulmit ku mbetën të vdekur 14 persona dhe u plagosën 17 të tjerë.

Beteja me “Apple” dhe FBI rezultoi e kotë, pasi policia amerikane ia doli të hynte në të dhënat e aparatit pa pasur nevojë për ndihmë.

Mesa duket këtë histori e kanë mbajtur gjatë parasysh në kompaninë me bazë në Kupertino, pasi sot “Apple” ka njoftuar se pas përditësimit të radhës të sistemit iOS12, metodat më të zakonshme për të zhbllokuar aparatet e saj do të jenë të padobishme.

Opsionet e iPhone do të modifikohen për të bërë të pamundur çdo lloj aksesi në aparat përmes fishës nëse ai nuk zhbllokohet për një periudhë më shumë se 60-minuta.

Është pikërisht fisha lidhëse me pajisje të tjera, që përdoret edhe për karikim, porta hyrëse nëpërmjet të cilës kompani të specializuara si “Grayshift”, “Cellebrite” etj. lidhen me iPhone për të ndryshuar numrin limit të fjalëkalimeve që mund të provohen para se pajisja të bllokohet vetë.

Në “Apple” këtë risi e shpjegojnë si përpjekje për t’i mbrojtur klientët nga hakerat dhe vjedhja e të dhënave.

“Kemi respektin maksimal për forcat e rendit dhe nuk i projektojmë përditësimet tona të sigurisë me qëllim që t’i frustrojmë në përpjekjet e tyre”, thuhet në një komunikatë të “Apple”.

Kompania e themeluar nga Steve Jobs ka theksuar shpesh se këto masa merren me qëllim që të mbrohen iPhone-t nga spiunazhi, kriminelët etj. duke ndaluar aksesin në aparatin ku ne ruajmë shumicën e të dhënave private.

Por drejtori i FBI-së, Christopher Wray, është shprehur shpesh i pakënaqur me këto masa. Ai ka thënë se për shkak të tyre vetëm gjatë 2017-s, është bërë i pamundur aksesi në mbi 7000 aparate iPhone.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat